Shqipëria po vuan prej dekadash problematikën e bandave të rrezikshme kriminale, që kanë ‘mbjellë e korrur’ mijëra viktima në rrethana lufte mes tyre, trafiqesh, hakmarrjeje dhe deri në marrje jetësh të pafajshme.
Por shkaku kryesor i këtyre situatave ka qenë viti 1997 dhe autori i asaj tragjedie kombëtare ka një emër që është ende gjallë ditët e sotme: Sali Berisha!
Kjo ishte analiza e avokatit Edmond Petraj në “Studio Live” ditën e sotme, ku u diskutua për rrëfimin e të penduarit Artan Tafani në GJKKO për bandën e Laert Haxhiut në Lushnjë, luftën hakmarrëse të saj me organizatën e Aldo Bares, por edhe për grupet e tjera kriminale.
Petraj tha se këto banda u krijuan atëherë kur shteti kishte rënë, depot u hapën, armët ranë në duart e njerëzve dhe ende sot e kësaj dite shkaktojnë viktima dhe përdoren për larje hesapesh. Petraj ndau mendimin në Report TV se urdhëruesi për atë tragjedi është Berisha, i cili kërkoi edhe të sulmohej jugu, teksa rrëfeu edhe eksperienca personale të hidhura të asaj kohe.
Kurse eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, shkoi më tej, duke thënë se bandat në Lushnjë, Fier dhe Vlorë kishin edhe lidhje politike. Ai dha edhe detaje nga hetimi për zhdukjen misterioze të ‘mbretit të kumarit’ Ervis Martinaj më 2022, duke treguar për kërkime me palombarë e forca RENEA në Vlorë për pjesë trupi apo në zona të ndryshme, pamje filmike të pretenduara të vrasjes së tij, që tregojnë se ai është eliminuar.
“Situata në Lushnjë vjen edhe për shkak të vitit 1997 dhe problematikave që solli ajo periudhë. Përballja e bandave mes tyre ishte realiteti i këtyre bandave dhe ngjarjeve që ndodhin edhe ditët e sotme. Ai që është shkaktari i asaj situate në 1997 është ende gjallë. E kam për zotin Berisha, që ka dhënë urdhër për t’i shtypur me hekur dhe zjarr, ka dhënë urdhër për bombardimin në dy zona në jug të vendit me avionë reaktivë të ngritur nga Kuçova. Kjo futi ndasinë e madhe veri-jug që në atë kohë. E kam përjetuar vetë atë periudhë, me duart lartë për minuta të tëra, jo keni letra apo s’keni letra, e ku mund të humbje jetën. Ajo periudhë ishte shumë tragjike, që nëse do rihapet dhe hetohet e gjitha, shkon deri te nipër e stërnipër, sepse askush nuk ta fal. Nëse do ishte hapur e hetuar 97-a, nuk do kishim këto pasoja sot. Sot kemi ende armët e atij viti nëpër këmbë e që përdoren për krime nga më të ndryshmet. U vranë 3200 vetë në 1997, armët e atij viti nuk janë mbledhur akoma, përdoren për krime, lajnë hesape dhe kjo situatë do vazhdojë akoma. Ndërkohë që ky del akoma dhe shan Shqipërinë, ky nuk e do Shqipërinë”, u shpreh Petraj.
Softa foli për lidhje të bandave me politikën dhe gabimin që u bë me 1997, amnistia e saj.
“Problemi i bandave në Lushnjë daton që nga viti 1997, ku krijimi i bandave shkoi paralel ehde me lidhjet me politikën. Pati edhe zona ku drejtonin dhe dominonin ata. Lushnja dhe Vlora ishin të dyja të lidhura edhe me politikën. Gabimi më i madh i vitit 1997 ka qenë amnistia. Ajo nuk duhet të ishte bërë. Por edhe mosgoditja e bashkëpunëtorëve në shtet, që nuk zbatonin detyrën. Ato armë krijuan pasoja”, tha eksperti për Report TV. m.p.