Është zbardhur dëshmia e gruas së Roan Brahimit, e cila dyshohet se ishte shënjestra e atentatit mbrëmjen e së enjtes në Tiranë.
Ajo është shprehur para hetuesve të policisë se nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët që ekzekutuan vjehrrin e saj, Gjovalin Prendi në Lezhë apo në lidhje me plagosjen e katër personave në Lundër.
Burime për mediat bëjnë me dije se ajo ka deklaruar para hetuesve se nuk ka probleme me njerëz të tjerë, por nuk ka përjashtuar konfliktet që ka pasur bashkëshorti i saj me të tjerë.
Gruaja e Roan Brahimit, gjatë kohës së atentatit ka qenë në Tiranë dhe jo në Lezhë, çka dyshohet se atentatorët kanë pasur informacion për këtë. Mësohet se ajo nuk i ka marrëdhëniet e mira me familjarët e Roanit.
Si ndodhi ngjarja?
Në Tiranë, pa shkuar ora 22:00 e mbrëmjes, një automjet fuoristradë u qëllua me breshëri plumbash. Aty udhëtonin 2 të mitur, fëmijët e pronarit të shoqërisë për ruajtjen e sigurisë fizike “Pelikani Security”, Vesel Demiraj. Bashkë me ta ishte dhe miku i tyre 19-vjeçar dhe shoferi i familjes, gjithashtu punonjësi i sigurisë te Pelikani, Arenc Stafa 34 vjeç. Të katërt mbetën të plagosur. Shoqëruesi i familjes një person pa skedë kriminale tha shkurt për efektivët se nuk ka asnjë konflikt. Edhe drejtuesi i shoqërisë Pelikani nuk ngre dot gishtin ndaj askujt se përse mund të kenë qëlluar ndaj fëmijëve të tij apo shoqëruesit të familjes.
Por çfarë duket se i lidh 2 atentatet me njëra-tjetrën, nga njëra anë një histori krimesh, nga ana tjetër fëmijë në makinë me shoferin e familjes?
Hetuesit kanë dyshime të forta se atentatorët të mund të kenë ngatërruar shënjestër dhe se personi që kanë dashur të vrasin lidhet me familjen e Roan Brahimit. Gruaja e tij në Shqipëri, jeton në vilë pranë Lundrës, brenda së njëjtës rezidencë ku banon edhe familja Demiraj e shoqërisë Pelikani. Për rastësi të frikshme, edhe ajo ka një automjet fuoristradë të ngjashme me të familjes Demiraj – thonë burimet – e për më tepër edhe targat ndryshojnë vetëm me një gërmë.
Atentatorët mund të kenë lëshuar breshërinë e plumbave ndaj automjetit ku udhëtonin fëmijët Demiraj, shoku i tyre e shoferi, duke besuar se në të është bashkëshortja e ndoshta edhe 2 fëmijët e Roan Brahimit. Nëse hetuesit qëndrojnë në këtë pistë, qëllimi i atentatorëve qartazi mund të ketë qenë për të shuar brenda ditës të gjithë familjen e 32-vjeçarit të vrarë në Athinë: Babanë, gruan e fëmijët.
Roan Brahimi, emri i të cilit duket se lidh dy atentatet në Lezhë e në Tiranë, njihet si rival i Ervis Martinaj, bosit të zhdukur të lojërave të fatit. Me të konfliktet besohet se i ka pasur pikërisht prej basteve sportive. Në 17 korrik të 2022-shit Brahimi dyshohet se u hakmor duke i vrarë kushëririn Ervis Martinajt, Brilant Martinaj dhe 2 të tjerë. Për këtë ngjarje, Brahimi ishte shpallur në kërkim policor, dhe nuk ishte kapur derisa e vranë në Greqi në sy të partneres dhe fëmijës që kishte me të, një marrëdhënie paralele pasi në atdhe e priste gruaja shqiptare me 2 fëmijë.
Po ashtu Brahimi ishte shpallur në kërkim edhe për atentatin e 22 korrikut 2022, ku shpëtoi Ylli Brahimi, krahu i djathtë i Ervis Martinajt, por u vra Klisman Preçi në Milot. 2 vite më vonë në mars të 2024-ës, edhe pse në kërkim për dy atentate të mëparshme asnjëherë i arrestuar, Roan Brahimi u dyshua nga autoritetet se fshihej pas ekzekutimit të Gentjan Bejtjes në Larushke të Krujës. Për këtë krim u arrestua si bashkëpunëtor kunati i Roanit, Ilir Beqaraj, vëllai i bashkëshortes, për të cilën hetuesit dyshojnë deri më tani se mund të ketë qenë objektiv i atentatit në Tiranë./E.S