Dështon për herë të tetë konstituimi i Kuvendit të Kosovës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Për të tetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për të gjashtë herë nuk mori mbështetjen për postin e kryeparlamentares.

Kësaj radhe, ajo mori 54 vota për, 44 kundër dhe 3 abstenuan. Në seancat paraprake, për të kishin votuar 57 deputetë – por kësaj radhe disa deputetë të LVV-së munguan.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe në shtatë seancat paraprake deputetët kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës – miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve – por, kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ.

 

 

Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar. Kandidatja e kësaj partie për postin e kryeparlamentares, Albulena Haxhiu, në vazhdimet paraprake të seancës konstituive nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme. Ajo ka marrë vetëm 57 vota për apo katër më pak sesa kërkohen që të zgjidhet në këtë post.

Para seancës, Faton Peci nga Partia Guxo – që në zgjedhje garoi në kuadër të listës së LVV-së – tha para nisjes së seancës të martën, se propozimi për kryeparlamentare mbetet i njëjtë edhe në vazhdim të seancës.

Rashit Qalaj nga Partia Demokratike e Kosovës tha se nuk ka ndryshuar qëndrimin për Albulena Haxhiun.

“Sa i përket PDK-së, Albulena Haxhiu nuk kalon”, tha ai, duke shtuar se i përket LVV-së që të ndërmarrë nismë që të gjendet një gjuhë e përbashkët që të ecet përpara.

Para nisjes së seancës, Armend Zemaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës po ashtu tha se në këtë seancë hyjnë me qëndrimin e njëjtë, pra nuk do të votojnë për kandidaten e LVV-së për kryeparlamentare.

Ai tha se LDK-ja nuk e ka mandatin për krijimin e institucioneve të reja dhe kjo detyrë bie mbi përgjegjësinë e LVV-së.

“Kemi një heshtje të [kryeministrit në detyrë, Albin] Kurti dhe si duket i konvenon kjo situatë”, tha Zemaj.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se si duket vazhdimi i së martës do të ketë fatin e njëjtë me shtatë seancat paraprake.

Lexo edhe :  Kosova dështoi në Konstituimin e Kuvendit, çfarë pritet nga Gjykata Kushtetuese?

“Nëse ndryshohet kandidati [për kryeparlamentar], sot do të votohet. Por, si duhet do të jemi në situatë të njëjtë”, tha ai për gazetarët para nisjes së seancës.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se vota e tij dhe dy deputetëve të tjerë të partisë, do të jetë e njëjtë, pra abstenim për propozimin e Haxhiut.

Ai tha se i takon LVV-së që të bëjë përpjekje maksimale për të formuar një shumicë parlamentare.

“Shumica parlamentare nënkupton koalicion qeverisës edhe për Kuvend dhe Qeveri, kështu ka ndodhur edhe herën e kaluar”, tha ai.

Nisma, sipas Limajt do të kontribuojë që të evitohen zgjedhjet e reja, “por jo me çdo kusht”.

“Nëse nuk ka zgjidhje, ka zgjidhje tjetër, e ato janë zgjedhjet”, tha ai para nisjes së seancës.

Partitë që legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë kanë thënë më herët se mosvotimi i kryeparlamentarit tregon se partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk i ka votat në Kuvend as për kryeparlamentaren, e as për formimin e ekzekutivit të ri.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë cilësuar Haxhiun si figurë përçarëse, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të japë votë për çdo emër të propozuar nga LVV-ja.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar që LVV-ja të propozojë një emër tjetër për postin e kryeparlamentarit, një person, që sipas tyre, është figurë unifikuese, në mënyrë që t’i marrë votat e deputetëve të tyre.

Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj.

Hekuran Murati nga LVV-ja në vazhdimin e fundit të seancës konstituive, të mbajtur më 27 prill, deklaroi se partia e tij mund të bëjë kompromis me partitë e tjera vetëm për kandidatët për nënkryetarë – që duhet të votohen pasi të zgjidhet kryeparlamentari – por, jo edhe për kryetarin e Kuvendit.

Vetëm pas votimit të kryetarit të ri dhe pesë nënkryetarëve, procesi i legjislaturës së re do të konsiderohej i përmbyllur.

Me konstituimin e Kuvendit do t’i hapej rruga formimit të ekzekutivit të ri./E.T

Të fundit

Fshati Gjerbës pa ujë, 120 familje mbushin në çezmën e fshatit

Në zemër të Mallakastrës, mes kodrave me burime te shumta natyrore, 120 familje vuajnë për pikën e ujit. Një...

“Për sa kohë marr frymë, s’e tradhtoj Dodik”

“Kemi kaluar kriza të shumta; përmbytje, emigrantë, koroanvirus, konfliktin në Ukrainë, sulmin për Srebrenicën dhe provokimet nga Kosova, por Serbia nuk ka qënë kurrë...

Vëzhgimi veror: Stacione plazhi pa vrojtues, pa mjete dhe pa kulla

Fiks Fare ka bërë një vëzhgim nga veriu në jug, në dhjetëra stacione plazhi, për të parë nëse zbatohen kriteret për vendosjen e kullave...

Putin fajëson Ukrainën për mungesën e progresit të bisedimeve

Presidenti rus Vladimir Putin, të premten, e zhvendosi përgjegjësinë tek Ukraina për mungesën e përparimit në negociatat për t’i dhënë fund pushtimit rus të...

Aksionet evropiane shënojnë rënien më të madhe që nga prilli

Aksionet në të gjithë Evropën u mbyllën më poshtë të premten, ndërsa investitorët globalë vlerësuan se si fushata e tarifave e presidentit Donald Trump...

Lajme të tjera

Web TV