Nga ARTUR AJAZI
Me Fatmir Mediun në krah, nuk mund të fitosh zgjedhjet. Me Flamur Nokën në krah, nuk mund të fitosh zgjedhjet. Edhe me Jozefina Topallin në krah, nuk mund të fitosh zgjedhjet. Apo dhe me shumë mëkatarë të ish-pushtetit të dikurshëm, që i nxinë jetën shqiptarëve, nuk mund të vish në pushtet.
Madje do të thosha se, në 11 Maj, Partia Demokratike (aq sa ka mbetur nga ajo parti) nuk do të marrë më tepër se 27 deputetë. Shqiptarët nuk mund të votojnë gjynahqarët, mëkatarët, ata që kanë abuzuar tmerrisht me pushtetin, ata që kanë blerë apartamente dhe vila në SHBA dhe Europë, ata që u siguruan miliona euro familjarëve nga paratë tona.
Shqiptarët nuk ju votojnë më ju, që keni hesape të pambyllura me organet e drejtësisë, por edhe sikur të mos kishit fare hesape me SPAK-un, nuk ju votojnë. Dhe e dini përse ? Sepse gjithmonë që dilni në ekrane, u kujtoni strapacimet, vuajtjet, krimet shtetërore, vjedhjet, rrumpallën e shtetit që përdhosët, dhe ligjet që i shkelnit kur prekeshin interesat tuaja. Kurrë mos mbani shpresa për “rrotacion” o “demokratikas”, se me ringjalljen politike të ish-liderit historik, do të vini ndonjëherë në pushtet.
Si mund të vijë në pushtet, një parti gërdecarësh, një parti milionerësh, një parti e tulatur mercenarësh, që është gati të marrë jo LA Civitën, por edhe Putinin, vetëm të fitojë edhe njëherë zgjedhjet. Nuk ka xhami apo kishë, nuk ka hoxhë apo prift, ti lajë mëkatet e kësaj opozite, dhe të atyre politikanëve, që sot medemek na hiqen sikur janë “shpresa e shqiptarëve”.
Nuk mund të bëhet rrotacion politik me një parti të paorganizuar, të pastrukturuar, të pavotuar ndonjëherë nga shumica e shqiptarëve, dhe me një parti që nuk ka pikën e mbështetjes popullore dhe nderkombëtare. Ata duhet të jenë kokëulur ndaj shqiptarëve, pasi u janë borxhlinj atyre mbi gjithçka.
Tu kërkosh votën shqiptarëve, kur i ke vjedhur, i ke marrë pronën, i ke përzënë drejt rrugëve të Europës, të shtyrë nga fukarallëku dhe mungesa e sigurisë, dhe tu tregosh përralla me “rritje pagash, pensionesh dhe mirëqenie ekonomike”, kur nuk ke as program konkret, kjo është tallëse.
Do ta votoja opozitën, në rast se në Shqipëri nuk do të kishte ndryshuar asgjë, në rast se Shqipëria nuk do të kishte marrë zhvillimin e sotëm, në rast se Shqipëria nuk do të ishte bërë kryeqendra e turizmit në botë, apo dhe në rast se Shqipëria nuk do të kishte bërë asgjë lidhur me integrimin drejt BE.
Por kur shoh dhe prek ndryshimin e madh, nuk kam përse të votoj një parti boleshvike, që akoma dhe sot nuk ka shlyer moralisht para shqiptarëve mëkatet dhe krimet e saj.
Në politikë shansi të vjen vetëm njëherë, dhe ai mund të përsëritet kur ti tregon koherencë ndaj situatave me të cilat përballesh. Në pushtet nuk mund të shkosh me mendësi të mykur dhe me xhaketa të grisura. Koha e revolucioneve dhe e ideologjizmave bajate ka mbaruar.