Familja von der Ropp mbart një lloj të veçantë të mitologjisë. Si banorë gjermanë të shteteve baltike, kjo familje rridhte nga kalorësit teutonikë të shekullit XIII dhe shkëlqyen përkohësisht në gjysmën e parë të shekullit XX. Ndër anëtarët e saj ishin Edward von der Ropp, një kryepeshkop dhe “nacionalist reaksionar polak”; Dorothea von der Ropp, dashnorja e mbretit Zog të Shqipërisë e cila i dha fund jetës në një plazh në Athinë në vitin 1934; dhe Christoph von der Ropp, i cili dërgonte raportime për gazetën naziste Der Führer. Dekada më vonë, pasardhësi Robert S. de Ropp doli në skenë si profet shpirtëror: “si guru i acidit [drogës]” në romanin kult të Hunter S. Thompsoni, Frika dhe urrejtja në Las Vegas [Fear and Loathing in Las Vegas].
Në vitin 1908, Bill de Ropp e çoi pasurinë e familjes drejt Perëndimit, në Britani, duke hequr dorë nga titulli aristokratik “von” për ta ribërë veten si një zotëri anglez. Ai u bë gjithashtu, sipas argumentimit të autorit Tim Willasey-Wilsey në librin Spiuni dhe djalli [The Spy and the Devil], agjenti më efektiv sekret britanik i viteve ’30 të shekullit XX, i cili thuhet se ka zhvilluar “të paktën një duzinë takimesh” me Hitlerin – para luftës – për të siguruar informacion të duhur mbi planet naziste për pushtimin e Bashkimit Sovjetik.
Në kohën e duhur, de Ropp u fut në botën e çorganizuar të inteligjencës britanike. I rritur në Perandorinë Ruse, pas transferimit në Britani kaloi pjesën më të madhe të luftës mbi një tullumbace të madhe ajri mbi vijën e frontit, derisa një konjuktivit kronik e detyroi të zbriste poshtë. Që atëherë, u përfshi në gazetari dhe inxhinieri, por ishte hija e komunizmit në vitet ‘20 të shekullit XX që e shtyu atë drejt spiunazhit. Me interes të veçantë, Willasey-Wilsey zbulon rolin e de Roppit në falsifikimin e Letrës Zinoviev, një dokument që nxiti frikën për infiltrimin sovjetik në politikën britanike dhe që u bë sensacion nga Daily Mail përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1924.
Nën mbulesën e një gazetari, de Ropp u transferua në Berlin në vitin 1930, ku Alfred Rosenberg, një ideolog nazist dhe gjithashtu gjerman baltik, i ofroi spiunit britanik një rrugë për t’u futur në rrethin e ngushtë të Hitlerit. Aty ai mori një rol gjysmë-zyrtar, si interpretues i opinionit britanik dhe si lehtësues takimesh midis figurave të larta naziste dhe anëtarëve të elitës britanike. Manovrimet e tij të zgjuara e çuan në anën e fortë të Hitlerit.
Një historia duhet të ketë guxim për shkruar për shërbimet sekrete britanike. Arkivat janë të paplota, qasja është e kufizuar dhe gjurmët janë qëllimisht të mjegulluara. Willasey-Wilsey e pranon haptas këtë sfidë: nga qindra raporte që de Ropp ka gjasa të ketë dorëzuar mes viteve 1930-’39, “me gjasë nuk kanë mbijetuar më shumë se dy duzina”.
Megjithëse mungesa e burimeve është për t’u mirëkuptuar, përdorimi i shpeshtë i kushtores “do të kishte”, në librin Spiuni dhe djalli, mbështet skenat që nuk kanë ndodhur kurrë dhe motivet që nuk janë dokumentuar. Kjo prirje zbeh vijën më të fuqishme të Willasey-Wilseyt: në pjesët më të forta, libri nuk heton vetëm njeriun, por edhe sistemin përreth tij – se si qeveria në fund e la mënjanë informacionin e de Roppit; se si establishmenti britanik hezitoi të përballej me revanshizmin e Hitlerit. “Nuk ka asgjë më dëshpëruese”, shkruan autori, “se sa të prodhosh inteligjencë të mirë për ta parë atë të shpërfillur nga qeveria, sepse është e papërshtatshme dhe do të kërkonte ndryshime të rëndësishme dhe të rënduara në politikat e vendit”, Ish-diplomati britanik, Willasey-Wilsey, ka një analizë të mprehtë për këtë makineri burokratike.
Por, përdorimi i shpeshtë i emrit “Bill” mbetet një shpërqendrim ndaj asaj që thekson se sa pak dimë për de Roppin. Në libër nuk ka asnjë fotografi të tij, dhe këndvështrimi i tij ndaj botës paraqitet vetëm në copëza të shpërndara. Simpatia e dukshme e de Roppit për disa cilësi të nazizmit, po ashtu futet në tekst në mënyrë befasuese dhe pa shumë kontekst. Hitleri, i kishte shpjeguar ai dikur djalit të tij, “kishte një program që kishte kuptim: të mbante Evropën përballë masës së madhe gri të sllavëve … Ishte ëndrra origjinale e kalorësve teutonikë, paraardhësve tanë”. Djalli i titullit të librit, pra, nuk është vetë Hitleri, por fryma që e shmangu atë nga ky “program origjinal.” Përpjekjet e mëvonshme të de Roppit për të ndërmjetësuar paqen mes Britanisë dhe Gjermanisë, gjatë luftës, e bëjnë atë të jetë një figurë e paqartë. Thuhet se një spiun i mirë gënjen sa më pak që të jetë e mundur; ndërsa detyra e biografit është të peshojë mashtrimet dhe bindjet e tij.
Përmbysja e politikës evropiane në vitin 1939 e la një figurë si de Roppi – me shpresën e tij për një afrim britaniko-gjerman – një relike të së kaluarës. Ai e kaloi pjesën e mbetur të konfliktit në Zvicër, i njollosur nga dyshimet dhe i shtyrë nga shpresa boshe për paqe. Pas luftës dha mësim në gjermanisht në një kolegj të arsimit në Hereford, gjithmonë me kapelën homburg dhe pallton e tij të rëndë ngjyrë kafe. Vdiq në vitin 1973. Nuk pati funeral.
Por, ndjeshmëria e vërtetë e jetës së Bill de Roppit qëndron në ballafaqimin e tij me inercinë politike britanike në vitet ’30 të shekullit XX. Spekulimet e Willasey-Wilseyt mbi takimet dhe metodat janë një mënyrë për të përcjellë mësimet e politikës së paqësimit, por tragjedia e qartë e vetëmashtrimit britanik – edhe teksa paralajmërimet për ambiciet naziste shtoheshin – mbetet, dekada më vonë, më e fuqishme. /e.t/The Daily Telegraph