Greqia po përballet me zjarre masive, teksa flakët janë përhapur deri në afërsi të zonave të banuara afër qytezës detare Palaia Fokaias, 40 kilometra në jug në Athinës.
Urdhër evakuimi është lëshuar nga autoritetet për katër vendbanime në afërsi të vatrës së zjarrit.
Ndërkohë në terren janë angazhuar rreth 90 zjarrfikës të ndihmuar nga tetë avionë e pesë helikopterë me qëllim shuarjen e flakëve, të cilat janë përhapur duke u favorizuar nga erërat e forta.
Greqia është përballur dhe më parë me vatra të shpeshta zjarri, situata alarmante këto që kanë ndikuar ndjeshëm në ekonominë dhe fushën e mjedisit të vendit.
Greqia ka shpenzuar qindra miliona euro për të kompensuar qytetarët dhe fermerët për dëmet e shkaktuara nga ngjarjet që lidhen me motin ekstrem. Shteti po ashtu ka blerë pajisje të reja për zjarrfikësit në mënyrë që të përballen me zjarret, shuarja e të cilave bëhet më e vështirë për shkak të temperaturave të larta gjatë verës.
Greqia e ka rritur numrin e zjarrfikësve në një rekord prej 18.000 këtë vit, teksa pret që të përballet me një sezon të vështirë zjarresh. m.p.