Në magazinën qendrore të KQZ-së në Vaqarr u hapën këtë të enjte 229 kuti votimi nga 11 qarqe të vendit.
Të parat u hapën kutitë e qarkut Vlorë, të cilat rezultuan pa asnjë problem dhe po e njëjta situatë u verifikua edhe me kutitë e hapura nga qarqet e tjera. Vendimi i KAS për t’i hapur këto kuti erdhi pas kërkesës së PD që pretendonte se rreth 130 mijë vota në të gjithë vendin rezultonin të zhdukura.
KQZ iu përgjigj pretendimit të PD se shifrat e fletëve të munguara pa u raportuar ishte për shkak të gabimeve njerëzore të komisionerëve në qendrat e votimit. Por ky argumentim i KQZ-së, nuk bindi opozitën, e cila përmes dy anëtarëve në KAS, Ledio Braho dhe Elvis Çefa, mundësuan hapjen e kutive.
Më herët, edhe pretendimet e PD për manipulime në procesin zgjedhor përmes aplikimit të trenit bullgar, ose metoda të tjera, janë hedhur poshtë nga KQZ dhe autoritetet hetimore. Opozita ka kërkuar pavlefshmëri të zgjedhjeve në të 12-të qarqet, ndërkohë që kjo kërkesë për qarkun e Kukësit u hodh poshtë këtë të enjte. m.p.