Nga Koen Vossen*
Në fillim të këtij muaji, Geert Wilders vendosi se kishte ardhur fundi. “Asnjë firmë për planet tona për azilin. Asnjë ndryshim në marrëveshjen e koalicionit. PVV largohet nga qeveria”, shkroi ai në platformën X. Pas vetëm 11 muajsh, ai tërhoqi mbështetjen për kabinetin e djathtë të kryeministrit holandez Dick Schoof, duke detyruar vendin të shkojë sërish në zgjedhje.
Kështu përfundoi përvoja e parë në pushtet e Partisë së Lirisë (PVV) së ekstremit të djathtë të Wilders-it. Pas një fitore të papritur në zgjedhjet e vitit 2023, PVV hyri në qeveri për herë të parë në historinë e saj 18-vjeçare, së bashku me liberalët konservatorë të VVD-së, partinë centriste Kontrata e Re Sociale (NSC), dhe Lëvizjen Popullore të Fermerëve-Banorëve (BBB). Por aleatët nuk e lanë Wilders të bëhej kryeministër. Dhe premtimet për të reduktuar ndjeshëm emigracionin dhe për të zbatuar politika të ashpra për azilin u ndeshën me kufizime të shumta kushtetuese dhe ligjore.
Tani Holanda përballet me një pyetje të njohur: Çfarë kërkon në të vërtetë politikani 61-vjeçar – dhe si mendon ta arrijë?
Në letër, përgjigjja është e qartë. Me theksin mbi emigracionin, identitetin kombëtar, sovranitetin, demokracinë direkte dhe zbatimin më të ashpër të ligjit, PVV është një parti tipike populiste e ekstremit të djathtë. Në Parlamentin Evropian, ajo bën pjesë në grupimin Patriotët për Evropën, së bashku me Nacionalistët e Marine Le Pen, Fidesz-in e Viktor Orbánit dhe Lidhjen e Matteo Salvinit.
Në këtë rreth, Wilders është një nga ideologët më të spikatur dhe pararendës, duke promovuar një vizion alarmist për Islamin si një ideologji totalitare pushtimi. “Ecni në rrugët e Evropës perëndimore sot… dhe shpesh do të shihni diçka që ngjan me një qytet arab mesjetar, plot shamia dhe burka… Imigracioni masiv po ndryshon me shpejtësi kulturën dhe identitetin tonë. Islami po ngrihet dhe unë nuk dua që Islami të ngrihet! Islami dhe liria janë të papajtueshëm”, deklaroi ai në një fjalim në Konferencën Politike Konservatore (CPAC) në Budapest në maj.
Në botëkuptimin e tij, Izraeli është mbrojtësi kryesor i lirisë perëndimore ndaj Islamit dhe për këtë arsye meriton mbështetje të pakushtëzuar. “Nëse bie Jerusalemi, radhën e kanë Athina, Parisi apo Amsterdami”, deklaroi ai në parlamentin holandez javën e kaluar. “Nënat perëndimore flenë të qeta sepse nënat e ushtarëve izraelitë qëndrojnë zgjuar.”
Por kryqëzata e tij kundër Islamit hasi në pengesat e Kushtetutës holandeze, e cila garanton lirinë e fesë. Për të hyrë në koalicion, ai vendosi në “frigorifer” pozicionet më ekstreme – si ndalimi i Kuranit dhe mbyllja e të gjitha xhamive. Në vend të kësaj, u përqendrua në ndalimin e migracionit azil-kërkues nga vendet myslimane, riatdhesimin e sirianëve dhe mbështetjen e veprimeve ushtarake izraelite në Gaza dhe Bregun Perëndimor (të cilin ai vazhdimisht e quan “Judea dhe Samaria”). Por edhe në këto fusha hasi pengesa. Ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp, nën presionin e parlamentit dhe opinionit publik, ka adoptuar së fundmi një qëndrim disi më kritik ndaj qeverisë izraelite – gjë që e zemëroi thellë Wilders-in.
Në justifikimin e rënies së qeverisë, Wilders fajësoi rezistencën e aleatëve të tij, burokracinë, gjykatat dhe mediat. Por në të vërtetë, pjesa më e madhe e fajit është e tij. Gati 20 vite pas themelimit të PVV-së në shkurt të vitit 2006, kjo parti nuk funksionon ende si një parti e zakonshme politike. Duke shfrytëzuar një boshllëk në ligjin elektoral holandez, Wilders vendosi të mos lejojë anëtarësi formale. Si rezultat, as ministrat dhe as deputetët e PVV-së nuk janë zyrtarisht anëtarë të partisë. Ai ka dështuar të ndërtojë një organizatë politike profesionale që është në gjendje të qeverisë.
Ai e zgjodhi këtë strukturë të pazakontë edhe nga frika e oportunistëve dhe telasheve, por shumë vëzhgues e shohin Wilders-in si një figurë të dyshimtë dhe të vetmuar nga natyra, që kërkon kontroll total dhe shmang çdo konsultim. Rrethanat e sigurisë së tij, për shkak të një fetvaje, kanë përforcuar këto tendenca. “Nëse doja të takoja një kandidat, duhej të ndodhte në një hotel të fshehur, në katin e gjashtë, me gjashtë policë para derës sime”, ka thënë ai dikur në një intervistë.
PVV mbetet kështu e varur krejtësisht nga instinktet personale të Wilders-it. Ndryshe nga Lëvizja Kombëtare e Le Pen-it, Fidesz-i i Orbán-it apo Liga e Salvinit – që kanë dhjetëra mijëra anëtarë, degë lokale dhe struktura profesionale – PVV është vetëm një rreth i vogël i kontrolluar prej tij.
Kur i duhej të emëronte ministra, Wilders e kuptoi se nuk kishte kandidatë të zotë me përvojë administrative apo njohuri mbi sistemin politik holandez. Ai kurrë nuk investoi në trajnimin e njerëzve të tij ose në ndërtimin e një rrjeti administratorësh të ardhshëm. Në dëshpërim e sipër, emëroi disa ndjekës besnikë, si Marjolein Faber në postin e ministres për emigracionin, e cila më pas u përfshi në një skandal pasi refuzoi të firmosë dekorata për vullnetarët që ndihmuan azilkërkuesit dhe për deklaratën e rreme se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk ishte zgjedhur në mënyrë demokratike (më pas ajo e tërhoqi atë). Edhe ministra të tjerë të PVV-së u dalluan më shumë për gafat dhe paaftësinë e tyre. Pas rënies së kabinetit, disa prej tyre dukeshin të lehtësuar në daljet publike – si të kishin luajtur role që nuk i dëshironin dhe nuk mund t’i përballonin.
Wilders thotë se do të kandidojë për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. Por a e mendon me të vërtetë? Deri tani nuk ka asnjë dëshmi që tregon se ai po e merr më seriozisht qeverisjen. Pas eksperimentit të dështuar të muajve të fundit, edhe partnerët e ardhshëm të mundshëm do të jenë më të kujdesshëm – këtë javë VVD përjashtoi çdo aleancë të re me këtë “partner të pabesueshëm”. Dukshëm, Wilders – ideologu i vetmuar – duket më shumë i interesuar për opozitën, aty ku barra e përgjegjësisë është shumë më e lehtë.
*Koen Vossen është historian politik dhe autor i librit “Fuqia e Populizmit: Geert Wilders dhe Partia për Liri në Holandë”
Burimi: theguardian.com/ – Përgatiti për botim: Leonard Veizi