Në “Uliksi” të James Joyce, banori më i famshëm i Dublinit ishte po aq i irrituar nga transporti i qytetit më 1904, sa jemi edhe ne sot.
Dermot Hodson
Bordi i Planifikimit i Irlandës, An Bord Pleanála, do të vendosë më vonë këtë vit fatin e një projekti ambicioz për ndërtimin e metrosë së parë të vendit. Por banorët e kryeqytetit irlandez nuk po presin me entuziazëm. Që kur u propozua për herë të parë 25 vjet më parë, MetroLink është anuluar, rinisur dhe ri-markuar. Plani i tanishëm, që përfshin 18.8 km shina, ka pësuar vonesa, kosto që u rritën pesë herë më shumë nga parashikimi fillestar, dhe kundërshtime të forta nga pronarë, organizata të trashëgimisë dhe biznese.
Dublini, që strehon kompani të mëdha teknologjike, teatro dhe atraksione turistike, është ndër zonat metropolitane më të pasura të BE-së; por ai mbetet i vetmi kryeqytet i madh i Evropës Perëndimore pa metro. Askush tjetër, më shumë se Leopold Bloom, personazhi i James Joyce, nuk do të ishte irrituar nga absurditeti i situatës dhe nga përparimi i ngadaltë i MetroLink.
Transporti qëndron vazhdimisht në mendjen e Bloom-it teksa ai përshkon qytetin më 16 qershor 1904. Gruaja e tij Molly, vdekja e mikut Paddy Dignam dhe atësia e tij që po vihet në dyshim, qëndrojnë të parat, por ai kthehet vazhdimisht te ideja e “një linje tramvaji përgjatë North Circular nga tregu i bagëtive deri te porti”. Ajo që fillon si vëzhgim kalimtar për ndikimin që linja do të kishte te çmimet e shtëpive pranë Eccles Street, kthehet gradualisht në një propozim të plotë politik.
“Uliksi” është një histori që lëviz. Për rreth 17 orë, Bloom përshkon Dublinin, takon miq, të njohur e armiq. Që nga shëtitja e tij “esëll” në Westland Row, ku takon të dyshimtin C.P. M’Coy, e deri te shoqërimi që i bën të dehurit Stephen Dedalus nga Beresford Place për në Eccles Street, Bloom përshkon gati 9 milje. Ndaj, s’është çudi që ai lodhet nga fundi i ditës, kur shtrihet pranë Molly-t.
Flaneri i klasit të parë, Bloom, që vëzhgon me vëmendje transportin e Dublinit, acarohet nga ai. Tek Westland Row, ai shpërqendrohet nga biseda e M’Coy nga një grua që del nga hoteli Grosvenor; por shikimin ia ndërpret “një tram i rëndë që i bie burisë”, që e bën Bloom të shajë shoferin. Më vonë, ai dëshmon zënkën mes Dedalusit dhe Buck Mulliganit; i shqetësuar për Dedalusin, Bloom e ndjek, por e humbet stacionin. Kur arrin Nighttown, Dedalus gati rrihet nga dy ushtarë britanikë.
Këto nuk janë të vetmet raste te “Uliksi” ku sistemi i transportit i qytetit shfaqet i paefektshëm. Tek Shtylla e Nelsonit, një dispeçer me zë të ngjirur dërgon tramvajet me energji të madhe drejt Rathgarit, Terenure, Sandymount Green dhe Palmerston Park. Por tramvajet shpejt qëndrojnë pa lëvizur nga ndërprerja e energjisë. Ndërkohë që “karrocat, taksitë, qerret e dorëzimeve, furgonët e postës, karrocat private” dhe “karrocat që transportojnë ujë mineral” kalojnë, trafiku që Bloom kërkon të lehtësojë me planin e tij përkeqësohet.
“Nuk arrij të kuptoj pse bashkia nuk vë një linjë tramvaji nga Park Gate deri te porti. Të gjitha ato kafshë mund të transportoheshin me kamionë nga atje te anijet”, u thotë Bloom shoqëruesve të tij, ndërsa kortezhi i varrimit të Dignamit lëviz ngadalë drejt Glasnevin. Linja e tramvajit, sipas Bloom, duhet të zgjatej edhe atje, që të përdorej “një tramvaj i bashkisë për funerale, siç kanë Milani.”
Pasioni i Bloomit për veprat publike qëndron që nga rinia e tij dhe nuk habit, po të kihet parasysh që ai dikur mendoi të kandidonte për deputet, dhe që, sipas imagjinatës që i jep Joyce, ai mbështet “programet ekonomike kolektive dhe kombëtare” të nacionalistëve radikalë irlandezë. Megjithëse entuziazmi i Bloomit për politikën ishte zbehur, ai qëndron një nacionalist. Për të, nacionalizmi nuk lidhet me gjuhën irlandeze — që ai nuk e flet — as me dhunën politike — që ai e urren. Nationalizëm, për Bloomin, do të thotë të qeverisësh Irlandën për të mirën e vendit, duke filluar nga infrastruktura.
Në Irlandën para pavarësisë, pushteti britanik ishte i pranishëm kudo, më 16 qershor 1904. Por ai po dobësohej. Karroca e nënmbretit që kalon nga rrugët e Dublinit kalon pa u përshëndetur nga banorët, ndërsa kalimtarët pyesin veten a arrijnë më shpejt në Phibsborough “duke ndërruar 3 herë tramvaj” apo “duke marrë taksi, a më këmbë.” Edhe këtu, transporti i Dublinit duket i paefektshëm, por nënmbreti as që interesohet, e as që ka pushtet të veprojë.
Në lagjen e Nighttown, Bloom përjeton një halucinacion ku ai emërohet kryebashkiak i Dublinit. Propozimi i tij i parë, që qyteti të ndërtojë një linjë tramvaji “nga tregu i bagëtive deri te porti”, pritet me duartrokitje nga këshilltarët. Por turma shpejt kthehet kundër Bloomit dhe e kërcënon me vaj të vluar.
Në shtëpinë e tij, në Eccles Street, Bloom i jep liri imagjinatës si pjesë e ritualit para gjumit, që i siguron “qetësi, pushim dhe ripërtëritje”. Por mendimet e tij shpejt kthehen sërish te ai që tani ishte shndërruar në një prospekt të detajuar të linjës së re të tramvajit. Sipas Bloomit, skema do të financohej nga “tarifat e blegtorëve” dhe do të garantohej nga “financierë të shquar”.
“Uliksi” qëndron i fiksuar te detajet e transportit, jo thjesht për të dhënë kolorit dhe humor, por edhe për të shprehur shpresën e Joyce-it për një Irlandë që realizon potencialin e saj. Përmes skemës gjithnjë e më të ndërlikuar të tramvajit, Bloom personifikon reformatorin progresiv që, sipas shkrimtarit, mund të shëronte paralizën politike të vendit. Molly Bloom, nga ana tjetër, shpreh frikën e Joyce-it që politika irlandeze do të mbetet përgjithmonë fjalë, pa veprim. Sipas saj, predikimet e Bloomit për Sinn Féin-in s’janë veçse “marrëzi”.
Investimet publike dhe teknologjia e kanë transformuar Dublinin që nga viti 1904, por Leopold Bloom do t’i njihte ende të metat e transportit të sotëm. Kostoja e lartë. Mbulimi i pjesshëm. Ndërprerjet e herëpashershme. Studimet e fundit tregojnë se kryeqyteti irlandez renditet ndër qytetet më të ngarkuara nga trafiku, dhe që ka transportin publik më të shtrenjtë në Evropë. Ndërsa metrot si “Crossrail” i Londrës apo “Grand Paris Express” përparojnë, strukturat tejet të centralizuara qeveritare të Irlandës e lënë kryeqytetin pa ndikim të mjaftueshëm për të vendosur vetë për të ardhmen e tij. Zgjedhja e një kryetari të Dublinit do të ndihmonte, por kjo ide duket po aq e largët sa ishte edhe gjatë natës delirante që përjetoi Bloom.
Pas 25 vjetësh bisedimesh, MetroLink duhet të shohë dritën jeshile. Sado i irrituar që do të ishte Bloom nga vonesat, ai do të aprovonte me entuziazëm gjurmën e propozuar, veçanërisht seksionin nga Glasnevin te Mater, që kalon pranë Eccles Street, shtëpisë ku ai banonte. Tani, sikur planifikuesit të kishin parasysh edhe vagonët e bagëtive dhe makinat e funeralit, Dublini do të kishte më në fund një skemë që i shkon për shtat banorit të tij më të famshëm fiktiv – “reformatorit më të madh të botës”.
Dermot Hodson është profesor i ekonomisë politike në Loughborough University dhe autor i “Rrethi i Yjeve: Një Histori e BE – dhe Njerëzve që e Ndërtuan Atë”.
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi