Problemet kardiovaskulare vazhdojnë të mbeten shkaku kryesor i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, përfshirë edhe popullatën shqiptare. Alarmi këtë herë vjen për moshat e reja, ku mjekët kardiologë po përballen gjithnjë e më shpesh me raste infarktesh edhe tek 30-vjeçarët.
Ndryshe nga dekadat më parë, ku sëmundjet e zemrës konsideroheshin të lidhura me moshën e thyer, sot stili i jetës modern – i karakterizuar nga ushqyerja e keqe, mungesa e aktivitetit fizik dhe konsumi i duhanit – po i ekspozon edhe të rinjtë ndaj rreziqeve serioze për shëndetin kardiak.
Kardiologia Mimoza Lezha thekson rëndësinë e kontrolleve të vazhdueshme, sidomos për të rinjtë dhe fëmijët që merren me aktivitete sportive. “Pjesëmarrja në sport është shumë e mirë për shëndetin, por duhet shoqëruar me kontrolle të rregullta të zemrës për të shmangur rreziqet e fshehura që mund të çojnë në pasoja fatale,” – shprehet ajo.
Vetëm në muajt e fundit, urgjencat kardiologjike kanë trajtuar raste të shumta të infarkteve në moshat e reja, disa prej të cilave, fatkeqësisht, kanë përfunduar edhe me humbje jete.
Mjekët apelojnë për ndërgjegjësim të shpejtë dhe marrje masash të menjëhershme: një regjim ushqimor i shëndetshëm, aktivitet fizik i rregullt dhe evitimi i faktorëve të rrezikut si duhani dhe alkooli mund të bëjnë diferencën në ruajtjen e një zemre të shëndetshme, pavarësisht moshës./E.S