“Hapësira ajrore e Shqipërisë është po aq e rrezikuar nga Irani sa vetë Europa”. Kështu u shpreh në një intervistë përA2CNN, kreu i Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj. Ai shpjegon ndërkohë efektet e tjera me të cilat po përballet aviacioni shqiptar si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Përsa i përket sigurisë së Shqipërisë ka po aq rrezik sa për të gjithë kontinentin. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe gëzon të njëjta privilegje e detyrime sa i përket sovranitetit të vendit dhe nga pikëpamja e Aviacionit Civil,(hapësira ajrore) Shqipëria është e mirëintegruar në sistemin europian. Nëse Europa do të vuajë, do të vuajë dhe Shqipëria. Shqipëria do të vuajë si një kontinent i tërë”, tha ai për A2 CNN.
Ai thekson se kjo krizë do të rrisë ngarkesën në kontrollin dhe menaxhimin e trafikut ajror europian.
“Kemi që nga viti 2022 që jemi në një cikël krizash dhe ai që ka vuajtur më shumë është aviacioni civil. Për shkak të konfliktit Rusi Ukrainë kemi 25% më pak hapësirë ajrore në Europë. Kriza në Izrael ka bërë që hapësira e Sirisë, Irakut, Iranit, Jordanisë dhe Izraelit është e mbyllur. Avionët civilë e anashkalojnë këtë duke rritur numrin e operimeve në Shqipëri e Greqi. Nuk shoh rrezik për sigurinë, por ngarkesë të shtuar për sistemin europian të aviacionit civil e kontrollin e trafikut ajror në lidhje me fluksin e menaxhimit të fluturimeve”, deklaroi ai për A2 CNN. m.p.