Nga Leonard Veizi
Ka këngë që lindin në dhoma të heshtura dhe harrohen mes letrash. Kashtu siç ka çaste në histori kur një këngë nuk është më thjesht varg, nuk është melodi, por thirrje. Një thirrje që çan heshtjen e tiranisë dhe bëhet frymë e gjallë popullore. Dhe ka të tjera që shpërthejnë nga zemra e një kombi si krisma e parë e një kryengritjeje.
“La Marseillaise” apo siç njihet në shqip “Marsejeza”, nuk është thjesht një himn – është një britmë që i shpëton muzikës dhe futet në palcën e historisë, aty ku popujt nuk kërkojnë të dëgjojnë melodi, por të kujtojnë pse luftuan. Ajo u lind jo në një sallon aristokratësh, por në vapën e një lufte, në orët e ankthit, kur atdheu nuk kishte tjetër mbrojtje veç fjalës së pathënë dhe pushkës së përgatitur.
Në netët e Revolucionit, kur Parisi dridhej ndërmjet shpresës dhe gijotinës, dhe kur Republika ishte ende një ëndërr e thyer mbi trotuare, një zë doli përmes zhurmës – i përvuajtur, por i pathyeshëm. Ishte kënga e atyre që nuk ishin kontë e baronë, por që guxuan të bëhen sovranë të fatit të tyre. “La Marseillaise” nuk i ftonte njerëzit të vallëzonin, ajo i ftonte të marshonin. Me grushtin e shtrënguar dhe sytë për nga horizonti, ajo bëhej lutje dhe betim në të njëjtën kohë: për atdheun, për lirinë, për nderin e popullit që nuk do të nënshtrohej më. Në çdo rrokje të saj ndjehet fëshfërima e flamurit revolucionar, aroma e barutit dhe klithma e atyre që ranë me emrin e Francës në gojë. Dhe mbi të gjitha, ndjehet ajo frymë që nuk ndalet me urdhra – fryma e lirisë që ecën nën tingujt e saj, brez pas brezi…
…Thuhet se “Marsejeza”, u këndua në rrugët e Parisit në ditën e fundit të qershorit të vitin 1792, nga buzët e ushtarëve dhe zemrat e popullit – si një këngë lufte, si një akt dashurie ndaj lirisë dhe si një kërcim mbi varrin e frikës. Klod Zhozef Rugé dë Lilë, një kapiten i ushtrinë revolucionare, nuk ishte poet i oborreve. Ishte bir kohe të trazuar, që kompozoi një himn në qytetin e Strasburgut për të frymëzuar trupat që do të shkonin të përballeshin me koalicionet mbretërore në kufijtë e Francës. Ai e titulloi “Chant de guerre pour l’Armée du Rhin” ose në shqip “Kënga e luftës për Ushtrinë e Rinit”, por ajo nuk do të mbetej thjesht një marsh ushtarak.
Kur vullnetarët nga qyteti i Marsejës hynë në Paris duke e kënduar me zë të lartë këtë melodi, ajo përfshiu qytetin si një zjarr që nuk digjte por ngrohte. Qytetarët e Parisit e përqafuan menjëherë dhe kështu, kënga mori emrin që do të mbijetonte kohërat: La Marseillaise.
Tre vjet më vonë, më 14 korrik 1795, në përvjetorin e Bastijës, Konventa Kombëtare e shpalli Marsejezën si himnin kombëtar të Francës. Ishte koha kur fjala “komb” po fitohej me gjak dhe kur populli i lirë kërkonte një zë që të buçiste nëpër sheshe dhe t’i bëhej jehonë luftës për republikë.
Por si çdo gjë e lindur nga revolucionet, edhe himni nuk pati jetë të qetë. Napoleon Bonaparte, që lindi nga revolucioni por u bë perandor, e ndaloi përdorimin e saj, duke e parë si të rrezikshme për stabilitetin e tij. Vetëm pas Revolucionit të Korrikut të vitit 1830, Marsejeza u rikthye në bulevardet e Francës dhe në zemrat e rebelëve.
Në 1871, kur Komuna e Parisit shpalli qeverinë e saj popullore, Marsejeza nuk ishte më vetëm një himn kombëtar — ajo u shndërrua në himn ndërkombëtar i lëvizjes revolucionare, një thirrje universale për të shtypurit që kërkonin drejtësi, liri, dhe barazi.
Dhe, në vitin 1879, ajo u shpall sërish himni zyrtar i Francës, ku mbeti e tillë deri sot — duke i mbijetuar republikave, perandorive, pushtimeve e pushteteve.
Marsejeza përfaqëson shumë më tepër se një himn kombëtar – ajo është simboli i shpërthimit revolucionar, i vullnetit popullor për liri dhe barazi, dhe një thirrje universale kundër tiranisë.
Me vargje që thërrasin për ngritje kundër “tiranëve gjakatarë” dhe me një refren që buçet “Aux armes, citoyens!” apo në shqip: “Në armë, qytetarë!”, Marsejeza mishëron idealet e lirisë, vëllazërisë dhe barazisë që Revolucioni Francez ngriti mbi rrënojat e monarkisë absolute.
Marsejeza bashkoi francezët në një periudhë trazirash të mëdha dhe u bë flamuri i shpirtrave të lirë, përtej krahinave, dialekteve dhe klasave shoqërore. Ajo është zëri i një kombi që thotë: “Ne nuk jemi skllevër — ne jemi bij të lirisë.”
Përtej Francës, Marsejeza u adoptua nga lëvizjet revolucionare anembanë botës.
Sot, kur tingujt e saj buçasin në ceremoni shtetërore apo në protesta masive, “La Marseillaise” është shumë më tepër se një himn. Është historia e një populli që këndon edhe kur derdh gjak; që nuk dorëzohet, por marshon.