Rusia ka nisur një sulm masiv ajror ndaj Ukrainës, duke përdorur 367 raketa dhe dronë. Sipas autoriteteve ukrainase, të paktën 12 civilë kanë humbur jetën dhe 56 të tjerë janë plagosur në të gjithë vendin.
Në mesin e viktimave janë dy fëmijë të moshës 8 dhe 12 vjeç si dhe një djalë 17-vjeçar, të cilët u vranë në qytetin e Zhytomyr-it.
Shërbimet e emergjencës raportuan dëme të konsiderueshme në infrastrukturën civile, përfshirë ndërtesa banimi dhe objekte publike. Autoritetet lokale kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit në disa zona të goditura rëndë nga sulmet.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi ashpër pas sulmit, duke akuzuar Kremlinin për “goditje të qëllimshme ndaj objektivave civile”. Ai gjithashtu kritikoi heshtjen e Shteteve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar, duke theksuar se mungesa e reagimit të vendosur vetëm sa e inkurajon më tej agresionin rus.
“Çdo sulm terrorist rus i këtij lloji është arsye e mjaftueshme për sanksione të reja kundër Rusisë. Heshtja e Amerikës dhe heshtja e të tjerëve në mbarë botën vetëm sa e trimëron Putinin”, shprehet Zelensky. m.p.