Grevë në 13 aeroporte të Gjermanisë, anulohen katër fluturime nga Prishtina

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Një grevë njëditore në 13 aeroporte gjermane çoi në pezullimin e shumicës së fluturimeve, përfshirë katër fluturime nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara.

“Për shkak të grevës në disa aeroporte të Gjermanisë, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë anuluar katër fluturime në nisje. Kjo nuk ka shkaktuar ndonjë tollovi për shkak se udhëtarët kanë qenë të njoftuar paraprakisht nga kompanitë e tyre ajrore”, tha Gara.

Ajo tha se fluturimet nga nesër do të vazhdonin me rregull, pasi që greva në Gjermani është vetëm njëditore.

Më herët gjatë ditës, edhe Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufijve kishte lajmëruar për anulimin e këtyre fluturimeve.

Greva njëditore në 13 aeroportet e Gjermanisë, përfshirë ato kryesore të Frankfurtit dhe Mynihut si dhe të gjitha destinacionet e tjera kryesore të vendit, shkaktoi anulimin e shumicës së fluturimeve ndërkombëtare të hënën.

Greva 24-orëshe, e cila ka nisur në mesnatë të dielën, përfshin punonjës të sektorit publik në aeroporte si dhe punonjës të tokës dhe të sigurisë.

Në Aeroportin e Frankfurtit, 1.054 nga 1.116 fluturimet e planifikuara për atë ditë ishin anuluar, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve dpa, duke cituar menaxhimin e trafikut në aeroport.

Të gjitha fluturimet e rregullta në Aeroportin e Berlinit ishin anuluar, ndërsa Aeroporti i Hamburgut njoftoi se nuk do të ishin të mundshme fluturimet. Aeroporti i Kolonjes/Bonnit njoftoi se nuk do të kishte shërbime të rregullta për pasagjerë dhe Aeroporti i Mynihut këshilloi udhëtarët të prisnin “orare fluturimesh të reduktuara ndjeshëm”.

Greva e sindikatës së punonjësve gjithashtu përfshiu aeroportet e Bremenit, Hannoverit, Duseldorfit, Dortmundit, Leipzig/Halle dhe Shtutgartit. Në aeroporte më të vogla si Weeze dhe Karlsruhe/Baden-Baden, vetëm punonjësit e sigurisë u thirrën për grevë.

Lexo edhe :  Kur mund të zhvillohet takimi Putin-Zelensky?

Shoqata e Aeroporteve Gjermane, ADV, vlerësoi se më shumë se 3.500 fluturime do të anuloheshin dhe rreth 560.000 pasagjerë do të ndikoheshin.

Sindikatat e shpallën grevën të premten e kaluar. Por, në Aeroportin e Hamburgut, ata shtuan një grevë të shpallur me njoftim të shkurtër të dielën përpara grevës së hënës, duke argumentuar se duhet të siguronin efektivitetin e masës.

Kjo grevë, e quajtur “grevë paralajmëruese”, është një taktikë e zakonshme në negociatat për pagat në Gjermani dhe lidhet me dy mosmarrëveshje për pagat: negociatat për një kontratë të re për pagën dhe kushtet për punonjësit e sigurisë në aeroporte, dhe një mosmarrëveshje më të gjerë mbi pagat për punonjësit e qeverisë federale dhe lokale.

Kjo e fundit ka çuar tashmë në greva në aeroporte të Kolonjes/Bonnit, Duesseldorfit, Hamburgut dhe Mynihut. Negociatat për këtë mosmarrëveshje do të rinisin të premten, ndërsa rundi i ardhshëm i negociatave për punonjësit e sigurisë në aeroporte pritet të fillojë më 26 mars./k.k

Të fundit

Çmimet e bulmetit në Shqipëri janë të katërtat më të shtrenjtat në Europë

Pikërisht pas 2019-s, me uljen e TVSH-së së kreditueshme (nga 20% u bë 6%) prej vitit 2020, konsumatori shqiptar...

Ndërhyrje restauruese në Kishën e Shpërfytyrimit në Herbel

Një nga monumentet më të veçanta të trashëgimisë sonë kulturore po i nënshtrohet një procesi të kujdesshëm restaurimi nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Specialistët...

Kosovë, Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e fundit

Nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës as në përpjekjen e fundit, në seancën që u thirr për ora 22:00. Sërish u tentua të votohet komisioni për...

Holanda ndalon përdorimin e smartfonëve në shkolla/Nxënësit më të përqendruar dhe socialë

Smartphonet shpërqendrojnë dhe ndikojnë negativisht në rezultatet shkollore. Kjo është një çështje e nxehtë që nuk njeh kufij dhe që ka bërë që Holanda...

Sa fiton një ushtar rus që shkon në frontin e luftës?

Nga raportimet më të fundit të mediave ndërkombëtare, ushtarët rusë që pranojnë të luftojnë në frontin e Ukrainës mund të fitojnë deri në 5.2...

Lajme të tjera

Web TV