Antony Blinken: Sulmi i Trump ndaj Iranit ishte një gabim i madh

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Antony J. Blinken, ish-Sekretar i Shtetit gjatë presidencës së Joe Biden.

Botuar fillimisht në “New York Times”

Sulmi i Shteteve të Bashkuara ndaj tre prej objekteve bërthamore të Iranit ishte i paarsyeshëm dhe i panevojshëm. Tani që është kryer, shpresoj me gjithë zemër që të japë sukses.

Ky është paradoksi për shumë ish-zyrtarë si unë, të cilët janë marrë me problemin bërthamor të Iranit në administratat e mëparshme. Ne ndajmë të njëjtën vendosmëri: që Irani të mos lejohet kurrë të prodhojë apo të zotërojë një armë bërthamore. Irani pa armë bërthamore është mjaft problematik: një nga sponsorët kryesorë të terrorizmit; një fuqi shkatërruese dhe destabilizuese përmes grupeve të tij nën kontroll në Liban, Siri, Gaza, Jemen dhe Irak; një kërcënim ekzistencial për Izraelin. Një Iran me armë bërthamore do të ndjehej më i guximshëm për të vepruar me edhe më shumë pandëshkueshmëri në të gjitha këto fronte.

Pse ishte një gabim ky sulm?

Së pari, nuk duhej të arrinim deri këtu. Në vitin 2015, administrata Obama, së bashku me Britaninë, Francën, Gjermaninë, Rusinë, Kinën dhe Bashkimin Europian, arriti një marrëveshje me Teheranin për Planin Gjithëpërfshirës të Veprimit të Përbashkët (JCPOA). Kjo marrëveshje e vendosi programin bërthamor të Iranit në një “kasafortë”, me procedura të rrepta për monitorimin e tij. Ajo e zgjaste kohën e nevojshme që Irani të prodhonte sasinë e nevojshme të uraniumit të pasuruar për një bombë në të paktën një vit. Nëse Irani do ta shkelte marrëveshjen ose nuk do ta zgjaste pas përfundimit të disa dispozitave pas 15 vitesh, ne do ta dinim dhe do kishim kohë të mjaftueshme për të reaguar, përfshirë edhe ushtarakisht nëse do ishte e nevojshme.

Në vitin 2018, Presidenti Trump e anuloi marrëveshjen dhe nuk e zëvendësoi me asgjë. Si kundërpërgjigje, Irani e përshpejtoi programin e pasurimit, duke ulur ndoshta kohën e nevojshme për ndërtimin e një bombe bërthamore në vetëm pak ditë apo javë. Në thelb, z. Trump tani po përpiqet të shuajë një zjarr mbi të cilin ai vetë hodhi benzinë.

Së dyti, materiali i zbërthyeshëm është i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për një bombë. Duhet gjithashtu një pajisje shpërthyese. Sipas shërbimeve tona të inteligjencës, pavarësisht mesazheve të ndryshme nga administrata Trump, Irani nuk ka marrë ende vendim për të kaluar në fazën e armatosjes. Nëse dhe kur ta marrë këtë vendim, atyre do t’u duhen 18 deri në 24 muaj për të ndërtuar një pajisje shpërthyese. Pra, kishte ende kohë që diplomacia të funksiononte dhe situata nuk ishte aq emergjente sa e paraqiti z. Trump.

Së treti, sipas ekspertëve me të cilët kam folur, ekzistojnë dyshime të mëdha për efektivitetin e bombës së njohur si Massive Ordnance Penetrator (M.O.P.), bomba 30 000 paundëshe unike në arsenalin amerikan, për të shkatërruar plotësisht objektin e Fordow-it dhe komponentë të tjerë të thellë apo të fortifikuar të programit bërthamor iranian. Raportet fillestare sugjerojnë se infrastruktura bërthamore iraniane është dëmtuar rëndë, por jo shkatërruar plotësisht.

Lexo edhe :  Trump i përgjigjet Iranit: Është e vështirë t’i kërkosh Izraelit të ndalë sulmet

Së katërti, gjatë simulimeve të opsioneve ushtarake në kohën e administratës Biden, kemi pasur shqetësime se Irani do të shpërndante rezervat e tij të uraniumit të pasuruar në lokacione të sigurta dhe do të ruante centrifugat e nevojshme për ta pasuruar atë sasi më tej në kohë të shkurtër. Në këtë skenar, regjimi iranian mund të fshihte materialin e tij afër gradës së armës, të jepte dritën jeshile për armatosje dhe të niste një sprint drejt ndërtimit të një bombe. Pra, sulmi i z. Trump mund të sjellë pikërisht atë që donim të shmangnim, një përsëritje e mundshme e sulmit të Izraelit ndaj reaktorit Osirak të Irakut në vitin 1981, pas së cilës Sadam Huseini e përshpejtoi programin e tij në mënyrë të fshehtë.

Së fundmi, edhe pse nuk ka dyshim se ky sulm e ka penguar përkohësisht programin bërthamor të Iranit, Irani mund të rindërtojë shpejt në vende dhe në thellësi që janë praktikisht të paprekshme nga sulmet ajrore, ndërsa njëkohësisht e ndjek edhe procesin e armatosjes. Pra, edhe pse programi i tyre është ndërprerë ndjeshëm dhe fitimi i kohës është pozitiv, kjo nënvizon faktin se mbajtja e JCPOA (marrëveshjes së Obama-s) ishte opsioni më i mirë. Ajo na siguronte të paktën 15 vite, në vend të vetëm disa muajve. Dhe na shpëtonte nga rreziku i kundërpërgjigjes iraniane, siç ishin sulmet me raketa të së hënës ndaj forcave tona në rajon, si dhe nga përshkallëzimi i mëtejshëm, përfshirë rrezikimin e lëvizjes së naftës globale nëpër Ngushticën e Hormuzit, operacione terroriste në tokën amerikane apo sulme kibernetike të sofistikuara.

Dhe, paradoksalisht, veprimet e z. Trump ishin të mundshme vetëm falë punës së administratave Obama dhe Biden.

Administrata Obama përshpejtoi zhvillimin e bombës M.O.P. dhe përgatiti planet e kontingjencës për operacione të tilla si ai që autorizoi z. Trump. Presidenti Biden udhëzoi ekipin e tij që t’i stërviste dhe përmirësonte ato plane. Në vitin 2023, zhvilluam gjithashtu stërvitjen më të madhe ndonjëherë me Izraelin, një lloj provë gjenerale për veprimin më të fundit.

Gjithashtu, z. Biden mbështeti përpjekjet e suksesshme të Izraelit për të dobësuar rëndë Iranin dhe përfaqësuesit e tij. Dislokimet tona ushtarake, përpjekjet për zmbrapsje dhe mbrojtja aktive e Izraelit kur Irani e sulmoi drejtpërdrejt për herë të parë, i lejuan Izraelit të godiste përfaqësuesit iranianë dhe mbrojtjen ajrore të Iranit pa shkaktuar një luftë të gjerë. Kjo krijoi një situatë të favorshme për z. Trump për të negociuar marrëveshjen e re bërthamore që ai premtoi vite më parë — ose për të sulmuar. Do të dëshiroja që ai ta kishte ndjekur rrugën diplomatike që i kishim lënë. Tani që vendimi ushtarak është marrë, më mbetet vetëm të shpresoj që dëmi që kemi shkaktuar ka qenë maksimal — dëmi që i jep presidentit fuqinë e nevojshme për të arritur më në fund marrëveshjen që deri tani nuk ka arritur ta realizojë. m.p.

Të fundit

Berisha e kërkoi në parlament, Sara Mila i përgjigjet me videomesazh

Deputetja e re e Partisë Socialiste, Sara Mile, ka reaguar pas thirrjes publike që i bëri në Kuvend lideri...

Shqipëria dënon sulmin e Iranit ndaj Katarit

Shqipëria i është bashkuar bashkësisë ndërkombëtare në dënimin e sulmit të Iranit ndaj shtetit të Katarit. Në një postim në X të Ministrisë së Jashtme...

Shifrat, bankat kanë dhënë 4 mld euro kredi për banesa ose pasuri të paluajtshme

51% e totalit të kredisë të dhënë nga sektori bankar deri në fund të vitit 2024, për individët dhe bizneset, është dhënë për blerje...

Dueli i shekullit, Ronaldo dhe Messi mund të përballen sërish pas 5 vitesh

Pesë vite pas përballjes së fundit zyrtare, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi mund të rikthejnë rivalitetin mes tyre, këtë herë në Saudi Pro League....

Trump sulmon CNN dhe New York Times: Të pushohen gazetarët!

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërkoi që CNN dhe The New York Times të pushojnë nga puna “MENJËHERË” të enjten gazetarët që raportuan për...

Lajme të tjera

Web TV