Arrestohet bashkëshortja dhe vajza e pronarit të diskotekës “Puls”, Dejan Jovanov Deko, ku janë konfiskuar pesë telefona dhe ato ende ndodhen në polici.
Policia ka kryer bastisje edhe në një tjetër objekt në pronësi të pronarit të diskotekës “Puls” dhe ka hyrë për kontroll në zyrat e Inspektoratit Shtetëror të Tregut në Koçan, ndërsa pronari i diskotekës “Puls” ndodhet në një spital të Lituanisë. Ai është njëri prej katër pacientëve që po kurohen në këtë vend.
Ndërkaq, numri total i të dyshuarve për zjarrin katastrofik në diskotekën “Puls” në Koçan ka arritur në 34 persona dhe është hapur një procedurë hetimore ndaj 27 individëve dhe tre personave juridikë, pas hetimeve të para që përfshinë shtatë nënpunës policor nga SPB Shtip dhe Koçan.
Aktualisht, janë ngritur akuza për vepra penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” dhe për “shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”.
Hetimi për rastin në Koçan kryehet nga 11 prokurorë nga Shkupi, Koçani dhe Shtipi.
Prokuroria Publike ka njoftuar se është duke vazhduar me kontrollet dhe masat e tjera hetimore që ndërlidhen me tragjedinë e madhe e të tmershme të 16 marsit në Koçan.
Organi i akuzës ka njoftuar se ka kryer bastisje në Koçan dhe Shkup, ka konfiskuar pajisje elektronike dhe mjetet e provës janë dorëzuar për ekspertizë. Në hetim do të përfshihet edhe Policia Financiare mbi dyshimet për inkriminimin e subjekteve të caktuara në tragjedinë e Koçanit.
Në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, mbi 650 persona, kryesisht të rinj, ishin duke u argëtuar në diskotekën Puls në Koçan, ku gjatë performancës së grupit muzikor të njohur DNK, pa pritmas shpërtheu një zjarrë i madh, gjë që bëri të humbin jetën 59 persona dhe mbi 190 persona të tjerë u lënduan, madje disa prej tyre ende janë në gjendje të rëndë shëndetësore./e.t