Në Serbi ka filluar operacioni për shpëtimin e pasurisë së Millan Radoiçiç

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Enver Robelli

Millan Radoiçiqi është njeri i rëndësishëm. Së paku për regjimin aktual në Serbi. Me vite të tëra ka qenë padron e sherif në veri të Kosovës, me bandat e tij ka kontrolluar praktikisht dhe faktikisht krejt jetën publike, politike dhe nëntokën e atjeshme, nganjëherë edhe më gjerë.

Aq i madh ka qenë ndikimi i tij, saqë Radoiçiqi s’kishte nevojë të kyçej direkt në politikë. I kontrollonte punët edhe pa funksion formal. Kur rrjeti i tij i biznesit (fjala biznes këtu përdoret edhe si sinonim për krim) u zgjerua dhe konsolidua, Radoiçiqi në qershor 2018 mori funksionin e nënkryetarit të Listës Serbe, një parti e kontrolluar direkt nga Beogradi, e cila pretendon se përfaqëson interesat e komunitetit serb në Kosovë.

Rastësi apo jo: Radoiçiqi hyri edhe zyrtarisht në politikë kur “negociatat” për “korrigjimin e kufijve” të Kosovës mes zyrtarëve të Beogradit dhe Prishtinës ishin në vlugun më të madh dhe vetëm disa muaj pasi “persona të panjohur” vranë në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviqin, i cili, përkundër të kaluarës tejet problematike, ishte politikani më i artikuluar i pakicës serbe në Kosovë dhe nuk pranoi të jetë thjeshtë zbatues i urdhrave të Aleksandar Vuçiqit. Disa serbë kosovarë janë të bindur se Oliver Ivanoviqi ishte “viktima e parë e idesë për ndarjen e Kosovës”.

Largpamëse është një intervistë e Ivanoviqit me revistën “Vreme” në vitin 2017, në të cilën ai ankohej se serbët kanë frikë nga ekstremistët serbë. Në bisedë me gazetarin e famshëm (dhe ndërkohë të ndjerë) Dejan Anastasijeviqin, Ivanoviqi deklaronte: “Situata (në veri të Kosovës) është përkeqësuar. Ndjenja e pasigurisë dhe frikës tek populli është e pabesueshme. Prej rreth njëqind njerëzve me të cilët kam folur gjatë javëve të para pas lirimit tim (Ivanoviqi ishte arrestuar pas akuzave për krime të luftës, v.j.), nuk ka asnjë që nuk e ka ngritur çështjen e sigurisë në fillim të bisedës. Le të kuptohemi menjëherë: këta njerëz nuk kanë frikë nga shqiptarët, por nga serbët, nga kapadainjtë dhe kriminelët lokalë që lëvizin me xhipa pa targa.

Droga shitet në çdo cep dhe çdo prind është i shqetësuar për këtë. Këto gjëra ekzistonin edhe më parë, por jo në këtë masë dhe këta njerëz nuk silleshin me kaq arrogancë si tani. Policia i sheh të gjitha dhe nuk reagon, prandaj qytetarët ndihen të pambrojtur, edhe pse në policinë e Kosovës në veri të gjithë janë njerëzit tanë, pra serbë. Disa prej tyre janë policë me përvojë që kanë punuar më parë për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, por as ata nuk bëjnë asgjë”. Ivanoviqi tregonte se viteve të fundit në Mitrovicë i ishte vënë zjarri rreth 50 automjeteve, ishin vrarë njerëz dhe hedhur bomba dore. “E gjithë kjo ndodh në një territor prej dy kilometra e gjysmë katrorë, i cili është plotësisht i mbuluar me kamera sigurie. Është e qartë se policia ka frikë të ballafaqohet me kryerësit e veprave, ose kryerësit janë të lidhur me strukturat e sigurisë”.

Pasi u hoq qafe Oliver Ivanoviqi, oponenti kryesor politik i Listës Serbe, tani portat ishin të hapura për të dalë edhe zyrtarisht në sipërfaqe Millan Radoiçiqi. Duke qenë njohës i mirë i gjuhës shqipe, ai gjeti partnerë biznesorë dhe politikë edhe në mesin e shqiptarëve të Kosovës. Bashkë me vëllezërit Zvonko dhe Zharko Veselinoviqin, ai ndërtoi një perandori të tërë afariste jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në Serbi. Kjo nuk do të ishte arritur kurrë pa përkrahjen direkte të qeverisë në Beograd. Radoiçiqi ishte njeriu për punë të pista. Dhe nuk ishte i panjohur për drejtësinë. U nxor para gjyqit për shkak të kidnapimit të një biznesmeni nga Maqedonia, ka dyshime se është i përzier në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, se është marrë me shitje të narkotikëve dhe krim të organizuar. Njëherë doli para gjyqit për shkak të gërmimeve të paligjshme të zhavorrit. Secilën herë ai i shpëtoi burgut.

Mbetet të shihet nëse do të arrijë të shpëtojë nga burgu edhe për sulmin terrorist në Banjskë në shtator 2023, me ç’rast u vra një polic dhe u plagos një tjetër. Këtë vepër ai e ka pranuar vetë. Në mediat serbe (edhe ato opozitare) sulmi në fshatin Banjskë minimizohet duke u quajtur “përleshje e armatosur”, “konflikt”, “rast”. Drejtësia serbe, e cila nuk është e pavarur, ka nisur hetimet kundër Radoiçiqit para 16 muajsh. Gjasat nuk janë të mëdha që së shpejti të publikohet aktakuza kundër tij. Revista “Radar” njoftoi së fundi se prokuroria serbe ka konfirmuar se Radoiçiqi, i cili është lënë i lirë, po e respekton detyrimin që të paraqitet më 1 dhe 15 të çdo muaji në stacionin policor përkatës dhe se Misioni i BE-së në Kosovë, EULEX, nuk i është përgjigjur kërkesës së dërguar përmes Ministrisë së Drejtësisë për dorëzimin e dokumentacionit, i cili është i nevojshëm për zhvillimin e procedurës penale para Prokurorisë së Lartë në Beograd. Ekziston mundësia që drejtësia e Serbisë ta dështojë krejt procedurën me arsyetime formaliste.

Lexo edhe :  Festat e Marsit, nga mësuesit dhe gratë te ballokumet dhe ashuret

Ndërkohë, duket se protestat kundër regjimit të Aleksandar Vuçiqit kanë trazuar edhe Radoiçiqin. Nëse bie Vuçiqi nga pushteti, gjasat janë të mëdha që edhe kanakari i tij Radoiçiqi të përballet me drejtësinë. Siç raportoi revista Radar, së fundi Radoiçiqi ia ka kaluar në pronësi gruas së tij krejt patundshmërinë në Dedinje, një lagje prominente e Beogradit. Këtë pronë ai e kishte blerë pas arratisjes në Serbi në ditën e sulmit në Banjskë (23 shtator 2023). Në fund të po atij muaji Radoiçiqi, pa asnjë kompensim, ia kaloi vëllezërve Veselinoviq aksionet e tij në katër firma. Më 2021 SHBA-të dhe Britania e Madhe vendosën sanksione kundër pesë firmave të Radoiçiqit.

Në Serbi Radoiçiqi tani zyrtarisht nuk është pronar i asnjë biznesi. Firmat e tij të dikurshme dhe pronat janë në duar të ortakëve dhe gruas së tij. Një pjesë e pasurisë së tij të madhe është konfiskuar edhe në Kosovë, mes tjerash vila pranë liqenit të Gazivodës, restoranti Grey dhe dy banesa në Mitrovicën e Veriut. Vlera e patundshmërive të tij në Kosovë, sipas mediave, arrinte më shumë se 3 milionë euro, ndërsa vlera e veturave të tij ishte 330 mijë euro. Nga restorant Grey ka mbetur vetëm profili në Instagram. Më 22 dhjetor 2020 menyja e lavdëruar dhe reklamuar ishte kjo: “Lakra turshi me brinjë të tymosura dhe gjunjë derri, nga tani çdo të martë në restorantin tuaj Grey”.

Ndërsa për “ditën e të dashuruarve” (14 shkurt 2020) Grey ofronte, mes tjerash, “njoki në sos prej tartufi dhe gorgonzolës” dhe për desert “puding i aromatizuar nga kokosi”. Gjasat që pronari i Grey të kthehet në Mitrovicë dhe t’i shijojë prapë këto meny janë të vogla. Por në Beograd ai jeton i lirë, i mbrojtur nga shteti, madje edhe i nderuar, siç shihej në një fotografi para një viti me ambasadorin e atëhershëm të Serbisë në SHBA dhe ministrin e tanishëm të jashtëm, Marko Gjuriqin. Atëbotë Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se “Radoiçiqi është kriminel që duhet të përgjigjet”. Kjo mund të ndodhë kur të përgjigjet edhe Aleksandar Vuçiqi për veprat e tij. Atëherë mund të hapet edhe dosja e Oliver Ivanoviqit.

Kur në fund të qershorit 2024 Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi katër persona me gjithsej 22 vjet burg për shkak të organizimit të vrasjes së Ivanoviqit, nuk u kuptua kush e ka ndihmuar këtë grup, kush hapi zjarr dhe kush e organizoi atë. Nuk u gjykuan liderët e grupit kriminal, Milan Radoiçiqi dhe Zvonko Veselinoviqi, të cilët, sipas Aleksandar Ivanoviqit, duhej të ishin në qendër të procesit gjyqësor. Aleksandar Ivanoviqi është nip i Oliver Ivanoviqit, avokat dhe deputet i një partie opozitare në Kuvendin e Serbisë. Më 3 korrik 2019, një vit e gjysmë pas vrasjes së Ivanoviqit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, deklaroi: “Po punojmë shumë seriozisht dhe mendojmë se e dimë emrin e vrasësit, emrin e ekzekutorit. Shqiptarët nuk e kanë.

Ata nuk kanë haber. Ata zhvillojnë hetimet e tyre politike”. Nëse është kështu, pse atëherë drejtësia e Vuçiqit nuk po e nxjerr vrasësin para gjyqit? Presidenti ka thënë se ia di emrin. Ngjashëm është deklaruar edhe Bratisllav Gashiqi, i cili mes viteve 2017-2022 ka qenë shef i shërbimit sekret serb (BIA) dhe mes 2022-2024 ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë. Më 21 qershor 2023 Gashiqi deklaroi se në bazë të konstatimeve nga shërbimet sekrete serbe “ne saktë e dimë kush është vrasësi” i Oliver Ivanoviqit. Vetëm këto dy deklarata mjaftojnë për të kuptuar se sa shumë është kriminalizuar pushteti në Serbi dhe pse mllefi i studentëve në këtë vend është aq i madh që nga 1 nëntori 2024, kur pas rënies së një pjese të çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad humbën jetën 15 njerëz të pafajshëm./E.T

Të fundit

Donnarumma i jashtëzakonshëm, PSG eliminon Liverpoolin nga Champions League

PSG ka shkaktuar një surprizë që pakkush e mendonte të mundur, teksa ka eliminuar Liverpoolin në Ligën e Kampioneve....

Inter kalon pa probleme Feyenoordin dhe “peshkon” Bayernin në raundin e 1/8-ave

Interi ka bërë detyrën në shtëpi duke mposhtur Feyenoordin me rezultatin 2 me 1 në duelin e kthimit të Champions-it duke u kualifikuar për...

Leksion edhe në “Bay Arena”, Bayern Munich vulos kualifikimin ndaj Leverkusenit

Bayern Munich ka vulosur një kualifikim të pastër në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve pasi ka mundur në të dy ndeshjet “makthin” e sezonit...

Ç’mund të ndodhë me trupin e njeriut nëse qëndron në hapësirë ​​për disa muaj

Koha e zgjatur në hapësirë ​​është e dëmshme për shëndetin, që do të thotë se astronautët që kthehen zakonisht kanë një sërë sfidash unike për të...

Pesë kurat më të mira për ngërçet në këmbë

Nëse do t’iu duhej të përmblidhnit përvojën e një ngërçi në këmbë me një fjalë të vetme, fjala “torturë” mund të jetë më e...

Lajme të tjera

Web TV