BE po mbështet forcimin e kapaciteteve digjitale në arsimin biomjekësor, që mundëson ndërkombëtarizimit online të studentëve vendas, sidomos ne kushtet kur ata nuk mund te realizojnë mobilitete fizike.
Në Fakultetin e Mjekësisë Dentare, të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, u zhvillua me sukses takimi i radhës i Projektit BIOSINT. Ky projekt, pjesë e programit Erasmus+, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian, i drejtuar nga Universiteti i Kragujevac, Serbi, bashkon 9 universitete partnere nga Ballkani dhe BE për të forcuar kapacitetet institucionale dhe për të integruar ndërkombëtarizimin dhe kompetencat digjitale në arsimin biomjekësor.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm morën pjesë përfaqësues nga: Universiteti i Kragujevac – Koordinatori i Projektit BIOSINT, KU Leuven, Universiteti i Tuzlës, Mostarit, East Sarajevos, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Universiteti i Malit të Zi.
Në ceremoninë e hapjes diskutimet u përqendruan mbi rëndësinë e ndërkombëtarizimit në edukimin biomjekësor dhe në veçanti për dobitë e projektit për Fakultetin e Mjekësisë Dentare. Nderuan me praninë e tyre Zëvendës ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Znj. Ana Kapaj, Dekania e FMD, Prof. Asoc. SilvanaBara, Koordinatore e projektit BIOSINT për UMT, Prof. Dr. Edit Xhajanka, si dhe Koordinatori i përgjithshëm i Projektit, Prof. Dr. Vladimir Jakovljevic.
Prof. Dr. Edit Xhajanka, Koordinatore e Projektit Biosint, për UMT, Përgjegjëse e Departamentit të Ortopedisë, Fakulteti i Mjekësisë Dentare, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë e cilësoi projektin të një rëndësie të veçantë.
“Projekti BIONSINT, i mbështetur nga Bashkimi Europian është një projekt shumë i rëndësishëm dhe me impakt të lartë në Fakultetin e Mjekësisë Dentare dhe Universistetin e Mjekësisë Tiranë, që synon të çojë në një stad më të avancuar ndërkombëtarizimin në arsimin e lartë. Në këtë projekt për herë të parë ne jemi duke konkuluduar bashkërisht me 8 universitete të tjera nga Europa dhe nga vendet e Ballkanit Perendimor, për t’u mundësuar studentëve ndërkombëtarizimin e arsimit online, nga shtëpia”, tha Prof, Dr. Xhajanka.
Sipas saj, kjo do të thotë që studentëve që nuk kanë mundësi të ndjekin një program studimi jashtë vendit, t’u ofrohet kjo mundësi nëpërmjet këtij projekti, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimet aktuale në kërkimin shkencor, mes studentëve vendas dhe atyre të huaj, në të gjiha cikket e studimit, nga këto universitete.
Prof. Dr. Xhajanka, vuri në dukje se, në kuadër të këtij projekti, janë përfshirë lëndë që janë me kurikula të njëjta studimi në të 9 universitetet.
“Tashmë ka filluar faza e pilotimit të kësaj nisme në të 9 universitetet, teksa është bërë e mundur implementimi në Fakultetin e Mjekësisë Dentare në Tiranë, i një klase virtuale, e cila nëpërmjet metodave të digjitalizimit dhe të mësimit onlineka sjellë një risi në modernizimin e infrastrukturës arsimore në Fakultetin tonë”, theksoi ajo.
Duke u ndalur në arritjet dhe sfidat për vënien në zbatim të këtij projekti Prof. Dr. Xhajanka, bëri të ditur se ka nisur puna për ndërlidhjen online të studentëve shqiptarë me studentët e huaj, teksa janë përgatitur edhe guidat për studentët dhe stafin, gjë që do të bëjë të mundur në mbyllje të këtij projekti, në janar 2026, rritjen e aksesit të kësaj nisme në kuadër të ndërkombëtarizimit të FMD.
Prof. Dr. Edit Xhajanka, Koordinatore e Projektit Biosint, Përgjegjëse e Departamentit të Ortopedisë, FMD, në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, deklaroi se, “Në fokus të punës tonë mbetet hapja e programeve në gjuhën angleze, me qëllim përafrimin sa më shumë të studentëve tanë me botën dhe universitet e huaja, që tashmë ka nisur dhe është aktiv”.
Ndërsa Prof. Vladimir Jakovljevic, Koordinator i Përgjithshëm i Projektit Biosint, Universiteti i Kragujevac, Serbi u shpreh se ky projekt është shumë i rëndësishëm për të lidhur institucionet në rajonin tonë, në Ballkanin Perëndimor, të cilët për fat të keq nuk janë vendet kryesore në Evropë, por për fat të mirë për ne, mendoj se kemi të njëjtat probleme, kemi të njëjtat sfida.
Prof. Asoc. Nenad Markovic, Koordinator i Projektit Biosint, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti East Sarajevo, u ndal në arritjet e këtij projekti.
Ai tha se: ”Ky koncept nënkupton përmirësimin e cilësisë jo vetëm të procesit mësimor, por edhe të punës kërkimore, jetës së studentëve, duke u përpjekur të përmirësohen kapacitetet institucionale të të gjithë partnerëve të përfshirë”.
“Nëse marrim në konsideratë këtë rajon të Ballkanit Perëndimor, i cili mund të përfshihet në këtë lloj projekti, është në përputhje me Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë, me fakultetet e mjekësisë, stomatologjisë dhe shkencave shëndetësore. Ne po përpiqemi të gjithë së bashku të ndajmë përvojat tona të ndryshme, sepse vijmë nga vende të ndryshme dhe duhet të përpiqemi të shndërrojmë një tezë në një kapitull të vetëm për të bërë gjëra së bashku. Ky është viti i tretë që po i bëjmë aktivitetet e projektit së bashku”, deklaroi Prof. Asoc. Nenad Markovic, teksa u shpreh optimist për atë çka do të arrijë vënia në zbatim e Biosint.
Gjatë takimit u prezantuan rezultatet konkrete të projektit për Fakultetin e Mjekësisë Dentare, duke përfshirë:
– Përfundimin e analizës institucionale mbi ndërkombëtarizimin në vend;
– Hartimin dhe miratimin e Strategjisë për Ndërkombëtarizimin në Vend;
– Integrimin e elementëve ndërkombëtarë në programet mësimore (38 ECTS të përfshira në syllabuset e rishikuara);
– Krijimin dhe pilotimin e 3 kurseve virtuale ndërkombëtare;
– Pajisjen e Fakultetit me teknologji moderne dhe krijimin e klasës virtuale,
– Trajnimin e mbi 240 studentëve, stafit akademik dhe administrativ për ndërkombëtarizimin në vend;
– Edukimin digjital dhe bashkëpunimin ndërkombëtar,
– Hartimin e materialeve praktike si Guida për Stafin dhe Studentët Ndërkombëtarë, Protokolli i Sigurisë dhe krijimin e Sistemit të Buddy-t.
Takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e eksperiencave mes partnerëve, diskutimin mbi sfidat dhe mundësitë e ndërkombëtarizimit në arsimin e lartë, si dhe forcimin e rrjeteve të bashkëpunimit mes institucioneve pjesëmarrëse.
Në këtë iniciativë të rëndësishme për rritjen profesionale sipas standardeve më të mira, në fushën e arsimit të mjekësisë dentare, janë të përfshirë stafet akademike, studentore dhe studentë të diplomuar që vazhdojnë programe kualifikimi. Ky projekt synon ndërkombëtarizimin për studentët online.
Takimi u mbyll me vlerësimin e progresit dhe planifikimin e fazave të ardhshme të projektit./kb