nga Vali R. Nasr*
Sulmi i Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore të Iranit fundjavën e kaluar, pas një jave bombardimesh nga Izraeli, ka shënuar një pikë kthese për Iranin. Përfshirja e Uashingtonit në konflikt përfaqëson një nga sfidat më të mëdha për Republikën Islamike që prej themelimit të saj në vitin 1979 dhe është një moment e vërtete për udhëheqësin suprem të vendit, Ajatollahun Ali Khamenei, i cili ka ruajtur armiqësinë e Iranit ndaj Perëndimit gjatë 36 viteve të tij në pushtet.
Tani, e ardhmja e programit bërthamor të vendit dhe fati i armëpushimit të brishtë me Izraelin janë në duart e tij — dhe, edhe përballë një kërcënimi kaq të rëndë, është e pamundur që ai të tërhiqet.
Udhëheqësit iranianë nuk janë të panjohur me luftën. Shumë nga figurat kryesore të vendit — përfshirë presidentin, ministrin e jashtëm dhe komandantët ushtarakë — janë veteranë të luftës së gjatë të Iranit me Irakun në vitet 1980, një konflikt shkatërrues që i kushtoi Iranit miliarda dollarë dhe qindra mijëra jetë. Nën drejtimin e Ajatollahut Khamenei, i cili shërbeu si president nga viti 1981 deri në 1988 dhe u bë udhëheqës suprem në 1989, mësimet e asaj lufte të egër janë shndërruar në bazën e botëkuptimit të regjimit — dhe të politikës së tij të sigurisë kombëtare.
Sipas vizionit të Ajatollahut Khamenei, Irani është i përfshirë në një betejë për mbijetesë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, përfshirë Izraelin. Politikat që ai ka ndjekur gjatë dekadave të udhëheqjes — shtypje të brendshme, zgjerim bërthamor dhe mbështetje për milicitë përfaqësuese si Hamas dhe Hezbollah — kanë qenë gjithnjë në funksion të kësaj përballjeje. Mosbesimi i tij ndaj Uashingtonit është thelluar edhe më shumë pas tërheqjes së Donald Trump nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e negociuar me administratën Obama.
Republika Islamike është e vetëdijshme për kufizimet e saj në këtë përballje. Ushtria e saj është shumë e dobët përballë fuqisë ushtarake shumë më të avancuar të Shteteve të Bashkuara. Ekonomia e saj është dobësuar rëndë nga sanksionet ndërkombëtare. Dhe vitet e fundit, vetë populli iranian ka ngritur krye ndaj politikës së “rezistencës së përhershme” ndaj Perëndimit, si dhe ndaj represionit të brendshëm të regjimit. Ndërkohë, SHBA vazhdojnë të ruajnë një prani të fortë ushtarake në rajon, me dhjetëra mijëra trupa të shpërndarë në një rrjet bazash ushtarake.
Nëse historia është ndonjë tregues, Ajatollahu Khamenei nuk do të tërhiqet, e aq më pak të dorëzohet. Ai e ka pranuar për momentin një armëpushim me Izraelin — por vetëm sepse është i bindur se Irani nuk është gjunjëzuar përballë sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit. Edhe në të kaluarën, ai ka bërë lëshime kur është ndjerë i detyruar. Irani hyri si në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, ashtu edhe në raundin e fundit të negociatave bërthamore me Shtetet e Bashkuara, për të zbutur presionin ekonomik.
*Dr. Vali Nasr është studiues i politikës iraniane dhe i politikës amerikane në Lindjen e Mesme.
Burimi: The New York Tims/ Përgatiti për botim: L.Veizi