Nga Mitro Çela
-Viti 2018-
Hoteli me tre cepa. Larg shijeve të Ezmerkës.
Por i vendosur në mesin e rrugës “La Rampa”, më të bukurën e qytetit, ja rriti pjacën shkodranes sime.
-Kam çfarë me u mburr tek shoqet!
Filozofi e përjetshme e gruas.
Dy gjëra zbuloi Ezmerka, pa nisur nga “puna”.
Së pari, më 3 korrik fillonin skontot.
Së dyti, dielli perëndonte në orën 22.
Dhe u vendos. Dmth vendosi ajo:
Plazhi nga ora 18 deri në orën 22.
Kusuri: Zbor në dyqane dhe tur turistik.
Si katolike Ezmerka vendosi ta fillojmë nga katedralja.
Kryevepra e arkitektit Antonio Gaundi.
Ezmerka bisedonte me sportelisten:
– Sot nuk mund ta vizitoni katedralen. Ka shumë turistë në radhë.
-Por ka një zgjidhje. Në se paguani dy euro më shumë, ska radhë.
Mu drejtua mua. Ju jeni i moshuar?…
U vrejta…
-Bileta për ju tre euro më pak…
Buzëqesha…
Vizitën e filluam nga bodrumi, ku ishte vendosur muzeu.
Në një nga sallat, në mur një citat nga Nënë Tereza…
“Lutja për shpirtin, është si gjaku për trupin.”
Thotë ciceronja:
-Nënë Tereza e Kalkutës…-
-E drejtë, por duhet një koregjim: Nënë Tereza nga Shqipërija,- ndërhyra unë!..
Ciceronja buzëqeshi dhe tundi kokën.
U riktheva pas një ore. Dëgjova ciceronen: ” Nënë Tereza e Kalkutës është me origjinë nga Shqipëria…”
-Nuk quhet turizëm në Barcelonë, pa parë Flamengo,- u përdrodh Ezmerka.
-Marr guximin të të kujtoj, se bileta kushton 35 euro, tek e tek?!
– Kot thonë që gjirokatritët lidhin macen.
Përmetarët lidhin macen me gjithë kotele…
Salla ishte aristrokatike.
Koncerti i rrallë. Kishte një gërshetim të muzikës klasike me vallet dhe këngët Flamengo.
Duke zbritur shkallët, drejt nesh një balerinë.
Zgudullova sytë.
Më shumë më pëlqeu lëkurë e butë femre, se sa fustani alla frenga!
-Çpatë! Të kapi tartakuti,- dëgjova melodinë e njohur të Ezmerkës.
Balerina më zgjati një copë letër.
Kuptohet e rrëmbeu zonjëza ime.
Ishte një pyetsor.
Kur Ezmerka shkruante, më shumë për hakmarrje nisa muhabetin:
-Nga të kemi?
Balerinë punon?
Ku e ke bërë shkollën?
Mos është ndryshe Flamengo sot?…
-Kemi berë martesën e Flamengos me Traviatën e Verdit.
Hibriti pëlqehet më shumë nga turistët…
-Nga Shqipëria?
Uaa…Çfarë fati?…
Lëpiva baluket, edhe pse në këmbë ndjeva këpucën e Ezmerkës!…
-Kam parë një koncert të Ilva Mulës!
Një zë perëndie!
-E dini? Pas koncertit u shtrua një banket.
Trokitëm gotat me Ivën?
-Që nga ajo ditë kam regjistruar të gjitha koncertet e saj nëpër botë!
Në qëndër të qytetit është një librari.
Gjigante. Infinit librat. Por pak. Shumë pak blerës.
Prapa një tavoline qendronte një vajzë.
– E njihni Kadarenë?…
Vajza u ngrit në këmbë.
I shkova prapa si manar.
Qëndroi para një vitrine të stërmadhe.
Zgjati dorën dhe mori librin:
“Nënpunësi i Pallatit të Ëndrave”
-E vutë re? Libri i Kadaresë qëndronte mes Kafkës dhe Kunderës.
-Sipas meje, dy çekët vlejnë më pak se Kadareja…
Në se kërkon në Barcelonë një “Mesi” ai ka një emër:
Mesi!
Fëmijë. Burra. Pleq. Gra. Vajza. Bluza me numërin 10.
Shkuam në statjum. Në kërkim të Mesit.
Kur premë biletat na pyetën nga cili vend ishim.
Pasi i erdhëm vërdall muzeut, përfunduam në tribunat ku gazetarët transmentojnë ndeshjet.
Dhe dëgjuam zërin e Shako Hoxhës:
“ Një mrekulli e Mesit. Gol në portën e Juventusit!…”