Krahasoni guximin e misionit të ndihmës për Gazën me mosveprimin e qeverive perëndimore

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

“Madleen” nuk është një “jaht për selfie”. Ajo është simbol i dhembshurisë njerëzore në një botë që ka vendosur të kthejë shpinën.

Nga Owen Jones

Imagjinoni këtë: gjatë fundjavës, Britania – e tronditur nga përmasat e vuajtjeve në Gaza – vendosi të anashkalojë normat dhe institucionet ndërkombëtare dhe të përdorë marinën e saj për të dërguar ndihma jetike me ushqime, qumësht për foshnja dhe furnizime mjekësore në portet e Rripit të Gazës.
Kjo, natyrisht, nuk ndodhi. Në vend të kësaj, iu desh aktivistëve në bordin e anijes “Madleen”, përfshirë Greta Thunbergun, të ndërmerrnin një përpjekje simbolike për të thyer bllokadën dhe për të ngritur vetëdijen për një “krizë urie” që po afrohet. Në orët e para të mëngjesit të së hënës, anija u ndalua nga ushtarë izraelitë, thuhet në ujërat ndërkombëtare, dhe ekuipazhi u dërgua në portet izraelite në pritje të dëbimit. Avokatët e aktivistëve e cilësuan këtë si tejkalim të kompetencave nga forcat izraelite, megjithatë trajtimi ndaj ekuipazhit mund të konsiderohet “i lehtë”: në vitin 2010, ushtria izraelite bastisi një tjetër flotilë ndihmash dhe vrau 10 aktivistë.
Që kur kjo ngjarje u bë publike, makineria propagandistike e Izraelit hyri në veprim të plotë, duke e përçmuar “Madleen” si një “jaht për selfie” – një gjuhë që u pasqyrua edhe nga mediat perëndimore. “Ka mënyra për të dërguar ndihma në Gazë – dhe ato nuk përfshijnë selfie në Instagram”, deklaroi me paturpësi Ministria e Jashtme izraelite. Izraeli i njeh mirë ato mënyra – sepse i ka bllokuar sistematikisht.
Vlen të përmendet se Lëvizja “Freedom Flotilla Coalition” – e cila qëndron pas “Madleen” – u nis në vitin 2010, 13 vjet para 7 tetorit. Bllokada ndaj lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në dhe nga Gaza ka qenë në fuqi për gati dy dekada. Siç e tha një këshilltar i ish-kryeministrit izraelit Ehud Olmert: “Qëllimi është t’i vendosim palestinezët në dietë, por jo t’i lëmë të vdesin nga uria.”
Në vitin 2012, gazeta izraelite Haaretz botoi një dokument të brendshëm të rrjedhur, ku zyrtarët kishin llogaritur numrin minimal të kalorive të nevojshme për të mos vdekur nga uria. Qëllimi: ta bënin jetën në Gaza të padurueshme, pa shkaktuar zemërim ndërkombëtar nga një uri masive. Një vit para 7 tetorit, Programi Botëror i Ushqimit paralajmëroi për “situatën humanitare të dëshpëruar”, duke nënvizuar se rreth gjysma e popullsisë së Gazës vuante nga “pasiguria e rëndë ushqimore”.
Në 20 muajt e fundit, Izraeli e ka përshkallëzuar bllokadën. Madje edhe ish-kryeministri Olmert – për dekada pjesë e partisë Likud të Netanyahu-t – e akuzoi shtetin për “krime të rënda lufte” si politikë zyrtare. Më 10 tetor 2023, gjenerali izraelit Ghassan Alian – i ngarkuar gjoja me ndihmën humanitare – deklaroi se “qytetarët e Gazës” kishin faj kolektiv, duke i quajtur “kafshë njerëzore” që duhen trajtuar si të tillë. “Izraeli ka vendosur një bllokadë të plotë. Pa energji elektrike, pa ujë, vetëm shkatërrim. Donit ferrin – do ta keni ferrin.” Kjo ishte vetëm një nga shumë deklarata me qëllim kriminal dhe gjenocidal, që nuk lanë asnjë dyshim për krimet që do të pasonin.
Shtetet perëndimore zgjodhën të mos reagojnë. Në mars 2024, ministri i jashtëm i atëhershëm britanik David Cameron i shkroi një letër dërrmuese Alicia Kearns-it, kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme. Ai detajonte mënyrat se si Izraeli po pengonte ndihmat: nuk hapte rrugë tokësore, i mbante të mbyllura për kohë të shkurtër dhe vendoste kritere absurde kontrolli. “Pengesa kryesore mbetet mohimi arbitrar i qeverisë izraelite,” shkroi ai, duke shtuar se ndihma e financuar nga Britania qëndroi e bllokuar për tre javë në kufi në pritje të miratimit. Megjithatë, Britania nuk vendosi asnjë sanksion dhe vazhdoi të armatoste një shtet që e dinte se po e urisëte me vetëdije një popullatë civile.
Sipas ProPublica, në vitin 2024, dy nga autoritetet më të larta amerikane për ndihmën humanitare dolën në përfundimin se Izraeli kishte bllokuar me vetëdije ushqimet dhe ilaçet për Gazën. Sipas ligjeve amerikane, kjo duhej të aktivizonte pezullimin e menjëhershëm të dërgesave me armë – por administrata Biden refuzoi ta pranonte gjetjen. Ju mund të mos jeni në dijeni për këto raporte, sepse mediat perëndimore ofruan shumë pak mbulim për to, duke mashtruar publikun për qëllimin dhe sjelljen gjenocidale të Izraelit.
Një nga përkufizimet e gjenocidit, sipas Konventës së OKB-së të vitit 1948, është “shkaktimi me qëllim i kushteve të jetesës të llogaritura për të sjellë shkatërrimin fizik, tërësisht apo pjesërisht, të një grupi”. Kjo përshkruan saktësisht atë që Izraeli po bën në Gaza. Ka vrarë 452 punonjës ndihmash, ka eliminuar sistematikisht policët që mbrojnë ndihmat, ka shkatërruar infrastrukturën humanitare, ka bllokuar karburantin dhe ujin e nevojshëm për përgatitjen e ushqimit. Më shumë se 95% e tokës bujqësore është bërë e papërdorshme nga sulmet izraelite, 81% e tokës së mbjellë është dëmtuar dhe 83% e bimësisë është shkatërruar. Pothuajse të gjitha bagëtitë dhe shpendët janë zhdukur; prodhimi i qumështit është gati ndalur.
Izraeli ka kriminalizuar UNRWA-n, agjencinë kryesore humanitare për Gazën, dhe që tre muaj ka vendosur një bllokadë të plotë. Më pas krijoi “Fondacionin Humanitar për Gazën” (GHF), i cili – sipas ministrit të financave Bezalel Smotrich – do të lejonte vetëm “minimumin e domosdoshëm” që “bota të mos na ndalojë dhe të na akuzojë për krime lufte”. Për çfarë t’i ndalojë? Smotrich e ka thënë hapur: Izraeli do të dëbojë të gjithë palestinezët e mbijetuar nga Gaza. Jo vetëm që ndihmat e GHF janë të pakta dhe të papërdorshme, por janë vendosur me qëllim në jug për të detyruar evakuimin e veriut të Gazës – ndërkohë që trupat izraelite masakrojnë civilët e uritur që tentojnë të marrin ndihma. Deputeti konservator britanik Kit Malthouse e quajti këtë sistem: “galeri pushkatimi, thertore”.
Anija “Madleen” nuk arriti në bregun e Gazës. Por ekuipazhi i saj ekspozoi një pamje të turpshme, që ka tronditur qytetarët perëndimorë – të cilët një ditë do t’i detyrojnë qeveritë e tyre të ndërpresin bashkëfajësinë. Dhe për këtë arsye, në fund, Izraeli do të humbasë.

Lexo edhe :  Putin: Rusia dënon veprimet e Izraelit: Duam të ndihmojmë në uljen e tensioneve

*Owen Jones është kolumnist i Guardian-it/ Përgatiti për botim: L.Veizi

Të fundit

3500 euro për letrat greke! Shoferi i autobusit si “agjenci punësimi”

Megjithëse është vetëm shofer dhe s’ka agjenci punësimi, Vango Zoto i mori një familje nga Delvina 3500 euro...

Greqia në alarm për situatën në Lindjen e Mesme, mbledhje urgjente!

Ministri grek i Mbrojtjes Nikos Dhendias ka thirrur pasditen e së mërkurës një mbledhje të jashtëzakonshme në sallën e Këshillit të Shefave të Shtabit...

“Me këtë strategji PD po e mbyll qepenin, zgjedhjet bashkiake…”

“Zgjedhjet lokale vijnë shpejt, njerëzit nuk janë budallenj…”, Lami: Me këtë strategji PD e ka mbyllur qepenin Analisti politik Roland Lami, në një koment gjatë...

Federata Angleze akuzon për doping shokun e Brojës te Chelsea

Mykhailo Mudryk është zyrtarisht akuzuar nga Federata Angleze e Futbollit (FA) për shkelje të rregullave antidoping, duke përballur mundësinë e një pezullimi deri në...

Netanyahu falënderon Trump për mbështetjen ndaj Izraelit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu falënderoi Presidentin e SHBA-së, Donald Trump për “qëndrimin në krahun tonë” ndërsa Izraeli ecën përpara me luftën e tij kundër...

Lajme të tjera

Web TV