Pas muajsh debatesh dhe kundërshtimesh nga opozita në Shqipëri dhe Itali, Komisioni Evropian ka konfirmuar se qendrat për emigrantët në Gjadër është në përputhje me ligjin e BE-së. Zëdhënësi për Punë të Brendshme dhe Migracion, Markus Lammert theksoi se legjislacioni italian do të zbatohet në këto qendra dhe se kjo është në përputhje me normat evropiane.
Dekreti i miratuar nga qeveria italiane lejon që emigrantët e ndaluar në Itali, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, të transferohen në Shqipëri dhe të qëndrojnë deri në 18 muaj në pritje të riatdhesimit. Megjithatë, dëbimi përfundimtar do të ndodhë nga Italia, duke nënkuptuar rikthimin e tyre në territorin italian për fazën përfundimtare të largimit. Vendimi i Komisionit Evropian i jep një fitore politike Giorgia Melonit dhe Edi Ramës, duke i bërë të pavlefshme kundërshtimet e opozitës në të dyja vendet. Në një deklaratë zyrtare, Komisioni Evropian konfirmoi se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë është në përputhje me ligjin evropian dhe se Brukseli do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e saj. Ky qëndrim u interpretua si një fitore e rëndësishme për kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, të cilët janë përballur me kundërshti të ashpra nga kundërshtarët politikë në të dyja vendet. “Komisioni Evropian është në dijeni të zhvillimeve të fundit sa i takon dekretit për qendrat në Shqipëri dhe jemi në kontakt me autoritetet italiane,” deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Brendshme dhe Migracion, Markus Lammert, gjatë një konference për shtyp në Bruksel. Ai theksoi se, ashtu siç ka ndodhur deri tani, në këto qendra do të zbatohet legjislacioni kombëtar italian për çështjet e azilit. Ndërkohë, Komisioni ka bërë të ditur se do të vijojë të monitorojë nga afër zbatimin e protokollit dhe përputhshmërinë e tij me rregullat evropiane dhe të drejtat themelore. “Në parim, kjo është në përputhje me ligjin evropian. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë zbatimin e protokollit në versionin e tij të ri,” shtoi Lammert, duke qartësuar se Komisioni nuk sheh ndonjë shkelje të rregullave të BE-së.
Përplasjet
Dekreti i ri i miratuar nga qeveria italiane i jep fuqi të re këtij projekti, duke lejuar që emigrantët e ndaluar në Itali, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, të transferohen në qendrat e pritjes në Shqipëri dhe të qëndrojnë deri në 18 muaj në pritje të riatdhesimit në vendet e tyre të origjinës. Pavarësisht kësaj, ligji parashikon që dëbimi përfundimtar të ndodhë nga territori italian, çka nënkupton se pas qëndrimit në Shqipëri, emigrantët do të kthehen përsëri në Itali për të vijuar procedurat e largimit nga Europa. Ky zhvillim ka shkaktuar reagime të forta në Itali, ku një pjesë e opozitës e ka cilësuar këtë marrëveshje si një shpenzim të panevojshëm dhe të paefektshëm. Kritikët theksojnë se ky model mund të çojë në rritje të kostove të administrimit, pasi çdo emigrant i ndaluar do të duhet të shoqërohet nga dy oficerë policie gjatë transferimeve midis dy vendeve. Megjithatë, qeveria italiane insiston se ky është një hap i domosdoshëm për të përshpejtuar procesin e riatdhesimit dhe për të lehtësuar ngarkesën e qendrave të mbipopulluara të emigrantëve në Itali. Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, deklaroi se qendrat në Shqipëri do të vazhdojnë të funksionojnë sipas destinacionit të tyre fillestar, por me një fleksibilitet më të madh në menaxhimin e emigrantëve të paligjshëm. Ai sqaroi se Italia është në pritje të një vendimi nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, që pritet të konfirmojë ligjshmërinë e plotë të këtij modeli të menaxhimit të emigracionit. Nga ana tjetër, opozita shqiptare ka kundërshtuar ashpër marrëveshjen, duke e cilësuar atë si një model të papërshtatshëm për Shqipërinë dhe duke pretenduar se nuk ka transparencë mbi ndikimin që do të ketë ky projekt në vend. Megjithatë, me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe vendosmërinë e qeverive të dy vendeve për ta zbatuar këtë marrëveshje, duket se opozita ka humbur një betejë të rëndësishme në këtë çështje. Komisioni Evropian ka lënë të hapur mundësinë për të eksploruar modele të reja për menaxhimin e emigracionit, duke theksuar se çdo zgjidhje duhet të respektojë ligjet e BE-së dhe të drejtat themelore të njeriut. Për momentin, Brukseli nuk ka vënë asnjë pengesë për vazhdimin e projektit në Shqipëri, duke i dhënë dritën jeshile këtij bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë.
“Sofra e qytetërimit demokratik”, Rama publikon karikaturën: Bashkoje votën me PS
Kryeministri Edi Rama, duke vënë theksin në procesin e integrimit në këtë fushatë elektorale publikoi në rrjetin social “Facebook”, një karikaturë me simbole nga shtetet e Bashkimit Europian, duke shtuar dhe Skënderbeun e shqiptarëve. Rama kërkon votën, me premtimin për ta vendosur vendin tonë në tryezën e familjes europiane. “Bashkoje votën tënde me mua e me PS, për Shqipërinë që meriton vendin e saj si e barabartë mes të barabartësh, në sofrën e madhe të qytetërimit demokratik”, shkruan kryesocialisti. Ndërkohë, Rama publikoi këtë mëngjes një fotogaleri nga takimi i një dite më parë me shqiptarët e Athinës. “Mirëmëngjes dhe me emocionin e një të diele kuqezi në Athinë, ju uroj një javë sa më të mbarë. Nëse tërë këto vite ma kanë mprehur sa duhet ndjeshmërinë e sallave, nga Greqia do të na vijë një buqetë shumë e bukur duarsh që thonë 5 më 11 maj. Faleminderit nga zemra shqiptarëve të Athinës”, shkruan ai.