Çdo vit, në Ditën e Nënës, Jennifer Aniston merr një buqetë me lule. Ia dërgon Adam Sandler. Të dy aktorët kanë ndarë shpesh të njëjtin set: kanë qenë pjesë e kastit të filmit “Just Go With It”, me regji të Dennis Dugan, dhe të “Murder Mystery”, i drejtuar nga Kyle Newacheck. Takimi i tyre i parë ka ndodhur gjatë një episodi të emisionit “Jimmy Kimmel Live” – madje para kohës së serialit Friends.
Por Aniston dhe Sandler, përpara se të ishin kolegë, janë prej vitesh miq të ngushtë. Dhe ai e di sa shumë dhe për sa gjatë Jennifer ka dëshiruar të bëhet nënë. Aktorja ka folur për herë të parë në gusht të vitit 2022, në një intervistë për Wall Street Journal, për rrugëtimin e saj të vështirë me IVF dhe për mbështetjen që ka marrë pikërisht nga Adam Sandler dhe bashkëshortja e tij, Jackie. Buqeta e luleve që ata i dërgojnë çdo vit është një shenjë e kësaj afërsie.
“Kam tentuar të mbetem shtatzënë. Ka qenë një rrugëtim shumë i vështirë për mua, ai i të pasurit një fëmijë”, tregoi aktorja në dhjetor të vitit të kaluar, në një intervistë për Allure. Për vite me radhë, si fansat ashtu edhe mediat aludonin se Jennifer Aniston kishte zgjedhur karrierën në vend të mëmësisë – dhe për të, që e kishte dëshiruar me gjithë shpirt të bëhej nënë, këto thashetheme ishin dyfish të dhimbshme. “Vite të tëra me spekulime… Ka qenë shumë e vështirë. Provova fekondimin in vitro, pija çajra kinezë, bëja gjithçka që mundesha. Do të jepja gjithçka që dikush, në atë kohë, të më thoshte: “Ngri vezët, bëji një nder vetes. Por nuk ndodhi. Fëmijët nuk erdhën. Këtu jam sot: anija ka lundruar”./E.Ç