Kryetari i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, ka komentuar procesin zgjedhor të 11 majit, duke ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën se si u zhvillua votimi dhe numërimi i votave.
Qori tha se partia që ai drejton ka tashmë dy përvoja elektorale dhe është përgjegjëse për monitorimin e të gjithë procesit, përmes vëzhguesve të saj të angazhuar në qendrat e votimit dhe të numërimit.
“Ne kemi dy përvoja zgjedhore. Ne jemi përgjegjës për atë që ndodh që prej momentit që nis votimi e deri tek numërimi, sepse ne kemi atje vëzhguesit tanë, njerëzit që rrinë një javë dhe që numërojnë çdo votë,” u shpreh Qori.
Ai theksoi se edhe pse parregullsia e konstatuar nuk e ndryshon rezultatin për partinë e tij, ajo është treguese për probleme serioze në përputhjen mes dokumentacionit zyrtar dhe të dhënave të mbledhura nga vëzhguesit në terren.
“Rasti që kemi pasur ne nuk e ndryshon rezultatin për Lëvizjen Bashkë, ama përvoja jonë është që shënimet e vëzhguesit tonë dhe procesverbali kanë një diskordancë. Ne e kemi ankimuar dhe presim tani nga institucionet përgjegjëse që të bëjnë transparencë për këtë gjë,” theksoi ai.
Sipas Qorit, problemi i sistemit zgjedhor nuk qëndron vetëm te procesi i numërimit, por që në fazën e votimit, ku sipas tij vullneti i qytetarëve mund të jetë i deformuar për shkak të presionit dhe frikës.
“Problemi nuk mbaron me kaq, sepse është shumë i rëndësishëm procesi i votimit. A deformohet vullneti i votuesit? A voton qytetari shqiptar në kushte vërtet të lira dhe të barabarta? Dhe unë di të them këtu që procesi në Shqipëri vazhdon të jetë vërtet skandaloz, ka qenë skandaloz dhe vazhdon që të jetë skandaloz,” deklaroi Qori.
Ai solli si shembull zonën e Tiranës së Re, ku sipas tij, qytetarët kanë frikë të identifikohen me partinë që mbështesin.
“Nga biseda me qytetarët, tek Tirana e Re, qytetarët kanë frikë të votojnë për partinë që preferojnë. Mua më thoshin që do të votojmë për Lëvizjen Bashkë, por të lutem më fike derën, po publikove foton e shtrëngimit të duarve mes nesh. Ka shumë qytetarë që kanë frikë dhe ndjehen të kërqënuar me bizneset ose me vendet e punës që ata kanë.” m.p.