Falë vëmendjes së shtuar nga qeveria për të investuar në infrastrukturën e ujitje-kullimit, sipërfaqja e tokës së ujitshme në vend është dyfishuar nga viti 2013, duke kaluar nga 120 mijë hektarë në 270 mijë hektarë në vitin 2024.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj , në një postim në rrjetet sociale thekson se, “me mandatin e 4-t garantojmë 100% ujitje të tokës bujqësore, ose 360 mijë hektarë të ujitshëm”.
Sipas saj, këto investime do të përkthehen në më shumë prodhim, më shumë të ardhura për fermerët dhe përmbushjen e objektivit ambicioz për 1 miliard euro eksporte bujqësore deri në fund të kësaj dekade.
Ndërkohë buxheti 2025 parashikon financim për rritjen e numrit të veprave të mbrojtjes nga përmbytja të rehabilituara/ndërtuara (argjinatura gjatësore dhe penele tërthorë), nga 38 vepra në 2024, në 48 vepra në 2025./e.t