Përfaqësimi i grave në politikë dhe ndikimi i financimit në karrierën e tyre

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ina Allkanjari

Në një periudhë ku përfaqësimi i grave në politikë është një temë e nxehtë në shumë shtete, edhe Shqipëria ka përjetuar zhvillime të rëndësishme, por ende ka shumë pengesa për t’u kapërcyer. Ori Nebiaj, një figurë e njohur në politikën shqiptare, tregon për sfidat dhe mundësitë që gratë përballen në këtë fushë, duke theksuar rëndësinë e financimit në mundësinë e tyre për të arritur pozita udhëheqëse. Ajo shpjegon se si kuotat dhe mekanizmat e ngritur mund të jenë një mundësi, por gjithashtu një kufizim për gratë që dëshirojnë të udhëhiqen në mënyrë të drejtë dhe meritokratike. Vështirësitë që gratë përballen në sigurimin e burimeve financiare për fushata elektorale, ndikimi i stereotipeve gjinore në politikë dhe roli që mund të luajnë mediat në formësimin e perceptimit publik të grave në politikë, jane disa prej ccështjeve të cilat kërkojnë vëmendje dhe pêrmirësim. Ori Nebiaj ofron një vështrim të qartë dhe të drejtpërdrejtë mbi këto çështje, duke kërkuar një sistem të drejtë dhe të barabartë për të mbështetur gratë që synojnë pozita udhëheqëse në Shqipëri.

Si e vlerësoni aktualisht përfaqësimin e grave në politikën shqiptare dhe ndikimin që mund të ketë financimi për mundësinë e tyre për t’u ngritur në pozita udhëheqëse?

Përfaqësimi i grave në politikën shqiptare ka njohur përmirësime, por shpesh është rezultat i mekanizmave artificialë si kuotat dhe jo i një konkurence të ndershme. Financimi është një faktor i rëndësishëm për suksesin politik, pasi ndikon drejtpërdrejt në aftësinë për të ndërtuar një platformë të fuqishme dhe për të komunikuar me votuesit.

Nëse burimet financiare ndahen në mënyrë të barabartë, atëherë gratë me potencial mund të arrijnë pozita udhëheqëse përmes meritës dhe jo për shkak të detyrimeve ligjore.

Sa e rëndësishme është mbështetja financiare për një fushatë elektorale të suksesshme dhe si ndikon ky faktor te gratë në politikë?

Fushatat elektorale kërkojnë burime të konsiderueshme financiare për të mbuluar reklamat, organizimin e eventeve dhe ndërtimin apo rritjen e një imazhi publik. Për gratë, kjo sfidë është edhe më e theksuar, pasi ato shpesh nuk kanë të njëjtin akses në financime si kolegët e tyre burra. Kjo nuk është vetëm çështje fondesh, por edhe e një rrjeti mbështetës që i ndihmon kandidatët të krijojnë aleanca dhe të sigurojnë përkrahje nga donatorët. Mënyra më e mirë për ta balancuar këtë është të sigurohet një konkurrencë e drejtë dhe e hapur, ku financimi nuk shpërndahet në bazë të emrit apo përkatësisë gjinore, por mbi potencialin real politik.

A mendoni se partive politike në Shqipëri iu mungon vëmendja dhe mbështetja për të siguruar burime financiare për gratë në politikë, krahasuar me burrat?

Partitë politike shpesh favorizojnë kandidatët që kanë një histori të gjatë në skenën politike, dhe zakonisht këto figura janë burra. Për pasojë, gratë hasin vështirësi në sigurimin e fondeve të nevojshme për të zhvilluar fushata konkurruese. Kjo nuk është domosdoshmërisht një diskriminim i qëllimshëm, por një tendencë për të investuar tek individët me më shumë ndikim dhe rrjet social.

Prandaj për të krijuar një fushë loje të barabartë, mbështetja financiare duhet të bazohet në vizionin politik dhe aftësinë për të udhëhequr, jo në gjininë e kandidatit.

Cilët janë barrierat kryesore që ju keni hasur për shkak të kufizimeve financiare dhe si i keni kaluar ato?

Një nga sfidat më të mëdha ka qenë qasja e kufizuar në mbështetje financiare nga bizneset apo donatorët, të cilët shpesh preferojnë të investojnë në politikanë që tashmë janë të vendosur në skenën publike. Për të tejkaluar këtë, kam punuar për të ndërtuar një bazë të fortë mbështetësish nga komuniteti, duke u fokusuar në platforma të qëndrueshme politike dhe duke përdorur mjete moderne komunikimi si rrjetet sociale, të cilat janë më efektive dhe më pak të kushtueshme për promovim.

Si e shihni përfaqësimin e grave në politikë në media dhe si ndikon financimi i partive politike në këtë aspekt?

Mediat kanë një ndikim të madh në perceptimin publik të grave në politikë, por shpesh përqendrohen më shumë tek aspektet personale sesa tek idetë dhe mendësia. Kjo është e lidhur edhe me mënyrën se si partitë investojnë burimet e tyre financiare për të promovuar kandidatët. Përgjithësisht, ata që marrin më shumë financim sigurojnë edhe mbulim më të madh mediatik, dhe për fat të keq, kjo shpesh favorizon politikanët me një histori të gjatë në parti. Për ta ndryshuar këtë, nevojitet një qasje më e drejtë, ku investimet të bëhen bazuar në aftësitë dhe vizionin e secilit kandidat, burrë apo grua qoftë.

Lexo edhe :  Vijon cirku politik mes njëri-tjetrin, Rama-Bashës: Luli ishte kukulla e bufit të kënetës

Si mendoni se ndikojnë stereotipet gjinore në politikë dhe çfarë mund të bëhet për t’i ndryshuar ato dhe për të inkurajuar më shumë gra të angazhohen në pozita udhëheqëse?

Stereotipet gjinore vazhdojnë të jenë një pengesë e madhe për gratë që duan të hyjnë në politikë. Shpesh, ato paragjykohen si më pak të përshtatshme për role udhëheqëse dhe përballen me pritshmëri të ndryshme nga ato të kolegëve të tyre burra. Gjykohen për veshjen, për moralin, për pamjen etj. Prandaj për të thyer këto barriera, është e rëndësishme të promovohen modele suksesi të bazuara në meritokraci dhe jo në kuota. Edukimi politik dhe krijimi i mundësive reale për të gjithë është mënyra më e mirë për të garantuar një përfaqësim cilësor të grave, ku roli i tyre nuk është i përcaktuar nga gjinia, por nga aftësia dhe përkushtimi. Nëse ia dalim të kemi një sistem të drejtë, atëherë s’ka se si të mos kemi më shumë gra në politikë apo funksione drejtuese. Nëse ka meritokraci dhe ka gra që vërtetojnë se janë më të afta për rolin e tyre, atëherë në lista mund të kemi 51% gra prej meritës dhe jo prej kuotave.

Ndihma financiare dhe hendeku gjinor në politikë

Problematikat e ngritura në intervistën e realizuar me Ori Nebiaj, reflektohen edhe në studimin “Gjinia, Paratë dhe Politika”, të realizuar nga Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” dhe mbështetur nga NDI, përmes FCDO.

Studimi paraqet një hendek të vazhdueshëm gjinor në pjesëmarrjen politike, veçanërisht në lidhje me qasjen financiare dhe mbështetje nga partitë. Një nga gjetjet kryesore është se kandidatet femra të intervistuara kishin shumë më pak vite anëtarësie në parti krahasuar me burrat—7.61 vjet (DS = 7.27) për gratë, krahasuar me 13.08 vjet (DS = 9.65) për burrat. Ky dallim ndikon jo vetëm në eksperiencën e tyre në politikë, por gjithashtu kufizon mundësinë e ndërtimit të rrjeteve të forta dhe sigurimin e mbështetjes financiare.

Për më tepër, studimi tregon se kandidatet në shumicën e rasteve financojnë vetë fushatat e tyre, ku 68.24% e financimit vjen nga burime personale dhe rrjetet e tyre (përfshirë familjen, miqtë dhe lidhjet e biznesit), ndërsa partitë politike kontribuojnë vetëm me 26.34%. Ky financim vetjak ose mbledhja e fondeve në mënyrë të pavarur krijon një terren të pabarabartë, duke e bërë edhe më të vështirë për gratë të konkurojnë njësoj me burrat. Duke pasur parasysh se financimi publik është një komponent thelbësor i fushatave zgjedhore, lind një pyetje e rëndësishme: A funksionon vërtet financimi publik si një mekanizëm për të siguruar drejtësi dhe barazi në sistemin zgjedhor? Nëse dallimet financiare nuk adresohen aktivisht, mund të jetë e nevojshme të rishikohet dhe ripërcaktohet mënyra se si duhet të alokohen fondet publike për të reduktuar këto diferenca në mënyrë efektive.

Kjo sfidë nuk është unike për Shqipërinë; shtete si Mali i Zi tashmë kanë ndërmarrë hapa duke alokuar drejtpërdrejt fonde publike për forumet politike të grave si një mënyrë për të kundërshtuar këto pasiguri. Në këtë kontekst, Rrjeti i Grave për Barazi në Vendimmarrje ka lobuar aktivisht te partitë politike, duke paraqitur gjithashtu një nismë ligjore për të alokuar 10% të buxhetit publik vjetor drejtpërdrejt në forumet e grave. Kjo nismë, e mbështetur nga NDI përmes FCDO, përfaqëson një punë në progres, duke synuar jo vetëm demokratizimin e financimit të fushatave, por gjithashtu duke siguruar që paratë publike të shpërndahen në një mënyrë që promovon drejtësinë dhe pjesëmarrjen e barabartë në politikë./K.K

 

Të fundit

Ndikimi i ndryshimit të orës dhe këshilla për t’u përshtatur

Sot shënohet e diela e fundit e muajit mars, që do të thotë se ora është shtyrë një orë...

Nuk është Carlo Ancelotti, Brazili gjen trajnerin e ri

Jorge Jesus do të drejtojë Al Hilal edhe në Botërorin e Klubeve dhe më pas pritet të zyrtarizohet në krye të kombëtares braziliane, ku synimi...

Publikohet letra që zbulon arsyen e vërtetë të ndarjes së Tupac nga Madona

Tupac Shakur ka vdekur për gati 30 vjet, por ai ende po bën që të flasin për të, ndërsa fansat mendojnë për marrëdhënien e...

Katër shenjat e horoskopit që nuk e durojnë vetminë dhe katër që e shijojnë

Vetmia mund të jetë ose frika më e madhe ose kënaqësia më e madhe, kjo varet nga karakteri i çdo personi. Dhe nëse besoni...

Ukraina e akuzon Rusinë për “krim lufte” pas sulmit në spital ushtarak

Kievi e ka akuzuar Moskën të dielën se ka kryer “krim lufte” pasi dronët rusë goditën një spital ushtarak në Harkiv, qytetin e dytë...

Lajme të tjera

Web TV