Nga Mentor Hoxha, Francë
Fundjava në Lyon të Francës shënoi fillimin dhe mbarimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të këtij qyteti. Më 14 dhe 15 qershor 2025 u organizuan les Fêtes consulaires (Festat konsullore) ku morën pjesë 51 konsullata nga e gjithë bota, midis tyre edhe Kosova e Shqipëria. Në këtë festival të përvitshëm konsullor, selitë diplomatike në Lyon ngritën stendat në Place Bellecour, sheshi kryesor i Lyonit dhe prezantuan historinë, kuzhinën dhe kulturën e vendeve të tyre para mijra vizitorëve. E veçanta e këtij edicioni ishte bashkimi i Shqipërisë dhe i Kosovës në një stendë të përbashkët, ndryshe nga vitet e tjera ku stendat e tyre ishin pranë njëra-tjetrës, por të ndara. Festat Konsullore në Lyon kanë nisur që para 20 vitesh. Shqipëria merr pjesë që nga viti 2011, kurse Kosova është pjesmarrëse që nga viti 2013.
Kryetari i Bashkisë së Lyonit, Z. Grégory Doucet, vizitoi më 14 qershor stendat e 51 konsullatave. Ai ndaloi për pak minuta edhe në Stendën e Shqipërisë dhe të Kosovës ku shijoi byrekun dhe petullat shqiptare. Ai u prit nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Z. Mehdi Halimi dhe stafi i tij: Time Hysaj, Arber Maliqi, Venera Gjevukaj dhe Arben Behrami. Të pranishëm ishin edhe konsulli i Nderit i Shqipërisë në Lyon Z. Denis di Leonardo dhe konsulli i ardhshëm i nderit për Kosovën në Lyon Z. Roger Forneris (ish drejtor teknik i aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”). Më 13 qershor 2025, ambasadori i Kosovës përfaqësoi Kosovën në pritjen e organizuar me rastin e Festave Konsullore në Lyon. “Pata kënaqësinë të përfaqësoj Republikën e Kosovës në pritjen e organizuar me rastin e Festave Konsullore në Lyon, me ftesë të Kryetarit të Bashkisë së Lyonit, z. Grégory Doucet”, u shpreh ai. Sipas tij, “ky moment i rëndësishëm, i vendosur nën shenjën e dialogut dhe miqësisë ndërmjet popujve, dëshmon për pasurinë e marrëdhënieve ndërkombëtare që promovojnë qytetet e hapura ndaj botës”. Halimi falënderoi shumë qytetin e Lyon-it për mikpritjen e ngrohtë dhe për vlerësimin e diversitetit diplomatik”. Stendat e Shqipërisë dhe të Kosovës u realizuan nga Ambasada e Shqipërisë dhe e Kosovës në bashkëpunim me shoqërinë shqiptare “Iliria” në Lyon me presidente znj. Elisabeta Gjegji-Shehi, si dhe nga Rina Çela, Abaz Pllana, Dan Bozhlani, Avni Bilali, Rajmond Shehu, Erlin Goci dhe Fehmi Plakiqi.
Në këto stenda kanë marrë pjesë personalitete të njohura shqiptare në Francë, veçanërisht në Lyon. Në gjashtë vitet e fundit, këto stenda janë dominuar nga punimet e mrekullueshme artistike të piktorit të njohur shqiptar me banim në Lyon, Klement Sina. Këtë vit, ai nuk ishte i pranishëm, pasi ndodhej me pushime në Shqipëri. Në këtë edicion, u prezantua kënga dhe muzika popullore shqiptare nga ansambli i njohur folklorik shqiptar “Ilirët”, i cili erdhi enkas nga Zvicra. Pesëdhjetë anëtarët e këtij ansambli, të veshur me kostumet e mrekullueshme tradicionale shqiptare bënë një performancë të shkëlqyer me këngë e valle popullore duke rrëmbyer duartrokitjet e zjarrta të pjesmarrësve të shumtë. Përmes daulleve, curleve, çiftelive dhe kostumeve shumëgjyrëshe nga të gjitha trevat shqiptare, ata prezantuan folklorin shqiptar në zemrën e Lyonit.
Ky ansambël u mbështet financiarisht nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Paris, e cila meriton mirënjohjen dhe respektin tim dhe të mijra bashkëqytetarëve të mi në Francë për punën e madhe që ka bërë dhe po bën në promovimin e kulturës, historisë dhe traditave shqiptare në Francë. Si gazetar profesionist me një karrierë mbi 15 vjeçare në median e shkruar shqiptare dhe si rezident në Francë prej 8 vitesh jam shumë i impresionuar nga komunikimi dhe puna e shkëlqyer diplomatike e atdhetare e kësaj ambasade. “Mbështetje ka dhënë edhe Ambasada e Shqipërisë në Paris”, thotë presidentja e shoqërisë “Iliria”, Elisabeta Gjegji-Shehi. Krahas këngëve dhe valleve, u promovuan edhe verërat shqiptare nga Serxhio Prelashi, promotor dhe prodhues i verës në Francë. Prezent në këtë festival ishte edhe arkitektja e arsimuar në Francë, Hega Kapllani dhe shoqata shqiptare në Marsejë “Besa-Besë” me presidente Floriana Gocaj.
Në edicionin e kaluar, u prezantuan letërsia dhe arti shqiptar përmes punimeve artistike të Shemsi Krasniqit, Klement Sinës dhe Rafael Shehit, si dhe u promovua Encyclopédie: Les personnalités albanaises de France (Enciklopedia: Personalitetet shqiptare të Francës nga lashtësia deri në ditët tona) të gazetarit Mentor Hoxha, ku një kopje u mor me autograf nga krybashkiaku i Lyonit, Z. Grégory Doucet.
Les Fêtes Consulaires (Festat konsullore) janë një nga ngjarjet më popullore dhe më të madha në Lyon. Ata organizohen prej më shumë se njëzet vitesh nga qyteti i Lyonit, në bashkëpunim me Trupin Konsullor të këtij qyteti. Shqipëria merr pjesë që nga viti 2011, kurse Kosova është pjesmarrëse që nga viti 2013. Ky festival unik në Francë tërheq mijra vizitorë. Çdo vit, më shumë se 30,000 njerëz mblidhen në këtë festival të madh për të shijuar aktivitetet e ofruara nga trupi konsullor: ekspozita, art, letërsi, vallëzim, gastronomi, etj. Kjo u mundëson vizitorëve të zbulojnë pasurinë dhe diversitetin e vendeve që marrin pjesë. Të pajisur me një pasaportë të shpërndarë falas në stendën e Qytetit të Lionit, vizitorët e të gjitha moshave kanë mundësinë të ndjekin një turne të fshatit, duke i ftuar ata të bashkëveprojnë me konsullatat dhe shoqatat e pranishme për të mësuar më shumë rreth vendeve të tyre. I përbërë nga rreth 70 konsullata, Lyoni është një nga trupat konsullore më të mëdha në Francë.