Nga Ilnisa Agolli
Në një botë ku njerëzit e jetojnë njësoj këtë mars si çdo muaj tjetër, më vjen të them se nuk po marr vesh më asgjë. Kjo se në të gjashta ditët e kësaj jave arrita të kuptoj që vetëm feja e paska një sens. Feja dhe politika. Mbaj mend një herë Tor Pustinën kur më tha në ditën e shtatë të javës: “Si rrallë herë çudia ndodh edhe nëse nuk ka ndodhur ende”. Ishte viti 2003, periudhë zgjedhjesh më duket. Ka kaluar mjaftueshëm kohë prej atëhere dhe jemi përsëri në një tjetër fushate elektorale. E çuditshme më duket që pas çdo kombinimi faktorësh a bindjesh që kanë shkuar e shkojnë…unë gjej ende kohë për arratisje romantike si kjo që nuk është hiç më shumë se një pikëpyetje e zakonshme. Njëjtë si “Politika dhe Feja”, një përgjigje jo më pak e zakonshme. Të paktën në Shqipëri!
E gjithë kjo sorrollatje prej Hamleti më erdhi pas një Iftari ku asnjë nga besimtarët apo të pranishmit e tjerë nuk e vunë re se ishte hera e parë për mua dhe nuk i përkas këtij riti. Kjo mbase s’e nuk agjëroj.
Pas pjatës së parë ku asnjëri nga të panjohurit në tryezën e rrumbullakët nuk fliste, preferova të kujtoja në heshtje Nolin.“ Fjalët e para të fesë mbahen siç mësohen”, thotë ai. Tani që e mendoj, do të doja shumë të prisja pjatën e dytë me të dhe Eli Vizel një shkrimtar hebreo-amerikan i cili i mbijetoi Holokaustit. Mbase kjo do të më shtonte ca oreksin dhe natyrisht optimizmin.
Më erdhi në mendje pyetja me shumë pasion qe shtron ai lidhur me situatën e ngjashme që ndodhesha në këtë muaj të bekuar të Ramazanit ku shqiptarët luten ethshëm dhe shpresojnë tek Allahu t’u pranohet përulja e sakrificës, gjë kjo që kombi hebre e quante “Dita e Pendesës” dhe kjo kalohej me një agjërim vetëm 25-së orësh dhe lutje rrjedhimisht. Vizel pyet:
“A duhet të agjërojmë apo jo? Agjërimi do të na shkaktonte patjetër një vdekje shumë më të shpejtë dhe të sigurt. Pse duhet t’i provojmë Zotit se edhe këtu, të mbyllur në Ferr, jemi në gjendje t’i thurrim lavde Atij dhe vetëm Atij”?
Më pëlqen ky shkrimtar. Ose më pëlqen fakti që është edhe burrë edhe shkrimtar. Ose mbase se unë kam njohur vetëm shkrimtar dhe asnjë burrë që të jetë edhe shkrimtar.
Gjithsesi, pas Iftari-t u nisa të takoja Robin dhe mendjen e kisha tek Zoti. I vetmi shkrimtar sakaq shpëtimtar i kohës. Të paktën ky i parafundit mund të takohet më lehtë, thashë me vete dhe mund të ma këpuste fillin e vramendjeve të mija duke më rrëfyer ato budalliqet e tij me planet e fushatës. Ai është rrobaqepës dhe këtë kohë që nuk po e marr vesh më, e ndaj me të siç ai bën me ato statuset nëpër rrjete sociale çdo ditë, e, totalisht të parashikueshme nga njësia e vetë apo dega sic e quajnë aktorët politik.
Do shkojmë të pimë në Montmartre, foli ai përballë errësirës së syve te mij të sinqertë. Sapo të fitoj Partia, sapo te fitoj Partia!, brohoriti dy herë duke përplasur duart.
Nëse gjërat do i kisha qepur ndryshe, i thashë, mbase as kostumin tënd nuk do ta porosisja para kohe për ceremonine e mortit tim dhe akoma më keq ta vishja sot ndërsa jam ende gjallë dhe vij nga një Iftar. Një e gjalle e pavarrosur që i proteston Zotit, një e gjallë që nuk agjëron dhe mendoj se s’ka pse as voton. E di çfarë Robin, kisha menduar gjithmonë se ka kohë për të grisur dhe qepur, por po kuptoj se nuk paska më kohë as për të vdekur.
Pija, pendimi dhe vdekja, foli duke shfryrë hundët rrobaqepësi nën një shami të shpëlarë dhe krejt të zakonshme, i lidh veç fati keq i të besuarit si prej nga një univers paralel. Por pak a shume dhe atje mundet të ketë një Zot dhe ai doemos që i ka ndarë partitë e veta siç ka bërë edhe këtu.
Robin, ti nuk ke gusto, ia ktheva por verën e zgjedh të mirë, gjumin e bën top, je entuziast dhe i vetmi njeri që njoh i cili shqetësohet kot. Pra mjaftueshëm për t’u pasur zili nga këto veti që le të themi, nuk i kam.
Tjetri nuk foli. Futi dorën në xhepin e majtë dhe befas u çua nga tavolina.
Ia ngula sytë sic do bëja me një vepër arti në allçi qe goditet befas nga një liceist që vë padashje në lëvizje një klasë të tërë. Nejse.
Të pëlqen kostumi im, pyeti pa ardhur ende mirë në tavolinë.
Ti Robin harron se kostumet e tua nuk janë si vitet që i kemi të numëruara, as si ato fletushkat në kutinë e votimit që pret t’i numerosh; ndërsa harron se vetëm vendi mund të rrojë me shekuj, bashkë me partitë dhe besimtaret. Vendi, politika dhe feja.
E kupton?
Jo, tha. Natyrisht,i thashë sepse nuk agjëron, por voton. Ke menduar ndonjëherë të bësh të kundërtën?
Jo, ma ktheu prapë. E di pse nuk mendon ti Robin? Sepse dhe kur e bën, në fakt nuk e bën. Por ti beson se e bën dhe kjo ka rëndësi. Megjithëse jam e bindur se më shumë se në Zot, ti beson në kohë. Në atë që Partia jote e shqep dhe ti e qep çdo katër vjet. Punë të vështirë ke.
Trajtoje në podcast, ma ktheu dhe quaje “Dopjo gjashta e një proçesi”.
Gjithsesi unë do i bëja të dyja nëse do të mundesha, foli nën zë. E di pse? Sepse dikur lutesha dhe pendohesha. Tani që nuk pendohem, lutem më pak dhe vezhgoj më shume. Është pak a shumë e njëjta gjë me lojërat e fjalës që bën ti me dhe pa emision. Rrobaqepes jam, fundja.
Po, po, Robin. Ke të drejtë je një farë qepësi. Veçanërisht kur ulesh në atë makinë dhe pret të përfundosh kostumin e rradhës.
E ngjashme si skenë me porosinë e Hamletit që i dha shërbëtorit të tij, kur e nisi si korier. E pyeti ky i fundit:
“Duhet t’ja them te gjitha fjalë për fjalë”? “Thuaja si të duash” i tha Hamleti, “por mos harro thelbin”.
E lexova mbrëmë këtë në një shkrim të hershëm të një publicisti që sot është kryeministër me penën mënjanë dhe një thes porosish në shpinë, ndërsa unë mbi supe vetëm këtë çështje :
Të agjërojmë apo të votojmë?/ S,M