Mrekullia elektorale e Ramës ka një emër…

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Blendi Kajsiu

Menjëherë pas katastrofës elektorale të PD-së më 11 maj, propaganda berishiste filloi të shfajësonte Berishën për këtë humbje. Sipas saj fitorja e Ramës nuk shpjegohet nga humbja e thellë e PD-së, për dy arësye. Së pari, humbja e PD-së nuk shpjegon rritjen e paprecedent elektorale të PS-së, si pasojë e krimit, kapjes së shtetit dhe budallallepsjes së elektoratit shqiptar që voton një qeveri kaq të korruptuar. Së dyti, fakti që partitë e vogla dështuan tregon se Rama është i pathyeshëm në sistemin që ka ngritur.

Asnjëri nga këto argumente nuk qëndron. Fitorja e thellë e Ramës, me 83 vende në Parlament, nuk është rezultat i rritjes elektorale të PS-së por i tkurrjes elektorle të PD-së nën lidershipin e Berishës. PS-ja jo vetëm që nuk është rritur elektoralisht por  ka marrë më pak vota në raport me zgjedhjet e vitit 2021 kur fitoi 74 mandate në Parlament.  Shiko tabelën 1 më poshtë

Sikurse tregon qartë tabela 1 Partia Socialiste në vitin 2025 ka humbur 35 400 votues brenda vendit krahasuar me vitin 2021. Pra nuk kemi asnjë rritje elektorale të PS-së, përkundrazi kemi reduktim të votës për PS-në e Edi Ramës.

Atëherë si ka mundësi që PS-ja shkoi nga 74 vende në vitin 2021 në 83 në vitin 2025? Si pasojë e dështimit elektoral të dyfishtë të berishizmit. Së pari, nëse vota e PS-së u rrudh me 35 mijë votues vota e koalicionit të PD-së u rrudh me 141 mijë votues, pra gati katërfish. Së dyti, në vitin 2025 në Shqipëri votuan 205 mijë votues më pak se në vitin 2021.

Pra edhe pse PS-ja mori më pak vota në vitin 2025 se në vitin 2021 ajo fitoi më shumë mandate sepse u reduktua vota e opozitës. PS-ja zgjeroi mandatet e saj në Kuvend, nga 74 në vitin 2021 në 83 në vitin 2025 jo sepse rriti numrin e votave por sepse reduktimi i votës opozitare zmadhoi votën socialiste si përqindje. Le ta shpjegojmë këtë dinamikë me një shembull të thjeshtë.

Nëse pozita ka 50 vota dhe opozita 50 vota, përqindja e votave është 50% pozita dhe 50% opozita. Nëse pozita bie në 45 vota dhe opozita në 30 vota, atëherë përqindjet janë 60% pozita dhe dhe 40% opozita. Ama në këtë rast rritja e pozitës nuk është produkt i mrekullisë së saj elektorale, përkundrazi ajo ka humbur 5 vota. Rritja e pozitës nga 50% në 60% është tërësisht produkt i dështimit të opozitës, i rënies së saj nga 50 në 30 vota.

Lexo edhe :  Kush është fajtori?

Kjo është ajo që ndodhi në zgjedhjet e fundit. Edi Rama nuk prodhoi ndonjë cudi elektorale në vitin 2025. Përkundrazi, vota që ai mori në zgjedhjet e fundit u rrudh pavarësisht makinerisë elektorale socialiste, krimit, narko-shtetit, gjobave apo përdorimit të administratës publike.

Idea berishiste se Rama bën mrekullira elektorale dhe është i pasfidueshëm është thjesht një përrallë që fsheh realitetin e hidhur se celësi i fitores së thellë elektorale të Ramës nuk qëndron tek budallepsja apo manipulimi i elektoratit shqiptar por tek dështimi elektoral i berishizmit. 83 mandatet e Ramës janë produkt matematik i rrudhjes elektorale të opozitës berishiste.

Rezultati i zgjedhjeve vërteton qartë tezën e stërpërsëritur se Rama fiton si pasojë e mungesës së alternativës opozitare. Zgjedhjet konfirmuan edhe një herë atë që kanë treguar pothuajse të gjitha sondazhet, shqiptarët e refuzojnë Berishën shumë më fort se Ramën. Pikërisht për këtë arësye e gjithë fushata elektorale e Ramës u fokusua tek bufi i kënetës.

Zgjedhjet treguan gjithashtu se një pjesë gjithnjë e më e madhe e votuesve po kërkojnë një alternativë përtej binomit PD-PS. Numri i vogël i mandateve që fituan partitë e vogla fsheh realitetin e një elektorati të konsiderueshëm vota e të cilit penalizohet.

Partitë e vogla morën rreth 190 mijë vota (duke përfshirë edhe partinë e Tom Doshit). Pra rreth 13% e elektoratit votoi jashtë binomit PS-PD. Fatkeqësisht sistemi ynë elektoral penalizon partitë e vogla dhe favorizon dy partitë e mëdha, sepse kështu e ka ndërtuar Rama dhe Berisha. Ndaj nuk është cudi që votuesi heziton të votojë partitë e vogla.

Ama nëse do kishim një sistem proporcional si në Kosovë, vota e PS-së prej 52% do përkthehej në 73 vende në parlament dhe jo në 83. Vota e PD-së prej 34% do përkthehej në rreth 47 deputet dhe jo 50. Ndërkohë vota prej 13% e partive të vogla do përkthehej në afërsisht 18 mandate dhe jo në më pak se 10 me sistemin aktual.

Ndaj dështimi i supozuar i partive të vogla nuk është produkt i budallepsjes së elektoratit nga Rama por i sistemit elektoral që Rama dhe Berisha kanë ndërtuar së bashku për të ruajtur bipolaritetin PS-PD që i riciklon të dy për aq kohë sa janë gjallë.

Është ky sistem elektoral që do vazhdojë ta mbajë PD-në forcë të dytë sepse kjo i duhet jo vetëm Berishës por edhe Ramës. Në fund të fundit mrekullia elektorale e Ramës ka një emër, berishizmi.

Të fundit

Trump kalon në sulm: Ukraina nuk mund ta fitojë luftën pa sulmuar Rusinë

Në një postim në Truth Social, Trump ka sugjeruar se Ukraina nuk mund ta fitojë luftën pa sulmuar Rusinë....

“Do i rezistojmë kujtdo që na kërcënon”, Vuçiç ngre tonet: Serbia do të fitojë!

“Ne do t’i kundërvihemi presioneve të jashtme, të gjithë atyre që na kërcënojnë dhe do të fitojmë.” Ky ishte mesazhi i fortë që Presidenti i...

Zjarr në Dukat të Ri, flakët përhapen me shpejtësi, digjen disa kasolle dhe ullinj

Një zjarr ka përfshirë pasditen e sotme zonën e Dukatit të Ri. Flakët janë ndihmuar nga era e fortë dhe kanë avancuar me shpejtësi...

22 gusht 1944 – Ushtria e Kuqe pushton Rumaninë, ish aleaten e nazizmit

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Rumania ishte fillimisht aleate e Gjermanisë naziste, nën udhëheqjen e Gjeneralit Ion Antonescu. Si shtet i rreshtuar me Boshtin,...

Horoskopi ditor, 22 Gusht 2025

Dashi  Mëngjesi i kësaj të premteje do të jetë shumë i dobishëm, ndërkohë që lodhja do të ndihet gjatë pasdites. Mund të hidhni një hap...

Lajme të tjera

Web TV