Vizioni ekonomik i Rachel Reeves po bëhet më i qartë – një vit me vonesë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në një epokë mosbesimi politik, votuesit nuk do të presin me durim për përfitimet e një plani investimi afatgjatë

Rafael Behr*

Një qeveri kaq e re nuk duhet të duket kaq e vjetër. Keir Starmer nuk e ka festuar ende përvjetorin e parë në Downing Street, por qeveria tashmë lëviz me ritmin e ngadaltë të një administrate kujdestare.

Në fillim pati hapa të dhimbshëm. Shkurtimi i pagesave për ngrohjen dimërore për miliona pensionistë u shpall brenda një muaji nga zgjedhjet e përgjithshme. Tani, përballë kundërshtimit të fuqishëm, ky vendim është anuluar në masë të madhe. Kursimet modeste për arkat shtetërore u arritën me një çmim të lartë në kapital politik.

Shfaqja e hershme e masave të kursimit nga ministrja e financave kishte për qëllim të tregonte se Laburistët e merrnin seriozisht disiplinën fiskale. Trashëgimia e keqmenaxhimit konservator – një mungesë prej 20 miliardë paundësh në të ardhura – mund të përdorej si justifikim.

Pensionistët nuk do ta mirëprisnin kurrë heqjen e përfitimeve të tyre, ashtu si fermerët do të ankoheshin për humbjen e lehtësirave të taksës së trashëgimisë, dhe bizneset nuk do ta falënderonin kurrë ministren për rritjen e kontributeve të sigurimeve kombëtare. Por ndoshta një qeverie të re që merr vendime të vështira do t’i jepej një farë tolerance; ndoshta kujtimi i qeverisjes së tmerrshme konservatore mund të shndërrohej në kredi për pasuesit e tyre.

Ideja ishte të paraqitej Britania, nën një drejtim të ri dhe të besueshëm, si një fener i rregullit në një botë kaotike dhe si një magnet për investime. Burimet publike të menaxhuara me kujdes do të përdoreshin për të nxitur rritjen – përmirësim të infrastrukturës së transportit dhe energjisë; ndërtim banesash. Mirëqenia do të vinte më pas, duke ngritur moralin kombëtar.

Rishikimi i shpenzimeve të kësaj jave pritet të jetë një moment kyç në zbatimin e atij plani. Do të ketë rritje të shpenzimeve kapitale dhe ditore prej përkatësisht 113 dhe 190 miliardë paundësh – shumë më tepër nga sa kishin propozuar konservatorët para zgjedhjeve. E kundërta e masave shtrënguese, këmbëngul Thesari. Rachel Reeves flet për një “rilindje kombëtare” të financuar si dividend i stabilitetit fiskal dhe politik.

Por departamentet e qeverisë që nuk janë përzgjedhur për bujari do të përballen me shkurtime të ashpra reale të buxhetit. Dhe përfitimet nga investimet në trena të rinj, shtëpi apo termocentrale nuk do të ndihen për vite, në disa raste për dekada.

Në një klimë më të favorshme, një qeveri e re mund të krenohej me politika afatgjata, pa e shndërruar çdo njoftim në manovër taktike. Por kjo do të kërkonte durim kombëtar, sakrificë kolektive në pritje të shpërblimit të mëvonshëm. Pas vitesh me paga të ngrira dhe fatura në rritje, votuesit britanikë nuk kanë shumë oreks për shtyrje të tjera të kënaqësisë.

Për më tepër, koha për të marrë një mandat të qartë për një program të tillë ishte para zgjedhjeve. Gabimi fatal në strategjinë ekonomike të Laburistëve ishte mbivlerësimi i vullnetit të mirë që do të kishin pasi të përmbushnin rolin elektoral si mjet për rrëzimin e konservatorëve.

Keir Starmer fitoi një shumicë të madhe duke u dukur i padëmshëm për sa më shumë njerëz të ishte e mundur. Fushata nisi nga ideja se Laburistët humbasin sa herë që votuesit mendojnë se ata planifikojnë një valë të rrezikshme taksash e shpenzimesh, ose dyshojnë se udhëheqësi i tyre është një fanatik i majtë. Këto rreziqe u neutralizuan me disiplinë të hekurt, por me një çmim – mungesë qartësie për agjendën paszgjedhore. Starmer mishëronte një kontradiktë – ndryshim pa tronditje. Kjo patjetër që do të shfaqej në përplasjen e parë me realitetin e qeverisjes.

Në një epokë të kaluar, përpjekja e Reeves për të zhvendosur fajin për vendimet e dhimbshme te trashëgimia e konservatorëve mund të kishte qenë më efektive. Ishte e qartë që kishte një rrëmujë për t’u pastruar dhe nganjëherë votuesit kanë kujtesë të gjatë. Dimri i pakënaqësisë i përmendej Laburistëve për më shumë se një dekadë për t’i mbajtur larg pushtetit. Skandalet e viteve ‘90 dhe braktisja e shërbimeve publike e bënë të njëjtën gjë për konservatorët. Sundimi i tyre i fundit plot turp duhet të sjellë një tjetër periudhë të gjatë pendese në opozitë.

Lexo edhe :  19 gusht 1981 – “Linja e Vdekjes”, SHBA-Libi përplasja ajrore mbi Gjirin e Sidrës

Ka gjasa që kështu të ndodhë, por jo domosdoshmërisht në favor të Laburistëve. Ndarja tradicionale e besnikërisë mes dy partive kryesore po shpërbëhet, ndoshta në mënyrë të pakthyeshme. Partia Reform UK kryeson rregullisht në sondazhet e opinionit. Ndërsa sa i përket këshillave vendore të kontrolluara, Liberal Demokratët janë partia e dytë më e madhe në Britaninë e Madhe.

Këto mund të jenë prirje kalimtare. Nuk është hera e parë që partitë më të vogla përfitojnë nga pakënaqësia ndaj qeverisë kur opozita kryesore mbetet e diskredituar dhe e përçarë pas rrëzimit të fundit nga pushteti. Në fund të vitit 1981, aleanca SDP-Liberal arrinte rreth 50% në sondazhe. Në zgjedhjet e përgjithshme, 18 muaj më vonë, fituan vetëm 23 vende në parlament.

Reform nuk është partia e parë që drejtohet nga Nigel Farage, dhe mjetet e mëparshme të tij – Ukip dhe partia Brexit – nuk arritën të përkthejnë kërcënimin e tyre afatmesëm në vende parlamentare. Por atëherë Konservatorët ishin ende konkurrues. Në vitin 2019, Farage nuk u përpoq as ta sfidonte Boris Johnsonin, duke tërhequr më shumë se 300 kandidatë për ta bërë më të mundshme shumicën konservatore.

Ka arsye për të besuar se kjo fragmentarizim aktual i mbështetjes për partitë përfaqëson një ndryshim më të qëndrueshëm në strukturën e politikës britanike. Ngjitja e Reform, kryesisht në dëm të konservatorëve, përputhet me një model ndërkombëtar ku populistët dhe nacionalistët sfidojnë partitë më të konsoliduara të djathta dhe, si në rastin amerikan, i gllabërojnë tërësisht gardianët e vjetër. Tradita e qendrës së djathtë të konservatorizmit anglez duket po aq e pamundshme për ringjallje sa edhe kufoma që dridhet e partisë Republikane para-Trump në SHBA.

Trende të fuqishme shoqërore dhe kulturore po i nxisin këto ndryshime. Ato shprehin një thellësi zhgënjimi dhe mosbesimi që nuk tundet lehtë nga apelimet e kandidatëve që perceptohen si mbrojtës të vazhdimësisë së sistemit ekzistues.

Kjo ndihmon të shpjegohet pse Laburistët nuk arritën ta mbajnë statusin e alternativës së preferuar ndaj Konservatorëve pothuajse menjëherë pas zgjedhjeve. Fushata theksoi sigurinë dhe qetësinë, duke e përkufizuar ndryshimin kryesisht si një ndërrim të personave në krye. Në mungesë të një agjende të qartë për të ardhmen, Starmer dhe Reeves përfunduan duke qenë pronarë të gjithçkaje që është e zymtë në të tashmen. Në një epokë të mosbesimit të thellë ndaj politikës, ishte shumë pak hapësirë për të fituar përfitimin e dyshimit. Thuajse brenda natës, Laburistët u bënë thjesht një grup tjetër politikanësh, që flasin njësoj, marrin masa të papëlqyera dhe gjejnë justifikime përse gjërat nuk po përmirësohen.

Kjo mund të duket e padrejtë ndaj ministrave që, me të drejtë, argumentojnë se buxheti i vjeshtës së kaluar dhe rishikimi i shpenzimeve i kësaj të mërkure e kanë vendosur Britaninë në një trajektore shumë të ndryshme nga ajo që kishin parasysh Konservatorët. Por muaj të çmuar u humbën, gjatë të cilëve kjo diferencë ishte shumë e vështirë për t’u dalluar, kur e vetmja agjendë e dukshme ishte një ndërhyrje e dhimbshme në status quo-në. Problemi nuk është drejtimi aktual, por cekësia e këndit ku vijat u ndanë që në korrikun e kaluar. Është hezitimi në hapat, qëndrimi i ngurtë, që e bën Laburizmin të duket më pak si një skuadër e re me hap të vendosur dhe më shumë si një rifreskim i një qeverisjeje të vjetër e të stërzgjatur.

*Rafael Behr është kolumnist i gazetës The Guardian.

Përgatiti për botim: L.Veizi

Të fundit

Po shkonte të merrte nusen, qëllohet për vdekje dhëndri

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Tunizi gjatë një ceremonie martese. Mediat e huaja bëjnë të ditur se mbrëmjen...

Tre shqiptarë u dogjën të gjallë brenda makinës! Arrestohet bullgari

56-vjeçari bullgar, drejtues i kamionit që shkaktoi aksidentin e rëndë ku humbën jetën 3 shqiptarë në Greqi, është arrestuar nga policia. Mësohet se pas daljes...

Balluku: Përballuam kërkesën e lartë për energji, kemi furnizim normal

Në një deklaratë për mediat të mbajtur nga salla SCADA e Operatorit të Transmetimit të Energjisë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda...

I prenë veshin dhe e goditën me shishe në kokë, detajet e 21-vjeçarit në Tiranë

Zbulohen të tjera detaje nga sherri mes disa të rinjve në Tiranë ku mbeti i plagosur një 21-vjeçar. Tre autorët e ngjarjes raportohet se...

Kosovarët bojkotojnë Shqipërinë, rikthehen serbët

Turizmi po shfaq tendenca të reja përgjatë këtij viti. Në total, ritmet e hyrjes së shtetasve të huaj në vend janë ngadalësuar ndjeshëm, në...

Lajme të tjera

Web TV