nga Leonard Veizi
Një hije u shtri papritmas mbi botën dixhitale.
Një heshtje e pazakontë pushtoi ekranet, aplikacionet, platformat që përdorim çdo ditë, që i marrim si ajri që thithim. Me të, u ndërpre edhe fluksi i informacionit që mban gjallë jetën moderne — nga transaksionet bankare te komunikimi, nga shërbimet qeveritare te mediat. Atë që mendonim të përjetshme, që besonim se qëndron “në re”, të patundur e të pashtershëm, e pamë të lëkundej nga themelet. Ndërprerja e 12 qershorit 2025 ishte si një alarm që ra pa paralajmërim, për të na kujtuar se bota që kemi ndërtuar qëndron mbi disa fije që mund të prishen nga çasti në çast.
Të enjten e 12 qershorit 2025, një pjesë e madhe e internetit botëror u ndërpre, duke shkaktuar një efekt domino mbi dhjetëra platforma dhe shërbime dixhitale. Nga infrastruktura e rëndësishme si Cloudflare — që siguron mbrojtje dhe shpejtësi për miliona faqe — e deri te aplikacionet që përdorim çdo ditë, si Spotify, Discord apo ChatGPT, shumë shërbime u bënë të paarritshme për përdoruesit. E ndërsa paniku përhapej virtualisht, lajmet nisën të sinjalizonin se në rrënjë të ndërprerjes mund të qëndronte një defekt në rrjetin Google Cloud.
Ky ishte lajmi që qarkulloi.
Ky incident na shtyn drejt një pyetjeje thelbësore:
A është bota moderne, në tërësinë e saj teknologjike, realisht e sigurt?
Sepse nuk po flasim më për një server lokal të një institucioni, por për nyje qendrore të një infrastrukture globale, të mbikëqyrur nga pak kompani që kontrollojnë të dhënat, lidhjet, dhe madje ritmin e jetës sonë të përditshme.
Në këtë situatë, nuk është më paranojë të shtrojmë një dilemë të vjetër me forcë të re:
A duhen mbajtur databazat edhe në mënyrë manuale?
Në një kohë kur gjithçka është e digjitalizuar — nga aktet e pronësisë te dosjet mjekësore, nga llogaritë bankare te arkivat kombëtare — a është e mençur që gjithçka të ekzistojë vetëm si shifra në një server të huaj, diku në një “cloud”? E nëse ai “cloud”, për një çast, “zhduket”, çfarë ndodh me historinë tonë, me kujtesën tonë, me të vërtetat tona?
Në vend të një epoke më të sigurt, teknologjia mund të ketë krijuar një iluzion sigurie. Sepse ajo që ndodhi të enjten ishte më shumë sesa një defekt teknik — ishte një kujtesë brutale se jemi shumë më të varur sesa na pëlqen të besojmë.
Dikur kishim frikë nga një rrymë që mund të fshinte fjalë të shkruara në letër. Sot, mjafton një gabim i padukshëm në një server, dhe fshihet një botë e tërë.
Pyetjet që dalin nga kjo situatë: A duhet të diversifikojmë infrastrukturën tonë dixhitale, që të mos vendosim të gjithë “vezët” në të njëjtën shportë? A duhet të mendojmë për kopje rezervë, që ruhen fizikisht, jashtë rrjetit? A jemi gati të pranojmë që teknologi që përdorim çdo ditë, sado i sofistikuar, mbetet i prekshëm?
Në fund, ndërprerja e 12 qershorit 2025 shërben si një paralajmërim. Ajo na tregon se qëndrueshmëria e shoqërisë moderne qëndron, paradoksalisht, te qëndrueshmëria e disa linjave të padukshme. Por, po ashtu, na fton të mendojmë: a duhet që e ardhmja jonë të varet kaq shumë nga to?