Kastriot Kotoni
Grigor Jovani u lind më 1 prill 1959 në Jergucat të Gjirokastrës, ku kaloi edhe fëmijërinë e hershme, Ndërsa më pas, jetoi në Laç… Përveçse një nxënës i shkëlqyer Grigori, qysh herët shfaqi një talent letrar. Poezia e parë e tij, u botua në gazetën “Pionieri”, botim i cili, do t’i përcaktonte gjithë të ardhmen. Me ulje ngritjet e një adoleshenti çapkën, poezia e ndihmoi të njihej në rrethet letrare të qytetit. Kështu bashkëpunoi me shtypin lokal, mori pjesë me tekste në festivalet lokalë dhe kombëtarë, fitoi çmime të para në konkurset poetike në rreth dhe kjo bëri që të pranohej kandidat në Lidhjen e Shkrimtarëve, diҫka e pazakontë për moshën e tij. Gjatë studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës vazhdoi të shkruante, duke fituar çmime të para në konkurset studentore në Shkodër dhe Tiranë, në ato të degëve të Lidhjes së Shkrimtarëve në Krujë dhe Shkodër, bashkëpunoi më shpesh me shtypin letrar dhe politik dhe, Lidhja e Shkrimtarëve, dega Krujë, e bëri anëtar të saj.
Mbarimi i studimeve i solli emërimin në zonën e Repsit, malësive të Mirditës, ku shkroi monografinë e Heroit të Popullit, Mustafa Kafaçi, përgatiti Ansamblin Folklorik “Kastrioti” për Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës, i cili fitoi vendin e parë. Më pas u emërua në Mirditë, korrektor gjuhësor dhe redaktor për art-arsim-kulturën, duke plotësuar ëndrrën e tij e dytë të madhe gazetarinë, e cila do ta shoqëronte gjithë jetën ku punoi katër vjet.
Në dhjetor të vitit 1990, emigron drejt Greqisë, ku nis një jetë e re në atdheun e ri. Fillimisht punoi në punë të rëndomta, por dalëngadalë u përfshi në jetën sociale. Bashkëpunoi me gazetën e parë shqiptare në Greqi, “Egnatia”, më pas me “Zëri i Emigrantit”, “Rilindja XXI”. “Triti Septemvriu”, “Tribuna”, revista “Pelegrini”. Gjatë luftës së Kosovës ishte pjesë e disa paneleve televizive ku ngjalli kundërshtime me qëndrimet e tij. Përveҫ profesionit të gazetarit nuk la pas dore edhe pasionin e tij të parë letërsisë duke u bërë pjesë e jetës letrare të krijuesve shqiptarë në Greqi. U bë anëtar i përhershëm i kryesive të Shoqatave dhe Klubeve të Shkrimtarëve, “Drita” dhe “Litter-Art”, madje edhe zëdhënës shtypi i tyre. Së bashku me disa miq të tjerë shkrimtarë në diasporë themeloi Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë në Greqi “Together”, ku u zgjodh kryetari i parë i saj. Gjithashtu hapi revistën “Pegasi”, revistë tremujore letraro-artistike, e cila synonte promovimin e artit dhe kulturës shqiptare në të gjithë diasporën.
Gjatë karierës së tij artistike Grigor Jovani ka botuar pesë libra poetikë, “Botë pa dashuri, “Punishtja e ëndrrave”, “Udhëtoj brenda vetes”, “Blu e thellë” dhe “Vreshtat e Dionisit”. Dy romane, “Ura e Mbretit” dhe “Jackpot”, pesë libra në prozën e shkurtër dhe tre me publicistikë artistike. Poeti Jovani është edhe një përkthyes mblresëlënës. Ai ka përkthyer librin poetik “Monologë” të Milan Kunderës. Krijimtaria e tij nuk është vetëm kjo. Grigor Jovani, ka edhe rreth 1000 poezi të pabotuara, të cilat presin radhën. Gjatë karierës së tij letrare në Greqi, Grigori ka fituar vende të para në konkurset e organizuara dhe është përfshirë në disa antologji të botuara në diasporë. Në vëllimin më të fundit poetik “Arkipelagu i grisë” që na solli në shtator 2024, poeti Grigor Jovani përdor natyrën si telajo për të pikturuar poezitë e tij. Duke krijuar një kostelacion pavdekësie që flet sa mijëra faqe historie të njerëzimit. Vargjet e tij vezulluese fshihen në humnerën e errësirës në detra të thellë dhe latohen me magjinë e shpirtit të poetit. Udha e kujtimeve dhe ndijimeve emocionale është një det përjetësie për autorin, duke përkëdhelur rruzullin e shpirtit njerëzor. Ai e shpalos këtë me vargjet e tij plot metafora dhe figura letrare të arrira, duke shprehur idenë e aksiomës filozofike Aristoteliane të shpirtit me trupin.
Ja seç shkruan mjeshtri i vargut në poezinë “Tabloja”:
Deti-një copë e madhe xhami
gati të thyhet nga rrezet e para të diellit
Ose nga pikat e shiut…
…
Pastaj kujtimet me ty. Të ndrydhurat. Të fshehurat
mes heshtjes absolute.
Ishin në këtë pejsazh. Tani u zhdukën. Mjeshtri Viçens,
ku i fute?!
Kjo metomini, e skalitur me origjinalitet në ujdhesën e kërkimit të pafundësisë është aq sa filozofike, por dhe aq psikologjike.
Në poezinë “Shpellat”, në vargjet e mëposhtëme valëzon jeta reale e veshur plot hire artistike, mbushur me larmi ngjyrash të logosit letrar.
Tek zgavrat e syve të mi strehohen
Një fëmijë çamarok me pantallona të shkurtra
dhe një ujk
Ruajnë sho-shokun. Kur qetësohet njeri,
tjerti tërbohet…
Jetë e përmbytur nga ngjyrat e figurave letrare, me mjeshtëri gjejmë në vargjet e poezisë
“Distike”
E thellë, e errët si gurore,
Plag e thikës vëllazërore.
Diamantet tek kurora e mbretit, humbën ngjyrat kur dolën prej detit.
Fshikulluese, sarkistike dhe me simbolikë të thellë janë vargjet e poezisë “Arkipelagu gri”.
Netët këtu janë të gjata,
të pashpresa
i kaloj duke përtypur fjalë,
Duke qepur vargje
Në rrobaqepsinë e poezisë…
E ngjyra gri e Akipelagut të poetit Grigor Jovani, me tis trishtimi, me muzikë heshtjeje si një mërmëritje e dialogut, vetëfjalosjes në qelinë e burgut të poezisë. Hollësitë e ndryshme artistike në këto poezi janë të goditura. Ato përputhen plotësisht me idenë e gjithë librit dhe i shërbejnë shprehjes së saj të qartë e të përpiktë. Për këtë do të mjaftonte të shqyrtonim dialogun e heshtur të brendshëm të autorit. Ky dialog, që ngjall emocione të forta, përforcon idenë, se kujtimet janë si rrënjët e një rrapi shekullor i cili shtrihet në trupin e tokës. Poezitë për Durrësin dhe Shkodrën lenë gjurmë me hijeshi kumbuese.
Durrësi
Durrësin,
Nuk mund ta njohësh ditën.
Por mund ta njohësh natën,
Ngaqë ai
nuk fle…
Ndërsa për Shkodrën kompozimi është më i shtrirë dhe lirik.
Kujtime nga Shkodra
Kur do pushojë ky shi i mallkuar?
Bie vazhdimisht,
s’mbahet mend qyshkur ka filluar.
Një violinë e ëmbël nga Shkolla e Muzikës
e zbut disi arkipelagun e grisë,
ku më shumë mban çadrën se kapelen mbi kokë.
Unë vizatoja zogj me fjalë nëpër letra,
ti ëndërroje ditët me plazh në Shirokë.
Poezia “Pylli” shkruajtur me një lirizëm dhe karakter rrezatues në mbrojtje të natyrës është tepër e veçantë.
Pylli
Përshkoj pyll të vogël, të mbërrij tek deti.
Muzik gjethesh,
Më drithëron shpirtin.
Shpella të freskëta, më ftojnë të prehem….
Dhe më kujtohet
Plaku Kozma:
“Dashuroni pyjet!”
Mbërrij në det,
më presin në plazh,
miqtë e mi, yjet.
Poezitë e tjera “Nën Zero” dhe “Vetmia”, në penën e poetit Grigor Jovani janë sa lakonike, aq edhe mbushur me dhimbje… Po aq edhe psikologjike me peshën e simbolikës, kur në një varg shkruan:
Nën Zero
Në gjumë rrudh buzët
Prej kohësh të pa puthura. Kam frikë,
Mos i zë temperaturë e ngrirjejes,
kujtesa.
Vetmia
Vetmi do të thotë të të ftojë në telefon
Zëri i haruar i një dashurie të vjetër…
Vetmi do të thotë të mos kesh me kë të bisedosh,
Si i pandehuri pa dalë në gjyq.
Përveç një hëne në dritare, që nuk ke si ta zbosh:
“Mbete si qyq”
100 poezitë e Jovanit, edhe këtë radhë përshkojnë një udhë kujtimesh dhe ndijimesh emocionale, duke krijuar një përjetësi artistike për lexuesin.
Në këtë vëllim poetik autori Grigor Jovani i ka kaluar emocionet e një poeti të ri, se për të ky është libri i gjashtë me poezi, ndaj ndihet pena e një poeti të pjekur, me të gjitha ato mjete shprehëse që i ka një poet, por mbi të gjitha me një përvojë njerëzore e cila krahas njohjes së realitetit, ka dhe përmbushjen emocionale e cila e çon drejt frymëzimeve që kaplojnë në larushësinë e temave. Në këtë vëllim, poeti duket herë si natyralist me peizazhe mahnitëse të metaforave të prekshme nga njerëzit dhe që i përdor ato si kornizë të një tabloje të mbushur plot ngjyra nga ndijimet e jetës. Edhe këtë radhë, Jovani ka ditur me mjeshtri të krijojë një cikël poezish me vargun e lirë dhe, fal imagjinatës krijuese, të fut në mjedisin psikologjik të qenies njerëzore me ide të qarta, mesazh të ngjeshur dhe me një origjinalitet të pastër pa dritë hije… Shkurt, ka krijuar unin e tij. Udhëtar në rrugën e poezisë ka me miliona, por e rëndësishme për poetin Grigor Jovani është se çfarë do të bëhet me ato vlera njerëzore që ka mbjellur njerëzimi ndër vite. Mëdyshja e poetit në këto vëllim mbetet: Të eci përpara pa kujtesë, si në ndonjë rezervat humanoidësh, apo t’i nështrohet vullnetit të teknologjisë me kusht jetëgjatësinë? Ai kërkoi Itakën shpirtërore dhe drejt saj shkon me vargjet e poezive të tij, të cilat, diku, dikujt që do t’i lexojë, do t’i mbajë mend, sepse poeti Grigor Jovani, që u nda prej nesh fizikisht, ka ditur të hedhë farën e poezisë së vërtetë e të pavdekshme…
Lamtumirë, Poeti Grogor Jovani!