Jemi në prag të zgjedhjeve elektorale për deputetët e rinj në Parlamentin e Shqipërisë, ndërsa media franceze “Liberation” i ka dedikuar një artikull ngjarjeve të fundit në vendin tonë.
Me titull “Në Shqipëri, fushatë zgjedhore shumë pro-evropiane e një kryeministri gjithnjë e më autokratik”, ja çfarë shkruhet në artikull:
Nën diellin bujar të pranverës, mijëra mbështetës të Partisë Socialiste janë mbledhur në një rreth të madh në sheshin qendror të Tiranës. Një tribunë në formë ylli është ngritur dhe flamuj të vegjël blu të Bashkimit Evropian me sloganin “Shqipëria 2030” valëviten mbi turmë. “Bashkë me flamurin kuqezi po shpërndaj edhe flamurin europian, sepse ky është qëllimi ynë për mandatin e ardhshëm: do të anëtarësohemi në Evropë dhe do të bëhemi vendi i parë i BE-së sipas rendit alfabetik”, thotë entuziast Marisi, 35 vjeç, me duart plot flamuj. “Shqiptarët e duan me gjithë zemër Bashkimin Evropian.”
Teksa zgjedhjet parlamentare të 11 majit po afrojnë, vallet popullore janë të pranishme, por zemra e fushatës së socialistëve është Europa. Edhe pas më shumë se tre dekadash pritje dhe pasi Shqipëria fitoi statusin e vendit kandidat në vitin 2014, shoqëria shqiptare vazhdon të ëndërrojë pasaportën evropiane. “Integrimi në Evropë është gjëja më e rëndësishme për ne”, thotë Tea, një tregtare 30-vjeçare. “Kemi kohë që e presim këtë anëtarësim… Do të na sjellë zhvillim ekonomik sepse jemi një vend i vogël. Shpresojmë për një vendim në vitin 2027 dhe anëtarësim në 2030.”
Në muajt e fundit, Shqipëria është parë si një “nxënës i mirë” i BE-së. Tirana ka hapur disa kapituj në procesin e anëtarësimit, dhe nga Emmanuel Macron te Ursula von der Leyen e deri te Giorgia Meloni, liderët evropianë kanë shfaqur simpati për Kryeministrin shumë eurofil të Shqipërisë. Në pushtet që nga viti 2013, Edi Rama, 60 vjeç, ka përafruar Shqipërinë me pozicionet gjeostrategjike të Brukselit duke mbështetur fuqimisht Ukrainën, ka nisur reforma në administratë dhe ekonomi, dhe ka shndërruar këtë ish-diktaturë staliniste në një destinacion të preferuar turistik.
Demokraci e brishtë
Por ky aleat i ngushtë i Erdoganit është gjithashtu kritikuar ashpër për autoritarizmin e tij. Tre mandatet e para të Ramës janë shoqëruar me abuzime me pushtetin dhe skandale të mëdha korrupsioni që përfshijnë ministrat e tij. Këto kritika i hedh poshtë Vilip Alushi: “Edi Rama nuk ka nevojë të vjedhë, ai është tashmë në pushtet prej 12 vitesh,” thotë ky aktivist 42-vjeçar nga verilindja. “Ata në opozitë duan të vjedhin përsëri, dhe Shqipëria nuk do të ecë përpara me ta. Ne duhet të vazhdojmë përpara. Edi Rama i ka dhënë jetë Shqipërisë! Dhe Evropa po i njeh përparimet tona.” Me një kapele dhe një bluzë me yllin e BE-së në mitingjet e tij, “njeriu i fortë” i Shqipërisë i drejton vazhdimisht mesazhe Brukselit. I adhuruar, i frikshëm apo i urryer në vend, Rama mbetet figura kyçe e një demokracie të brishtë dhe ka gjasa të fitojë shumicën prej 140 vendeve në Kuvend pa shumë vështirësi.
Në kampin opozitar, lideri kryesor Sali Berisha, 80 vjeç, ndodhet nën arrest shtëpie për korrupsion dhe pastrim parash. Ai dhe partia e tij e akuzojnë Ramën dhe qeverinë për shndërrimin e Shqipërisë në një “narko-shtet”. Në një rajon si Ballkani, ku gjithçka shihet përmes prizmit të tensioneve nacionaliste, kritikët e quajnë mbështetjen e liderëve evropianë për Ramën si pjesë të një strategjie të “stabilokracisë”.
“Evropianët kanë frikë se mos Shqipëria bëhet një burim destabiliteti për rajonin, është kaq e thjeshtë,” thotë Akil Kraja, kandidat i Partisë Demokratike. “Por nuk mund të hyjmë në BE përmes shantazhit! Korrupsioni në Shqipëri është një gangrenë, një kancer: më shumë se 50 miliardë euro janë shpërdoruar përmes skemave ndërkombëtare të pastrimit të parave, me një korrupsion qeveritar që ka arritur nivele alarmante!”
Tiranë, korrupsion dhe pastrim parash
Sipas policive evropiane, bandat shqiptare janë shndërruar në aktorë kryesorë të trafikut ndërkombëtar të kokainës, dhe Tirana është kthyer në një qendër të pastrimit të parave, sidomos përmes sektorit të ndërtimit. Në muajt e fundit, drejtësia shqiptare ka arrestuar disa figura të njohura politike për korrupsion, përfshirë kryetarin e Bashkisë së Tiranës – i konsideruar pasardhësi i Ramës – i cili ndodhet në burg që nga 10 shkurti.
“Për skandalet, kjo qeveri i ka kaluar të gjitha kufijtë,” thotë i dëshpëruar Augustini, 36 vjeç, i papunë nga Shkodra që kishte ardhur për të ndjekur një miting të PD-së. “Shikoni kryetarin e Bashkisë së Tiranës, numrin dy të PS-së! Ka vjedhur tre milionë euro. Rama ka mbështetjen e grupeve kriminale që njihen dhe kërkohen në Europë. Prandaj njerëzit po largohen. Vëllai dhe motra ime kanë ikur… Vetëm unë kam mbetur. Të gjithë shokët e mi janë larguar drejt Europës për një jetë më të mirë.”
Pavarësisht rritjes së lehtë të nivelit të jetesës, pasiguria ekonomike dhe korrupsioni po godasin rëndë 2.4 milionë shqiptarët. Vetëm në vitet 2022 dhe 2023, sipas Eurostat, 100 mijë persona e kanë lënë vendin, dhe më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare jeton sot jashtë vendit./Fjala.al