I arrestuar ditën e djeshme nga policia e Sarandës pasi u kap me një sasi kokaine me vete, kandidati për deputet i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Ergys Isufi ka reguar së fundmi duke sqaruar ngjarjen.
Ergys Isufi është shprehur përpara autoriteteve se kokainën e kishte me vete për konsum personal, pasi gjatë kësaj fushate nuk ndihej mirë. Ndër të tjera ai ka pranuar se ka konsumuar dhe më parë lëndë narkotike.
“E kisha për konsum personal. Do e pija pasi nuk ndihesha mirë këto ditë fushate. Kam konsumuar dhe më parë”, është shprehur Isufi.
Uniformat blu e ndaluan ditën e djeshme teksa Isufi po udhëtonte me automjetin e tij drejt Borshit ku dhe do të mbahej tubimi elektoral i “Nisma Shqipëria Bëhet”. Në momentin që kandidati është ndaluar nga forcat e policisë, ka tentuar të largohet, por është neutralizuar nga blutë e shtetit.
Sakaq lirimi i tij është bërë mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00, ndërsa ditën e djeshme u raportua se policia ka ushtruar gjithashtu dhe kontrolle në banesën e tij në Sarandë me qëllim gjetjen e sendeve të paligjshme. m.p.