Deri më sot, mbi 117 mijë shqiptarë nga diaspora kanë dërguar zarfin e votimit në KQZ. Një shifër e lartë në një kohë të shpejtë.
Me përjashtim të Greqisë, ku kanë ndodhur disa probleme të përkohshme teknike me postën, shqiptarë në shtete si Italia, Gjermania, Anglia dhe SHBA kanë reaguar mjaft mirë, duke shprehur vullnetin e tyre me votë. Pritet që edhe ata të Greqisë të dërgojnë zarfet e tyre të votimit deri më 11 maj, ora 19:00, kur është edhe afati i fundit.
Gazeta Fjala mëton të bëjë një parashikim se cili mund të jetë rezultati i votave të diasporës:
Partia Socialiste pritet të jetë “koshi” më i madh i votave të emigrantëve shqiptarë, duke qenë se ka mundësitë më të mëdha për t’u shfaqur si alternativë tërheqëse me investimet e kryera në fushën e turizmit. Ndërkombëtarisht, imazhi i Shqipërisë është rritur shumë në dekadën e fundit. Shqiptarët në Europë dhe SHBA sot ndihen më krenarë dhe shprehin më vetëbesim, ndryshe nga fillimi i mijëvjeçarit të ri, kur ishim një popull jo edhe aq i respektuar në botë.
Kur emigrantët vijnë me pushime në Shqipëri, ata vështirë se dallojnë problemet e skajeve të vendit, por mahniten nga ndryshimi infrastrukturor që ka pësuar Shqipëria. Kjo dhe takimet gjigante të kryeministrit Edi Rama në vende si Greqia dhe Italia mund të ndikojnë që PS të marrë 45-50% të votave në diasporë, shifër e ngjashme me votat që socialistët kanë në Shqipëri.
Partia Demokratike u kujtua shumë vonë për të zhvilluar takime në diasporë. Kjo u kushtëzua edhe nga Sali Berisha, i cili ishte brenda mureve të shtëpisë së tij për rreth një vit. Takimet e demokratëve në diasporë nisën me shumë vonesë, sidomos krahasuar me partitë si “Shqipëria Bëhet”, “Bashkë” dhe “Mundësia”. Ndërkohë, PD nuk e shfaqi veten si një parti opozitare që po lufton për votën e diasporës. Ky ndryshim erdhi falë një nisme emigrantësh “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” dhe 21 mijë firmave që mblodhi Adriatik Lapaj për projektligjin që mundësoi votën e diasporës.
Rrjedhimisht, PD mund të marrë deri në 30% të votave të diasporës, kurse pjesën tjetër pritet ta marrin partitë e reja, të cilat kanë favorin e epokës së re të rrjeteve sociale si TikTok. m.p.