Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me gratë dhe vajzat në Kamëz tha se më 11 maj, shqiptarët kanë fatin në dorë për të vendosur për historinë e vendit, drejt Perëndimit. Rama akuzoi opozitën se kërkon vota për hallin e Sali Berishës, duke e cilësuar këtë të fundit si “bufin e kënetës”.
Rama gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që më 11 maj të votojnë për interesat e tyre dhe jo për të shkuar, sipas tij, bashkë me bufin dhe kënetën në gropë. Ai më tej theksoi se PD më 11 maj, do të marrë humbjen më të madhe që nga ’97.
“Në 11 maj është koha e duhur dhe vendi i duhur dhe ka vetëm një forcë që bashkon votat, jo për mua as për qeverinë dhe as për një shumicë aritmetike por për një gjë shumë më të madhe, për të bërë një shumicë që të garantojë që nuk merren dot peng negociatat as nga një buf, zhapik apo insekt. Për tu dhënë një mesazh vendeve të BE që po ndjekin zgjedhjet dhe fushatën tonë, janë 90 për qind e shqiptarëve që duan të futen në BE.
Atyre që rrijnë te këneta, cfarë kërkoni atje. Si mund të rrini atje, duke ndenjur atje i ktheni kurrizin historisë që do shkruhet në 11 maj, nuk krijoni kushtet që të rilindë partia juaj ndërkohë që ka shumë kohë që nuk është më alternativë e shqiptarëve. Është vetëm një mbetej që vijon në inerci, nëse nuk merr një ndëshkim nga ata që e mbështesin vetëm do humbin. Në 11 maj do të marrin humbjen më të madhe që nga ’97, do të dalin të shpartalluar, por ajo që meritojnë është që shpartallim t’ju vijë edhe nga demokratët,” tha Rama./E.S