Ministri grek i Mbrojtjes Kombëtare, Nikos Dendias, ka prezantuar në Akademinë Ushtarake të Evelpidonit një model të ri trajnimi për rezervistët, me fokus të veçantë në përdorimin e teknologjisë së dronëve. Kjo iniciativë është pjesë e planit më të gjerë të “Agjendës 2030” për riorganizimin e plotë të institucionit të rezervës në Greqi.
Sipas planit, Ministria synon të krijojë një forcë prej 150,000 rezervistësh aktivë brenda pesë viteve të ardhshme, të cilët do të jenë të trajnuar dhe të gatshëm për t’u përfshirë në detyra operacionale përkrah trupave të rregullta. Në vitin 2024, më pak se gjysma e rezervistëve të thirrur për stërvitje iu përgjigjën thirrjes, duke nxjerrë në pah nevojën për një reformë të thellë.
Reforma parashikon pjesëmarrje vullnetare në rezervën aktive, me përjashtime në raste të specialiteteve të veçanta. Çdo rezervist do të kryejë trajnime të përsëritura prej 3-6 ditësh çdo 3-5 vjet, me një total deri në 80 ditë për ushtarët dhe 150 ditë për oficerët deri në daljen nga sistemi. Trajnimet do të modernizohen, duke përfshirë taktika të reja luftarake dhe simulime teknologjike të avancuara, bazuar në praktikat e suksesshme të vendeve si Finlanda dhe Izraeli.
Për të mbështetur këtë program, do të krijohen dy Qendra të Ri-stërvitjes së Rezervistëve në pika strategjike të Greqisë. Ministria garanton se shërbimi si rezervist nuk do të dëmtojë angazhimet profesionale të qytetarëve dhe do të ofrohet kompensim financiar për ditët e humbura në punë.
Ky ndryshim vjen në një kohë të tensionuar gjeopolitikisht për rajonin, ndërsa Greqia synon të forcojë kapacitetet mbrojtëse përmes angazhimit të qytetarëve dhe modernizimit të forcave të saj rezerviste./e.t