Nga Frrok Çupi
Kjo që po ndodh në dialogun ‘e zemëruar’ mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe shkëndijë- dhënësit të Brexit, Nigel Farage, ka kuptim. Nuk është aspak ashtu siç guxojnë të thonë disa se ‘haj merru me emigrantët e dhe me krimin, lëre Farage.
Jo, fare nuk është kështu. Madje është debati më i sinqertë kontinental qëkurse Britania e Madhe rrëshqiti në izolim, sipas fjalimeve të Farage, dhe tani nuk po di si të dalë. Brexit ka krijuar disa pasoja të rënda në Britani, që nga rënia ekonomike, rënia e marrëdhënieve tregtare dhe politikat e emigracionit. Mbretëria e Bashkuar përjeton barriera tregtare në rritje me BE-në. Liria e lëvizjes për qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar brenda BE-së ka mbaruar, duke ndikuar si në turizëm ashtu edhe në udhëtimet e biznesit.
Ky është Brexit, për të cilin u ngref Nigel, sepse u pickua në gjënë e keqe që i ka bërë vendit të vet.
Pse hynë në mes emigrantët shqiptarë? Ndoshta edhe kjo është shenjë krize personale.
Disa shqiptarë që ndodhen në burgjet e Londrës e paskan shkaktuar të tërën?
Jo, nuk është kështu. Për ta kuptuar se nuk është kështu, mjafton të tërheqim imazhin e përshkruar nga Edi Rama në letrën e parë për Farage. Ky i thotë se ‘vemë bast, nëse një në pesëdhjetë shqiptarë është kriminel, atëherë vij në Londër e i marr të gjithë shqiptarët në Shqipëri’. Duket se Nigel, ose nuk e kuptoi, ose nuk e çanë kokën për fatin e Britanisë. Nëse do të largoheshin emigrantët shqiptarë, pastaj të gjithë emigrantët, çfarë do të ndodhte me Britaninë?! Do të vihen në rrezik shumë gjëra në atë shtet të madh e të vjetër. Po mund të vihej në rrezik vetë kopshti i Nigel…
“Në realitet, z. @Nigel_Farage e di çfarë? Shifra është mbi 300,000, vëlla! Këta janë njerëz që mësojnë fëmijët tuaj, që ndërtojnë shtëpitë tuaja, që kujdesen për të moshuarit dhe të sëmurët tuaj”, shkruan Edi rama.
Nigel, duke e vënë Ramën në radhën e globalistëve, mendon se po e shan dhe po e mund. Gabim trashanik. Farage, si edhe të tjerë, jetojnë çdo ditë e çdo orë në globalizëm, dhe thonë dokrra për një gjë të kundërt. Ku është ajo gjëja? Bota është globaliste dhe nuk mund të jetë ndryshe.