Nga Polly Toynbee
Sigurisht që punonjësit e sektorit publik duhet të paguhen siç duhet. Por në një shoqëri ku pagat kanë ngecur, mbështetja për grevat po venitet. “Sepse e meriton,” thotë reklama. Por të përcaktosh kush sa vlen është më e vështirë sot sesa ishte gjysmë shekulli më parë. Ndaj, ndërsa mjekët votojnë për një grevë të re, si do ta vlerësojë publiku shpërblimin që meritojnë?
Rreth 50 mijë mjekë rezidentë – më parë të njohur si “junior doctors” – po vendosin nëse do të dalin sërish në grevë në Angli. Seria e grevave që zgjati një vit e gjysmë përfundoi kur ministri i Shëndetësisë Wes Streeting ra dakord për një rritje page prej 22.3% për dy vite. Tani, mjekët specialistë (konsulentë) do të votojnë për grevë, me qëllim rikuperimin e 26% të rënies reale të pagave që, sipas Shoqatës Britanike të Mjekëve (BMA), ka ndodhur që nga viti 2008.
Publiku i mbështeti mjekët në grevë vitin e kaluar, pavarësisht 1.3 milion konsultave të humbura, që i kushtuan NHS-së 1.5 miliardë paund. Përtej pagave, ishte një protestë kundër një qeverie që kishte zhveshur shërbimin shëndetësor deri në palcë: kënaqësia publike për NHS-në arriti kulmin në 2010, por vitin e kaluar ra në nivelin më të ulët ndonjëherë. Kishte ndjesinë e përbashkët midis personelit dhe publikut se kjo bëhej për të mbrojtur vetë ekzistencën e sistemit.
A do ta merrnin mjekët të njëjtën mbështetje edhe tani? Një sondazh i YouGov tregon se 48% e të pyeturve janë kundër grevës, ndërsa 39% janë pro. Kohët kanë ndryshuar: këtë muaj NHS-ja ishte përfituesja më e madhe në rishikimin e buxhetit, me fonde shtesë për të ulur kohën e pritjes dhe për të shtuar takimet me mjekët e familjes – megjithatë, mbetet nën presion të madh. Mjekë të njohur, përfshirë ish-presidenten e Kolegji Mbretëror të Mjekëve të Përgjithshëm, Clare Gerada, shkruan një letër në The Guardian duke u lutur që mjekët të mos grevonin sërish. “NHS-ja është në një gjendje më të rrezikshme se kurrë në karrierat tona,” shkruan ata. “Një grevë do ta dëmtonte më tej aftësinë e NHS-së për të funksionuar dhe do t’u shërbente atyre që nuk besojnë në një shërbim shëndetësor publik, falas dhe mbi bazë nevoje.”
Streeting sapo u ka dhënë mjekëve rezidentë një rritje mesatare prej 5.4% – më shumë se çdo pjesë tjetër e NHS-së.
Por ja ku qëndron problemi: pavarësisht rritjes së vitit të kaluar pas grevës, BMA thotë se paga e mjekëve rezidentë ka rënë me 23% në terma realë që nga viti 2008 – dhe synojnë ta rikuperojnë, ashtu si mësuesit, pagat e të cilëve janë lënë pas si gjithë sektori publik. Ky është një vend më i varfër, me rritje thuajse të ndalur, i goditur nga ngjarjet globale por edhe në mënyrë të veçantë nga Brexit-i. Paga, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, ka rënë vitet e fundit, megjithëse ka pasur një ngritje të lehtë së fundmi. Këtë njerëzit e kuptojnë instinktivisht nga fakti se paratë nuk mjaftojnë: po të kishin vijuar rritjet si përpara krizës financiare, pagat në sektorin publik do të ishin 56% më të larta, ndërsa në privat 40% më shumë. Këto shifra dramatike ushqejnë pakënaqësi të thellë sociale dhe mosbesim ndaj qeverisë. Nuk është çudi që sindikatat përpiqen të rikthejnë kohët më të mira, duke e quajtur ofertën për mjekët “përçmuese” dhe “fyese”.
Po a është vërtet? Sipas analizës së pavarur të Full Fact, mjekët në vitin e parë të punës paguhen 38,831 paund në vit, ndërsa më të kualifikuarit – që përbëjnë 48% të totalit – marrin 73,992 paund. Elementi kyç: shumë prej tyre do të bëhen konsulentë, me paga mbi 100,000 paund në vit.
A është kjo shumë apo pak? Varet nga sa fiton vetë një person, por pak prej nesh e dinë ku qëndrojnë në shkallën e të ardhurave. Ja disa shifra për të kuptuar më mirë realitetin: paga mesatare është 37,430 paund – gjysma fitojnë më shumë dhe gjysma më pak. Paga minimale vjetore është rritur së fundmi në 25,396. Për të qenë në 10% më të paguarit duhet të fitosh mbi 65,000 paund. Ndërsa për të hyrë në 1% më të pasur, duhet të fitosh mbi 180,000 paund në vit.
Për punonjësit e sektorit publik nuk është aspak ngushëlluese që edhe paga e kryeministrit ka rënë krahasimisht. Ai paguhet 172,153 paund, vetëm pak nën 1%-shin e lartë – por po të kishte ndjekur ritmet e inflacionit që nga 2009, duhej të ishte 305,770 paund. Të përdorësh pagën e kryeministrit si krahasim – siç bëjnë të djathtët kur sulmojnë punonjësit publikë që paguhen më shumë – nuk ka kuptim: disa drejtorë shkollash apo CEO të bashkive të mëdha arrijnë deri në 300,000 paund.
Janë shuma të mëdha? Janë asgjë krahasuar me drejtuesit e lartë të sektorit privat. Aleanca e Taksapaguesve, një organizatë me financim të paqartë, publikon “listën e të pasurve të sektorit publik”, por nuk e krahason kurrë me sektorin privat. Ata që drejtojnë një shkollë të madhe apo një spital kanë një punë shumë më komplekse se CEO-t që marrin miliona për të ndjekur vetëm një tregues: fitimin neto dhe çmimin e aksionit. Një raport i ri nga High Pay Centre, me financim nga Aberdeen Financial Fairness Trust, tregon se paga mesatare e një CEO në FTSE 100 është 78 herë më e lartë se paga e një punonjësi mesatar. CEO i Tesco-s, me 9.23 milionë paund në vit, fiton 431 herë më shumë se një punonjës i zakonshëm i Tesco-s. Kanë kaluar gjashtë vjet që raportimi i këtyre raporteve pagash është bërë i detyrueshëm për kompanitë e mëdha, por kjo nuk ka sjellë asnjë ndryshim: ekspozimi i kësaj pabarazie marramendëse nuk ka turpëruar askënd në bordin drejtues.
“Paga e drejtë” është një koncept i rrëshqitshëm. Marrëveshjet për paga të drejta për çdo sektor janë tashmë pjesë e politikës së qeverisë, duke filluar në mënyrë eksperimentale me kujdesin social, ku punëdhënësit dhe sindikatat do të vendosin tarifa dhe kushte minimale ligjërisht të detyrueshme. Ato pasqyrojnë këshillat e pagave të krijuara nga Winston Churchill për të mbrojtur punëtorët e varfër – por që më pas u shfuqizuan nga Margaret Thatcher. Kur ajo i dobësoi sindikatat, pagat e punëtorëve ranë ndërsa pagat e larta u rritën marramendshëm – dhe ashtu kanë mbetur.
Në këtë kontekst të shtrembëruar vlerash dhe pabarazish, mjekët dhe punonjësit e tjerë të sektorit publik e meritojnë një shpërblim të lartë. Por në një realitet të përditshëm ku ekonomia dhe pagat janë të ngrira prej vitesh, njerëzit që panë mjekët të përfitojnë një rritje të konsiderueshme pagash verën e kaluar, mund të ndihen të zemëruar që ata po grevojnë sërish – këtë herë kundër një NHS-je që më në fund po mundohet të ngrihet në këmbë.
*Polly Toynbee është kolumniste e gazetës The Guardian/ Përgatiti per botim: L.Veizi