Valentina Vladimirovna Tereshkova lindi më 6 mars 1937, në Maslennikovo, një fshat i vogël pranë Jaroslavlit, Rusi. Ajo vinte nga një familje e thjeshtë punëtorësh; babai i saj vdiq si ushtar gjatë Luftës II Botërore, ndërsa e ëma punonte si punëtore tekstili. Valentina filloi të punonte që herët, që 18 vjeçe, në një fabrikë tekstili, dhe paralelisht u bë entuziaste e parashutizmit, që i hapi rrugën karrierës së saj si kozmonaute.
Përzgjedhja
Bashkimi Sovjetik, që nga fillimi i garës hapësinore, ishte i vendosur të arrinte i pari edhe “fluturimin e parë të një gruaje” në hapësirë. Pas fluturimeve të Gagarinit dhe Titovit, autoritetet sovjetike filluan të përzgjedhin kandidate femra që kishin përvojë parashutizmi. Valentina Tereshkova u zgjodh nga qindra aplikante, që u vlerësuan si fizikisht të qëndrueshme, psikologjikisht të forta, ideologjikisht të besueshme, dhe që kishin eksperiencë me parashutën.
Fluturimi i Vostok 6
Fluturimi i saj u realizua nga 16 qershori 1963, nga Kozmodromi Baikonur. Anija Vostok 6, e pilotuar nga Tereshkova me shenjën e thirrjes “Çajka” (Pulëbardha), u lëshua me sukses, duke e dërguar kozmonauten 26-vjeçare në orbitën e Tokës.
Një nga veçoritë e misionit ishte që Vostok 6 u lëshua ndërsa Vostok 5, me kozmonautin Valeri Bikovski, ishte ende në orbitë. Gjatë qëndrimit të tyre të përbashkët, dy anijet u afruan disa kilometra nga njëra-tjetra, dhe të dy kozmonautët patën mundësi të komunikonin me radio.
Detyrat e misionit
Gjatë 3 ditëve që qëndroi në hapësirë (nga 16-19 qershor), Tereshkova:
-Komandoi anijen Vostok 6.
-Bëri vëzhgime, kreu eksperimente, dhe dokumentoi pamjet nga orbita.
-Mori fotografi që u përdorën për të analizuar sipërfaqen e Tokës.
-Monitoroi gjendjen e saj shëndetësore dhe qëndrimin e organizmit të femrës në kushtet e gravitetit zero.
Fluturimi i saj vërtetoi që trupi i femrës i qëndron po aq mirë mjedisit të hapësirës, që ishte edhe qëllimi kryesor i misionit.
Rëndësia historike
Fluturimi i Valentina Tereshkovës ishte një moment historik, që:
-Theu barrierën gjinore që qëndronte edhe në fushën e eksplorimit të hapësirës.
-Tregoi që edhe gratë mund të përballojnë kushtet e vështira të fluturimeve kozmike.
-I dha Bashkimit Sovjetik edhe një epërsi propagandistike, që u përdor gjerësisht si provë e barazisë që ai promovonte.
Jeta pas misionit
Pas misionit, Valentina u nderua si Heroinë e Bashkimit Sovjetik. Ajo u bë figurë e shquar publike, u zgjodh deputete, dhe përfaqësoi vendin e saj në organizata ndërkombëtare.
Tereshkova qëndroi si e vetmja grua që fluturoi e vetme, pa shoqërimin e kozmonautëve të tjerë, deri në vitin 1982, kur Svetlana Savickaja u bë gruaja e dytë që udhëtoi në hapësirë.
Trashëgimia
Fluturimi i Valentina Tereshkovës shënoi një nga arritjet më të mëdha të shekullit XX, jo vetëm për kozmonautikën, por edhe për të drejtat e grave. Ajo u bë simbol i barazisë, i guximit, dhe i vendosmërisë, dhe mbetet edhe sot e respektuar si pioniere e fluturimeve hapësinore.
Përgatiti: L.Veizi