Vazhdimi i projektit të ‘Lungomares’ në Vlorë ka rikthyer IKMT në zonën e Radhimës për të vijuar prishjen e objekteve pa lejë.
Por një subjekt privat i ndodhur në këtë zonë pretendon se është i pajisur me dokumentacionin përkatës dehe se është taksapagues i rregullt. Madje administratorja e subjektit pretendon se ka siguruar lejen nga vetë institucionet shtetërore.
“Aktualisht, duke qenë se dhomat janë të certifikuara kam dorëzuar dokumentacionin e certifikatës së pronësisë dhe nuk më ka thënë njeri që ky objekt ka shtesa të jashtëligjshme dhe mos të ma certifikonin. Kam të gjitha faturat që kam paguar taksat për vitin 2025, të gjitha këto janë paguar paradhënie, kam marrë kontratën e plazhit për 200m² për dhomat”, thotë Rosela Toska, administratore biznesi.
Sipas administratores, objekti po shembet me pretendimin se është pjesë e projektit Lungomare, por ajo thotë se kanë biseduar edhe me firmën, inxhinierin që zbaton punimet dhe ai i thotë se aty, në atë zonë, kanë përfunduar punimet. Po ashtu ajo është detyruar ti kthejë pagesat pushuesve që kanë prenotuar në dhomat e plazhit.
“Nuk kërkoj asgjë më shumë, të paktën të mbyllim këtë sezon turistik dhe më pas të bëjnë çfarë të duan, është e drejta e shtetit, por unë dua të mbyll sezonin. Unë kam hedhur mundin dhe djersën time. Po i çmontojmë vetë sepse nuk mund të lëmë skrepin t’i prishë. Pse duhej të bëhej kjo në kulmin e sezonit kur mund të më thoshin më përpara që do bëhet Lungomare dhe inxhinieri na ka thënë që nuk do ketë ndërhyrje në këtë zonë, ne i kemi mbyllur punimet. Ne nuk lëvizim që këtu”, shprehet ajo.
“Turistët janë larguar në një mënyrë makabre duke i sistemuar në njësi të tjera akomoduese dhe duke ju kthyer lekët, kjo është e turpshme.”
IKMT disa ditë më parë zhvilloi një aksion të përgjithshëm edhe në Jalë dhe Dhërmi, por është tërhequr nga shembjet nga këto zona duke u zhvendosur në Radhimë, ku janë edhe disa subjekte të tjera për t’u shembur./e.t