Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve do të zhvillojë një seancë publike nesër në orën 09:30, ku në rend dite do të shqyrtohet kërkesa e Partisë Socialiste të Shqipërisë për marrjen e masave që garantojnë vijimin e rregullt të procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave të ardhura nga jashtë vendit.
Kjo lëvizje vjen në një moment tensioni të shtuar mes PS dhe PD, pas përplasjeve mbi vlefshmërinë e votave të diasporës, veçanërisht atyre që kanë ardhur nga Greqia. Partia Demokratike ka kërkuar që një pjesë e këtyre votave të mos numërohen, duke pretenduar për parregullsi, ndërsa socialistët këmbëngulin që procesi të vijojë normalisht dhe pa ndërprerje.
Seanca e nesërme në KQZ pritet të jetë vendimtare për fatin e këtyre votave dhe për dinamikën e mëtejshme të procesit zgjedhor. m.p.