Partia Demokratike i është drejtuar sërish Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për parlamentaret e 11 majit.
Sipas kërkesës së siguruar nga gazetarja Elda Menga, PD thotë se mungojnë më shumë se 130 mijë fletë votimi për zgjedhësit brenda vendit. Opozita kërkon nisjen e një hetimi administrativ nga ana e KQZ-së si dhe verifikimin e përmbajtjes së fletëve të votimit në të gjitha kutitë në rang vendi.
KQZ i është përgjigjur kërkesës së PD për verifikimin e fletëve të votimit.
“Në përgjigje të kërkesës tuaj lidhur me verifikim të menjëhershëm të fletëve të votimit të përdorura për zgjedhjet e datës 11 Maj 2025, ju informojmë se: Numri prej 1,935,328 fletë votimi të papërdorura përfshin vetëm sasinë e raportuar të këtyre fletëve sipas procesverbaleve të çdo QV-je. Këtij numri i duhen shtuar edhe:
27,340 fletët e votimit për 74 QV, ku është aplikuar votimi elektronik, ZAZ Nr.27 (Bashkia Vorë) dhe ZAZ Nr. 41 (Njësia Administrative 10, Tiranë). Sikurse mund të kuptohet edhe këto fletë votimi nuk janë përdorur;
99,455 fletë votimi të papërdorura që përbëjnë sasinë e këtyre fletëve për 233 QV, në procesverbalet e të cilave gabimisht është shënuar me “0” numri i fletëve të papërdorura;
5,369 janë flete votimi të papërdorura por që numrat e tyre në test logjik vlerësohet se janë pasqyruar me gabime në procesverbalet përkatëse për çdo QV (janë 1,380 QV që kanë raportuar këto të dhëna me gabime”, shkruhet në përgjigjen e KQZ. m.p.