Ndërsa askush nuk habitet kur sheh administratën e dytë të Donald Trump të heqë dorë nga përgjegjësitë globale të Amerikës, ritmi i ndryshimit ka qenë i jashtëzakonshëm. Tashmë, një boshllëk në rritje po hapet brenda rendit botëror, duke krijuar mundësi për Evropën, Kinën dhe të tjerët.
Nga Carl Bildt
A po shkojmë në një epokë kur Shtetet e Bashkuara thjesht kanë më pak rëndësi? Kjo pyetje mund të tingëllojë e çuditshme, duke marrë parasysh se Amerika mbetet fuqia kryesore ushtarake dhe teknologjike në botë, emetuesja e valutës rezervë dhe spiranca e sistemit financiar global. Por me SHBA-në që ka zgjedhur të tërhiqet nga roli i saj global, ajo gradualisht do të humbasë shumë nga fuqia dhe ndikimi që tani e merr si të mirëqenë.
Sigurisht, fuqia dhe ndikimi i Amerikës tashmë është zbehur. Për dekada pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA-ja mund ta formësonte sistemin global për t’i shërbyer qëllimeve të veta; dhe gjatë momentit të shkurtër “unipolar” që pasoi rënien e Bashkimit Sovjetik, statusi i saj ishte i pakrahasueshëm. Por fuqitë e tjera që atëherë janë rritur në staturë dhe po ndjekin ambicie globale. Ndërsa Kina është shembulli më i dukshëm, edhe Evropa po kërkon unitetin e nevojshëm për të afirmuar veten si një lojtar serioz global, dhe shumë fuqi të mesme duan të rrisin profilin e tyre gjithashtu.
Ky është konteksti në të cilin presidenti Donald Trump ka përshpejtuar tërheqjen e Amerikës. Ndërsa askush nuk është i befasuar kur sheh një administratë “Amerika e Para” që heq dorë nga përgjegjësitë globale, ritmi i ndryshimit ka qenë i jashtëzakonshëm. Tashmë, një boshllëk në rritje po hapet brenda rendit botëror.
Është e qartë se tregtia zë vendin kryesor në mendimet e Trump. Duke mos arritur të kuptojë se ajo mund t’u sjellë dobi të gjithë atyre që përfshihen në të, ai sheh vetëm një lojë me shumë zero që Amerika po e humb. Nuk ka rëndësi që ky besim bie ndesh me parimet bazë të ekonomisë (dhe logjikën e shëndoshë); Trump thjesht nuk mund ta kapërdijë dot faktin se SHBA-ja importon më shumë mallra sesa eksporton.
Askush – madje as Trump – nuk e di se çfarë do të vijë nga lufta globale tregtare që Amerika nisi në “Ditën e Çlirimit” (2 prill). Por një gjë duket tashmë e sigurt: roli i Amerikës në ekonominë globale do të bjerë ndërsa tregtia me të (e lëre më besimi ndaj saj) do të bëhet më e vështirë.
Në fakt, ndërsa SHBA-ja është një fuqi e rëndësishme tregtare, tregtia si pjesë e PBB-së së saj nuk arrin nivelin e Kinës apo Bashkimit Evropian. Kina është partneri kryesor tregtar për rreth 120 vende, dhe BE-ja për rreth 80, ndërsa Amerika është numri një për vetëm rreth 20 vende. Dhe tani që Trump ka vendosur ose kërcënuar me tarifa gjithëpërfshirëse kundër miqve dhe armiqve njësoj, pozicioni i SHBA-së është i destinuar të bjerë më tej.
Mungesa e Amerikës do të jetë edhe më e dukshme në sferën e bashkëpunimit shumëkombësh – si brenda ashtu edhe jashtë sistemit të Kombeve të Bashkuara. Tani që Trump e ka tërhequr SHBA-të nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Kina është paraqitur si kontribuuesi më i madh financiar i OBSH-së. Të tjerët gjithashtu do të duhet të marrin përgjegjësi më të mëdha për përpjekjet humanitare ndërkombëtare – të cilat kanë qenë prej kohësh të varura nga financimi i SHBA-së dhe tashmë po tkurren me shpejtësi – dhe për luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Ndërsa Trump bënkërcënon të marrë Kanalin e Panamasë, Kanadanë dhe Groenlandën, diplomacia amerikane është në tërheqje në një plan më të gjerë. Zyrtarët e administratës pretendojnë se pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia është “lufta e Joe Biden” dhe fillimisht iu përgjigjën përshkallëzimit të rrezikshëm midis Indisë dhe Pakistanit duke deklaruar se kjo nuk është punë e Amerikës. Udhëtimi i fundit i Trump në Lindjen e Mesme ishte pothuajse ekskluzivisht për sigurimin e marrëveshjeve të biznesit, investimeve dhe armëve. Përtej deklaratave të çuditshme për shndërrimin e Gazës në një resort, ai në thelb e ka injoruar çështjen izraelito-palestineze, duke e lënë kryeministrin izraelit Binyamin Netanyahu të lirë të ndjekë çfarëdolloj politike që dëshiron.
Megjithatë, tërheqja mund të jetë e rrezikshme. Po sikur SHBA-ja të mos kishte vazhduar të bënte asgjë për të inkurajuar një armëpushim midis Indisë dhe Pakistanit? Edhe Trump, i cili është kundër luftës, duket se e njeh logjikën e ndjekjes së një marrëveshjeje të re bërthamore me Iranin, që Netanyahu të mos marrë luftën që e ka kërkuar prej kohësh.
Por këto raste të izoluara diplomacie janë përjashtimet që vërtetojnë rregullin – dhe Trump mund të tërhiqet pas. Tërheqja e SHBA-së është në rrugë e sipër dhe derisa aktorë të tjerë përgjegjës të marrin përsipër disa nga rolet që ajo luante, disa aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë do ta shfrytëzojnë situatën për avantazhin e tyre, duke krijuar kështu më shumë paqëndrueshmëri globale.
BE-ja është një kandidate e dukshme për të mbushur boshllëkun e lënë nga SHBA-ja. Ajo ka një mundësi unike për të forcuar pozicionin e saj në atë që do të jetë një sistem tregtar më pak i përqendruar te SHBA-ja. Për shembull, lidhja me Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor mund të sjellë dividentë të mëdhenj, ashtu si një marrëveshje e re tregtare me Indinë.
Kina, nga ana e saj, ndoshta do të përparojë më shumë brenda sistemit të OKB-së. Një riekuilibrim i pushtetit atje është i nevojshëm dhe ndoshta i pashmangshëm, dhe mund të përshpejtohet nën flamurin e rritjes së ndikimit të Jugut Global. Por duke pasur parasysh peshën e Kinës brenda ekonomisë globale, roli i saj në menaxhimin e sfidave të ndryshme globale padyshim do të rritet.
Prandaj, evoluimi i marrëdhënies Kinë-Evropë do të jetë i një rëndësie të madhe. Nëse presidenti kinez Xi Jinping nuk do t’i kishte dhënë mbështetje politike dhe ekonomike Rusisë gjatë tre viteve të fundit, rruga përpara do të ishte më e qartë. Por, megjithëse situata është e ndërlikuar, Kina mund të ndryshojë kurs nëse do të donte.
Një tjetër e panjohur e madhe është se si do të përshtatet NATO-ja me largimin e burimeve ushtarake amerikane nga Evropa dhe Lindja e Mesme (ose zhvendosen drejt Azisë Lindore). Propozimi i Trump për të ndërtuar një “Kupole të Artë” të sistemeve të mbrojtjes vendase është një simbol i përsosur i një Amerike izolacioniste. Jashtë kupolës, në botën post-amerikane, e ardhmja është e hapur.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. /E.T