Gjatë takimit të kryeministrit Edi Rama me të rinjtë e Kamzës, një zë nga rruga është dëgjuar gjatë fjalës së tij duke thirrur “Rama ik”. Kësaj thirrjeje kryesocialisti iu përgjigj duke e ironizuar dhe tha se ai është zë i mbytur i kënetës.
“Po, po do iki, mos ki merak. Tha “Rama ik”. Se duhet në këto raste gjithmonë, na duhet ndonjë hudhër, edhe sikur mos të na vijë, do të duhet ta sajojmë. Shumë faleminderit për solidaritetin, por për mua, unë do shqetësohesha sikur mos të dilte ai zëri i mbytur në kënetë. Unë këtu me ju, ai atje tek pullë”, u shpreh Rama.
Ai ironizoi edhe kryedemokratin, Sali Berisha, për deklaratat gjatë qeverisjes së tij kur thoshte se, se “Shqipëria renditej e dyta në ekonomi pas Gjermanisë”.
“…se ishim të dytët ne pas Gjermaninë, kur ishte bufi i kënetës. Atëherë patjetër që ishim shumë më lart, tani nuk jemi të dytët pas Gjermanisë”, vijoi kreu socialist.
Në takimin me të rinjtë, Rama e krahasoi Kamzën si epokat që ka kaluar Shqipëria. “Nga një vend e zonë djerrë, e braktisur ku gjithkush mundohej të kaptë një copë tokë mes ferrash, në një park të lulëzuar, me pastërti, investime dhe zhvillim, e transformuar plotësisht”./E.S