Zgjedhjet e 11 majit kanë një risi të madhe, sepse për herë të parë në Shqipëri garojnë shumë parti të reja. Më të zëshmet janë “Mundësia”, “Nisma Shqipëria Bëhet” dhe “Lëvizja Bashkë”.
Fushata tashmë është në kulmin e saj dhe “Fjala.al” ka një koment për secilën prej tyre, duke analizuar shkurtimisht se ku po përqendrohen drejtuesit e këtyre subjekteve dhe çfarë pritet të arrijnë:
Agron Shehaj – Di të “luajë” bukur në rrjetet sociale, ku paraqitet si një figurë e freskët dhe moderne. Është më i vjetër në moshë se Qori, Lapaj apo Shabani, por është më rinor me stilin e videove të tij në rrjetet sociale. E ka shfrytëzuar në maksimum çdo seancë parlamentare si deputet, ku ka denoncuar ngjarje dhe fenomene me rëndësi, duke fituar simpati popullore. Nuk preferon të bëjë takime të shpeshta në formë mitingjesh, por bën ecejake në rrugë me dialogje dhe batuta. Pika e tij e fortë është se ka ditur ta prezantojë veten si një personazh “self made”, sepse ai e financon personalisht partinë e tij “Mundësia”. Mesazhet e tij kryesore të fushatës janë lufta ndaj korrupsionit, zvogëlimi i administratës, një Shqipëri me shanse të barabarta dhe fundi i monopoleve.
Adriatik Lapaj – Ndryshe nga Qori dhe Shehaj, nuk po garon i vetëm. Lapaj ka dy parti të tjera në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”. Pika e tij e fortë është diaspora, ku pritet të marrë më shumë vota se partitë e tjera të reja, duke qenë se ka 17 muaj që udhëton në qytete të ndryshme të Europës dhe në SHBA. Është fokusuar totalisht te takimet në sheshe të ndryshme të Shqipërisë, ku ka pjesëmarrje të lartë. Ai pretendon të njihet si njeri i terrenit. Javët e fundit ka humbur pikë në publik pas disa akuzave të Shehajt. Mesazhet e tij kryesore të fushatës janë çarja e sistemit, zgjedhjet e parakohshme pas 11 majit, fokusi tek arsimi, pensionet dhe drejtësia.
Arlind Qori – Takimet e tij në qytete janë modeste krahasuar me dy partitë e lartpërmendura. Ka autenticitet në stilin dhe fjalorin e tij. Ka krijuar përshtypjen e një njeriu me parime të palëkundshme. Fushata e tij krijon idenë se është i fokusuar kryesisht në qarkun Tiranë. Rrjeti social ku ka më shumë popullaritet është TikTok. Nëse partia e tij nuk merr dy mandate në Tiranë, ai nuk do të jetë në parlament, sepse renditet i dyti me listë të mbyllur – zgjedhje e tij dhe e partisë që drejton. Mbetet për t’u parë nëse do të jetë më aktiv në ditët e fundit. Mesazhet e tij kryesore të fushatës janë minimumi jetik, pensionet dinjitoze, barazia sociale dhe lufta ndaj oligarkisë.