Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka bërë një deklaratë të fortë, duke parashikuar një ndryshim të madh në Shqipëri. Sipas tij, korrupsioni i lartë shtetëror tashmë është provuar për kryeministra, ministra, kryetarë bashkie dhe biznesmenë që kanë grabitur pronat shtetërore dhe do të ndëshkohet nga SPAK, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ngjela vuri theksin tek koncepti i “dobishmërisë” në ligj dhe drejtësi, duke sjellë në vëmendje mendimin e filozofit të madh anglez John Stuart Mill.
“Qëkurse filozofi i madh anglez J. S. Mill e përcaktoi qartë se ligji dhe drejtësia duhet të ecin brenda konceptit të dobishmërisë, qytetërimi britanik hyri në një etapë të re; dhe këtë ai ia transmetoi të gjithë Evropës Perëndimore”, shkruan Ngjela. Ai ngre pyetjen thelbësore për realitetin shqiptar: “Pyetja që na del përpara ne shqiptarëve sot, është pikërisht kjo: Sa e kemi ne aktualisht dobishmërinë si koncept moral, te ligjet dhe te drejtësia në Shqipëri?”.
Avokati e shpjegon konceptin e dobishmërisë duke iu referuar Enciklopedisë Britanike: “Një princip moral me anë të të cilit një veprim është i drejtë, nëse ai tenton për të maksimalizuar lumturinë, jo vetëm për atë që ka kryer këtë veprim, por gjithashtu edhe për cilindo që do të ketë lidhje me këtë veprim.” Ngjela shton se termi “dobishmëri” në gjuhën shqipe është edhe më përfshirës dhe i plotësuar për këtë koncept. Megjithatë, sipas tij, ky parim i rëndësishëm ka munguar në shtetin dhe drejtësinë shqiptare.
“Prandaj, na duhet ta theksojmë se dobishmëria po na mungon ne shqiptarëve sot, në lidhje me ligjin dhe shtetin që kemi organizuar në Shqipëri. Sepse duhet ta kemi parasysh që dobishmëria e ligjit dhe drejtësisë në një shtet, vendos dhe krijon edhe dobishmërinë e vetë shtetit, në funksion të mirëqenies shoqërore dhe të drejtave të njeriut”, shprehet Ngjela.
Korrupsioni
Avokati akuzon të gjitha qeveritë që kanë drejtuar Shqipërinë gjatë tre dekadave të fundit për mungesën e filozofisë utilitariste dhe për përhapjen e korrupsionit në nivelet më të larta të shtetit.
“Deri tani, qeveritë që kanë kaluar në Shqipëri nuk kanë qenë aspak utilitariste, prandaj shqiptarët ende nuk e kanë provuar dot realisht as dobishmërinë e ligjit dhe as dobishmërinë e drejtësisë. Dhe kjo gjendje sigurisht që shoqërinë shqiptare po e mban ende jashtë humanizmit që, në fakt, duhet të jetë filozofia e domosdoshme e çdo shoqërie të qytetëruar”, shkruan Ngjela.
Ai thekson se për 30 vite me radhë, ligji është zbatuar jo në dobi të shoqërisë, por për të mbrojtur korrupsionin e lartë shtetëror. “Në Shqipëri në 30 vite rresht ligji është zbatuar jashtë dobishmërisë shoqërore, sepse ai nuk është aplikuar për drejtësinë, por vetëm për korrupsionin e lartë shtetëror.
Kjo na e provon qartë pse gjendja jonë shoqërore nuk e ka arritur dot mirëqenien – sepse është korrupsioni, ose fitimi individual i pushtetarëve, fenomeni që e ka bllokuar zhvillimin kombëtar”, shprehet avokati ndër të tjera. Avokati shton se paratë që duhet të ishin investuar për mirëqenien e shqiptarëve janë përvetësuar nga qeveritarët dhe zyrtarët e lartë. “Dhe, prandaj, nëse ju do të pyesni se ku është depozituar ose ku është derdhur në 30 vite rresht mirëqenia e shqiptarëve?
Përgjigja është vetëm një: Ajo është e depozituar si shpërndarje investimesh dhe depozitash bankare, vetëm në dobi materiale të qeveritarëve apo qeverive të korruptuara, të cilat, edhe pse kanë ardhur në pushtet për të garantuar mirëqenien e shqiptarëve, ato kanë pasuruar kryeministrat, ministrat, kryetarët e bashkive dhe administratorët e pronës shtetërore që duhej të shkonte në privatizimin e ekonomisë shqiptare”, shkruan Ngjela. Sipas tij, tani korrupsioni i lartë shtetëror është provuar dhe kjo çështje nuk mund të anashkalohet më.
SPAK do të sjellë drejtësi
Në përfundim të analizës së tij, Spartak Ngjela thekson se e vetmja mënyrë për të zgjidhur këtë regres ekonomik është ndërhyrja e SPAK dhe drejtësisë së re, e mbështetur nga SHBA.
“Prandaj pyetja mbetet që të jetë kjo: Po tani që çështja e korrupsionit të lartë shtetëror është e provuar, si do të zgjidhet në Shqipëri ky regres ekonomik që në disa dekada rresht ka dhunuar rëndë shoqërinë shqiptare? Kjo duhet të zgjidhet vetëm nga SPAK”, shkruan ai. Ngjela shprehet i bindur se reforma në drejtësi do të çojë deri në fund ndëshkimin e korrupsionit të lartë.
“Dhe kjo është arsyeja që unë e përsëris vijimisht pyetjen time publikisht: A do ta shpëtojë SPAK – u shoqërinë shqiptare nga regresi dekadent i korrupsionit të lartë shtetëror? Unë kam folur me siguri se: Po! SPAK do ta shpëtojë shoqërinë shqiptare nga korrupsioni kriminal që e ka pushtuar, sepse SPAK është krijuar nga ekspertiza dhe financimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe, pikërisht për këtë, kjo çështje do të shkojë me drejtësi morale deri në fund”, shkruan avokati.
Ngjela i bën thirrje shqiptarëve të ndjekin me vëmendje këtë proces. “Prisni, dhe shikoheni me vëmendje këtë histori të re që po i vjen shoqërisë shqiptare, dhe vetë Shqipërisë”, shprehet Ngjela./ S.M