Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për sjellje jonormale dhe jonjerëzore gjatë fushatës elektorale, duke theksuar se fjalët dhe veprimet e tij kanë ofenduar rëndë individët me spektrin e autizmit dhe kanë shfrytëzuar adoleshentët për interesat politike.
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj krahasimit që Kryeministri Edi Rama bëri mes votuesve të PD-së dhe personave me spektrin e autizmit. Ai e cilësoi këtë si aktin më të rëndë të fushatës dhe një ofendim të papranueshëm. Në një konferencë për mediat, Berisha e sulmoi Ramën duke e krahasuar atë me dy figura historike të njohura për tiraninë e tyre, Adolf Hitlerin dhe Enver Hoxhën. Ai shtoi se, për shkak të këtyre fjalëve, Rama nuk meriton të quhet prind dhe bashkëshort.“Është turp të quhet prind ky. Është turp të quhet bashkëshort ky. Është turp të quhet baba ky me këto fjalë që thotë për këta fëmijë që janë heronj. Ata janë heronj,” tha Berisha, duke e cilësuar këtë si një fyerje ndaj njerëzve të prekur nga autizmi dhe të gjithë ata që kontribuojnë për ta. Sulmi ndaj Ramës u intensifikua gjithashtu për komentet e Kryeministrit mbi adoleshentët e Kavajës, ku ai kishte sugjeruar që ata të kërkonin në internet për fotot e tij nudo. Berisha u shpreh i indinjuar, duke theksuar se një Kryeministër nuk mund të shfrytëzojë një situatë të tillë për fushatë dhe të shkelë çdo normë etike dhe morale. “Do të doja që çdo mësuese të pyeste veten, çfarë përbën kjo për nxënësit e saj, kur një kryeministër del me moton ‘nudo për vota’. Duke shfrytëzuar jashtë çdo lloj kodi etik dhe moral, detyrën e tij,” tha Berisha, duke shtuar se kjo është një sjellje që nuk mund të tolerohet.
Siguria ushqimore
Gjatë ditës, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me ekspertë të sigurisë ushqimore, ku theksoi se Shqipëria nuk plotëson asnjë standard të Bashkimit Evropian për sigurinë e produkteve ushqimore. Ai përmendi skandalin e tregtimit të produkteve me salmonelë, duke thënë se qytetarët u informuan vetëm pasi u sëmurë Kryeministri Edi Rama dhe u dorëhoq kreu i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. “Ky skandal i solli një njeri i qeverisë dhe afër qeverisë, ndaj dhe asnjë hetim, asnjë përgjegjësi. Dhe ky dha dorëheqjen sepse u sëmur Edi Rama, që tha se e kam nga breshkat. Por absolutisht nga pulat, është e sigurt,” shtoi Berisha. Lideri demokrat përmendi gjithashtu se, me ardhjen e PD në pushtet, sektori i sigurisë ushqimore do të kalonte në një transformim të plotë, pasi siç u shpreh ai, AKU është një institucion i paralizuar pa kompetenca reale për të mbrojtur qytetarët nga skandale të tilla.