Balla deklaroi se në takimin e nesërm në Kretë, do të bëhen bashkë të gjitha shqiptarët pa dallim partiak. Ai gjithashtu bëri të ditur se me Milanon pritet të përmbyllet edhe turi i diasporës.
Drejtuesi politik për diasporën, Taulant Balla deklaroi se në takimin e së shtunës në Kretë do të marrin pjesë emigrantët shqiptarë pa asnjë dallim, të majtë e të djathtë. Në një lidhje live nga ishulli grek për “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, ai tha vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm që kanë shqiptarët në këtë zonë ndërsa përmendi edhe faktin se në disa qytete në Kretë mbahen edhe klasa në gjuhën shqipe.
“E vërteta është që kam konstatuar me krenari në takimet me drejtuesit më të lartë të pushtetit vendor dhe jo vetëm këtu se shqiptarët kanë kontribut të madh në ekonominë këtu. Dua të nxjerr një element shumë thelbësor që ka të bëjë me faktin se prej vitesh në ishullin e Kretës, edhe në qytete të tjera, funksionojnë më së miri edhe klasat e gjuhës shqipe. E kemi përzgjedhur takimin këtu me bashkëatdhetarët nisur nga suksesi i tyre këtu, për t’i falenderuar dhe bërë bashkë. Lajmi i bukur nga Kreta nesër është se do të jenë gjithë shqiptarët pa asnjë dallim, të majtë apo të djathtë. Zgjedhjet e 11 majit nuk janë thjesht zgjedhjet e radhës, por mandati i të cilave do t’i japë Shqipërisë anëtarësimin në BE dhe pasaportën e një qytetari të BE. Kjo është arsye pse jemi bërë të gjithë bashkë.”, u shpreh Balla.
Balla e cilësoi votën e diasporës si një fitore të madhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë dhe një borxh të kthyer nga ana e shtetit për të gjithë ndihmën e tyre ndër vite./k.k