Për të promovuar aktivitetin e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes studentëve dhe sektorit privat, Universiteti i Tiranës organizoi “Ditën e Hapur” dhe Panairin e Punës në ambientet e këtij fakulteti, ku mori pjesë edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Në këtë aktivitet, 41 kompani biznesi prezantuan mundësitë e tyre për punësimin e të rinjve, bashkëpunimin në projekte shkencore dhe mbështetjen përmes bursave për studentët. Studentët patën mundësinë të krijonin kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e bizneseve, duke hedhur hapat e parë drejt tregut të punës. Ndërkohë, vëmendja u përqendrua dhe te gjimnazistët maturantë, të cilët u njohën nga afër me programet akademike të ofruara nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë strategjike të përditësimit të ofertës akademike, forcimit të kërkimit shkencor dhe lidhjes më të ngushtë të universiteteve me tregun e punës:
“Sot në këtë panair të punës por edhe të nxitjes për aplikimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës marrin pjesë përveç maturantëve të shkollave të ndryshme edhe biznesi. Tashmë është bërë traditë e bukur për nxitjen e këtyre instrumenteve kaq të rëndësishme ku jo vetëm shkëmbehet informacion por edhe ndërtohen ura të rëndësishme të bashkëpunimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe të biznesit, si dhe me sistemin parauniversitar”, tha Manstirliu.
Duke vënë theksin te përshtatja e universiteteve me zhvillimet moderne dhe nevojat e tregut të punës, Manastirliu u shpreh:
“Për ne si Ministri e Arsimit dhe Sportit është një prioritet strategjik riorganizimi i programeve të studimit me qëllim përshtatjen me modelet e reja dhe mbi të gjitha me adaptimin me tregun e punës i cili evolon, zhvillohet dhe ka nevojë të furnizohet me burimet njerëzore të përshtatshme që i përgjigjen pikërisht sfidave të kohës”.
Ministrja nënvizoi gjithashtu investimet e vazhdueshme në kërkimin shkencor dhe në infrastrukturën laboratorike të fakultetit.
“Me hapjen e programeve të reja sikurse është kimia farmaceutike apo fizika dhe shkencat kompjuterike kemi pasur menjëherë kërkesa të rritura nga maturantët për t’u atashuar në këto degë, ndërkohë që ne vijojmë investimet për bazën laboratorike për t’i dhënë edhe më shumë mbështetje kërkimit shkencor”, shtoi ajo.
Ministrja Manastirliu u ndal dhe te hapat konkretë për forcimin e kapaciteteve kërkimore të universiteteve dhe lidhjen e tyre të drejtpërdrejtë me tregun dhe sektorin privat.
“Kemi trefishuar fondet e kërkimit shkencor. Për vitin 2025 përgatitemi që të lançojmë projektet e reja që tashmë kanë kaluar në fazën e vlerësimit nga të gjitha universitetet në bashkëpunim me biznesin. Janë mbi 20 projekte në bashkëpunim me biznesin dhe institucionet e arsimit të lartë të cilat janë gati për t’u miratuar. Në total janë 130 projekte të infrastrukturës së kërkimit shkencor, projekte të studimeve për kërkimin shkencor dhe të bashkëpunimit me biznesin”, theksoi ministrja.
Ministrja Manastirliu u ndal dhe te politikat e qëndrueshme për mbështetjen e studentëve, ku më shumë se 350 studentë përfitojnë aktualisht bursa në vlerën e pagës minimale, të financuara nga qeveria shqiptare, për të ndjekur programet prioritare si dhe studentët ekselentë. Në total, shtoi Ministrja janë rreth 50 mijë studentë të mbështetur nga qeveria përmes bursave për arritjet akademike, reduktime të tarifave ose tarifa zero për ndjekjen e studimeve. m.p.